Ndriçim Xhepa:Përse nuk e zgjodha gruan time aktore
Ndriçim Xhepa thotë se nuk do të kishte dashur që gruaja e tij të ishte aktore. Dhe... fillimi i mbarë gjysma e punës. Bardha punonte në bankë. Adhuruesi i profesionit të vet, një aktor me vlera të jashtëzakonshme, me një përvojë të gjatë në mjediset e artit, kishte arsyet e veta të mos e kërkonte gruan e jetës aty rrotull. Edhe mund të kishte ndodhur. Ama me logjikë nuk do të kishte dashur. “Nuk kam paragjykime, thotë. Profesionin tim e dua, e vlerësoj e po kaq koleget e mia femra”. Por ka pasur mjaft kohë të kuptojë se sa mund e djersë duhet derdhur aty. Sa impenjues është ai profesion, sa i lodhshëm, deri në ekstrem është. Jo vetëm se thjesht duhet të jesh çdo mbrëmje në shfaqje, jo vetëm për orët e gjata të provave, për muajt e tërë të zënë me sheshet e xhirimeve, por mbi të gjitha ai flet presionin: “Presioni i ofertave, angazhimi i fortë emocional”. Pra tjetër kërkonte nga gruaja e jetës. Nëse ai e kishte atë profesion, të mos e kishte së paku gjysma tjetër e familjes... Kurse përvoja e deri tanishme me familjen e tij të re, e ka bindur për logjikën e zgjedhjes së tij, anipse ai, disa vite më parë, nuk u nis drejt gruas së tij të ardhshme, thjesht dhe vetëm ngase ajo, nuk ishte aktore.
Puna, jashtë derës
së shtëpisë
E kështu, ka ndodhur në familjen Xhepa, që diskutimet e punës të lihen jashtë derës së shtëpisë, kur ajo mbyllet nga brenda. Sigurisht pas një shfaqjeje të dy bashkë shkëmbejnë mendime, pas një filmi a një koncerti. Sigurisht që Bardha di shumëçka rreth punës së të shoqit, rolit që ai ka marrë apo që po mendohet të marrë, rreth pjesës, kolegëve, regjisorit... Por pa kaluar në ekstrem. “Ime shoqe nuk është shumë kureshtare, për më tepër, dhe kjo gjë më pëlqen”. Kurse vetë aktori, fare pak di për punën e të shoqes... Të ndërlikuara ato punët e bankave...
Qendra e vëmendjes, Martini
Por në familjen e tyre ka diçka të madhe, tejet të rëndësishme para të cilit gjithçka që ka të bëjë me profesionin apo me profesionet e dy gjysmave të një çifti, zhvlerësohet: djali. Martini ndryshoi jetën e të dyve. Ashtu si jetën e kujdo një fëmijë tek e fundit. Por tani që ai është, Xhepat kanë kuptuar se të thuash se jetojnë për të, nuk është ekzagjerim. Ardhja e djalit ka bërë që etapat e evoluimit së lidhjes burrë- grua, të mos ndjehen, të shkrihen. Tashmë është vështirë të ndahen kufijtë mes babait dhe burrit, mes bashkëshortit dhe prindit... të dyja janë edhe shkaqe edhe pasoja njëkohësisht.
Pozicionet në shtëpi
Nuk kanë pozicione të prera me thikë në familje. Nuk ka një rol burri strikt për të luajtur, ashtu siç e shoqja nuk luan rreptësishtë rolin e të zonjës së shtëpisë. I ndodh që Xhepës të merret me punë shtëpie: “Po po, merrem edhe me gjëra të karakterit shtëpiak. Më kënaqësi bëj pazarin dhe them se e bëj mirë”. Dhe sigurisht është i gatshëm, në çdo kohë të merret me Martinin, me të cilin angazhohet çdo ditë, rreth dy orë, derisa Bardha kthehet nga puna e saj me orar zyrtar.
Gruaja me mbiemrin e burrit
Kurse fakti që e shoqja ka mbiemrin e tij nuk nënkupton aspak imponim nga ana e burrit. Mesa duket ishte diçka që erdhi natyrshëm. Në ceremoninë civile, në bashki, ajo i ish përgjigjur me “po” pyetjes së punonjëses civile, për të marrë mbiemrin Xhepa. Dhe kaq. Nëse ajo do të kishte kundërshtuar? Duket se Xhepa s’ka komplekse të tilla. Të paktën kështu thotë.
Vendimet i marrin bashkë, por...
“Bashkëbisedimi i zgjidh gjërat- thotë Xhepa- i çon në vendin e vet. Një vendim i përbashkët del me konsensus”. Nëse ai e gjen të drejtë një sugjerim të gruas, e pranon. Pse jo? Ama, nuk përjashtohen rastet e ngritjes së zërit nga ana e burrit. Padyshim, kur është i bindur në logjikën e tij. E megjithatë, nuk bëhet fjalë asnjëherë për gjëra madhore. Çështja është për të zgjedhur vendin ku duhet shkuar me pushime, se kush do ta mbajë djalin kur ata shkojnë në shfaqje, apo ku do ta kalojnë fundjavën... Të qenit “njësh” në teatër, nuk do të thotë se preferon të jetë i tillë edhe në shtëpi. “Nuk e kam ndjesinë e diktimit të unit”. E megjithatë, gjithherë, në çdo rast, pa përjashtim, zëri ulet, logjika zhvlerësohet... përballë tekave të Martinit.
Kompleksiteti
i gruas
Frazën sipas të cilës “burrat nuk arrijnë t’i njohin deri në fund gratë” nuk e kundërshton. Tek e fundit është një qenie njerëzore. Dhe të gjitha qenit njerëzore kanë dallimet e tyre, të veçantat e tyre: “Qenia njerëzore është komplekse dhe pothuaj kurrë nuk përshfaqet deri në fund. E vështirë që një burrë të njohë deri në fund gruan, po aq sa e vështirë që një grua të njohë deri në fund burrin”.
Miqësi me burra
dhe me gra
E megjithatë njohja që ka është e mjaftueshme për të pasur rreth vetes miq burra por edhe gra. “Kam shokë që nga fëmijëria, njohje 40- vjeçare, që i ruaj ende. Kam edhe shoqe. Pi një kafe me to, po aq sa i drejtohem nëse kam nevojë për ndihmë dhe ato munden të ma ofrojnë”... Dhe në konkluzion të së tërës: nuk është maskilist, nuk paragjykon, nuk e zhvlerëson seksin e dobët... Njëlloj mirë apo keq mund të ndjehet në shoqërinë e një burri a të një gruaje. “zoti i ka bërë të dy sekset që të kenë nevojë, të japin e të marrin me njëri-tjetrin”.
Ar. Ma
Kur e pyetën se pse priti kaq gjatë për t’u bërë baba, Çim Xhepa nuk kishte një përgjigje precize. “Po ja... nuk erdhi
më parë”. Dhe i ktheu sytë nga destini. Sigurisht edhe kjo qëndron. Fati, paracaktimi, është një gjë të cilës njeriu vështirë t’i dalë kundër. Madje kështu, fare mirë mund të shpjegohet lidhja e aktorit me gruan e jetës, me nënën e djalit të tij. Si një fat, pse jo? Kur Bardha iu shfaq në rrugën e jetës së tij, me siguri duhet të këtë ndjerë së pari, se ishte gruaja e duhur. Shumë gjëra nuk mund të shpjegohen me fjalë. Por ka vlerë ndjesia se një grua e caktuar mund ta shoqërojë një burrë në një jetë të përbashkët, se mund të jetojnë bashkë, se mund të lindnin fëmijën e tyre.