E Diel, 1 Nëntor 2026

“Draftet rrëzohen ose pranohen kur palët ulen në tryezë”

LSI hedh poshtë spekulimet e socialistëve për moszgjidhjen e ngërçit

Lëvizja Socialiste për Integrim hodhi poshtë dje pretendimet e socialistëve, lidhur me përgjegjësitë e mazhorancës për rrëzimin e drafteve të negociatave për zgjidhjen e ngërçit politik. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama, u shpreh se këto janë mirëfillti mashtrime, sepse draftet rrëzohen ose pranohen, pasi janë konsumuar në tryezën e dialogut, gjë e cila nuk ka funksionuar deri më tani.
“Kam përshtypjen se ky qëndrim është spekulativ sepse draftet rrëzohen apo pranohen kur palët janë ulur në tryezën e dialogut. Nga pozicione inekstremis apo nga bunker partish nuk mund të gjykojmë dhe nuk mund të konkludojmë se cili draft është pranuar apo cili draft është rrëzuar. Unë e quaj spekulim këtë qëndrim për sa kohë që palët, dhe këtu kam parasysh Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste, si dy partitë që kanë numrin më të madh të deputetëve në Kuvend, nuk janë ulur ë tryezën e dialogut, nuk janë ulur në një proces jo vetëm bashkëpunues, por dhe transparent të gjykimit të drafteve apo alternativave që gjykojnë, atëherë, nuk mund të shprehemi me të tilla qëndrime që akuzojnë njërën palë dhe kërkojnë të nxjerrë jashtë përgjegjësisë ata vet”, u shpreh Rama.
Sipas tij, këmbëngulja e ndërkombëtarëve dhe investimi i tyre i vazhdueshëm dhe mos-reshtja duke apeluar që palët politike në Shqipëri të gjejnë një zgjidhje është padyshim edhe ajo çfarë duhet të bëjnë aktorët politik.
“Hapësirat për kompromis janë por që të shohim këto hapësira duhet të kuptojmë se në një shtet të së drejtës demokratik dhe ligjor çdo gjë fillon dhe mbaron me respektimin e Kushtetutës”, vuri në dukje ai.
Ai deklaroi se LSI konsideron zgjidhjen e ngërçit si një oportunitet të domosdoshëm, për ecjen përpara të reformave dhe proceseve të integrimit. Rama, vuri në dukje se çdo hapësirë zgjidhje duhet të përputhet me ligjet dhe kushtetutën në fuqi.
“Edhe java që sapo mbyllet shënoi përpjekje të tjera të partnerëve ndërkombëtarë me apele apo me thirrje që politika shqiptare të gjejë zgjidhjen e duhur dhe të shkojë te kompromisi i nevojshëm, që jo vetëm i çel udhën ecurisë së mëtejme të procesit të integrimi europian të Shqipërisë, por, çfarë është më e rëndësishmja, ta përshpejtojë këtë proces dhe t’i bëjë të gjitha palët të jenë kontributor të këtij procesi. Një muaj pasi është zhvilluar darka e punës në Strasburg, është për të ardhur keq që ka ende mungesë reflektimi të përgjegjshëm dhe produkt real të zgjidhjes, megjithatë Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon të jetë në të njëjtën linjë me qëndrimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe nga kjo pikëpamje këmbëngul në domosdoshmërinë e gjetjes së një zgjidhje kompromisi që respekton Kushtetutën e vendit dhe që garanton seriozitetin e një procesi normal, institucional dhe politik të bashkëpunimit me të gjithë aktorët politik të vendit”, u shpreh Luan Rama.
Duke iu referuar roli të LSI-së, Rama tha se kjo forcë politike është në favor të gjetjes së një zgjidhje, për t’i dhënë dimension kapërcimit të ngërçit politik.
“LSI-ja është përfshirë në një fazë të re mjaft intensive të ristrukturimit të saj. Pavarësisht angazhimit në qeverisjen e vendit dhe përpjekjeve tona për të qenë sa më serioz në kontributin për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme për palët dhe për ta kapërcyer këtë situatë politike të mbajtur ende nën ngërç, ne po punojmë me seriozitet me të gjitha strukturat dhe për këtë arsye kemi nisur një seri takimesh me të gjitha forumet drejtuese të LSI-së në bazë, me qëllim që të ridimonsionojmë dhe të ngremë më lart përgjegjësinë dhe angazhimin e çdo anëtari të LSI-së, nga njëra anë dhe nga ana tjetër të vëmë në punë me mirë dhe me seriozitet struktura e partisë, pasi i fillimi i sesionit të ardhshëm të Kuvendit, pra afrimi i vjeshtës dhe i gjithë ky proces do të na vërë përpara sfidash të reja, të cilat ne jo jemi vetëm të gatshëm t’i përballojmë, por edhe t’i kurorëzojmë ato me rezultate të suksesshme”, u shpreh ai.
Sekretari i Përgjithshëm, Luan Rama, deklaroi më tej se LSI do vazhdojë angazhimet e saj në qeverisje me Partinë Demokratike, për të çuar përpara procesin e integrimit evropian.
“Ne do të vazhdojmë të jemi serioz në angazhimet tona dhe do të vazhdojmë te jemi kontributor me të gjitha kapacitetet tona për të përshpejtuar procesin e integrimit europian dhe për të krijuar në vendin tonë një realitet politik dhe një klimë bashkëpunimi të dimensioneve apo standardeve evropiane”, deklaroi më tej, Luan Rama.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›