E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti i ri, Ministria e Punës: Do të hapen ndërmarrje sociale për të papunët

Projektligji i ri për ndërmarrjet sociale do të miratohet nga Parlamenti

Jonida Tashi

Për herë të parë në vendin tonë do të hapen disa ndërmarrje sociale ku do të punësohen shtresat në nevojë. Ideatorwt kanw qenw tw mendimit se krijimi i ndërmarrjeve sociale do të sjellë një ulje të përqindjes së popullatës që jetojnë në varfëri ekstreme, por ndërkohë do të jetë edhe një mundësi, për integrimin e personave në nevojë në tregun e punës. Gjithçka është parashikuar nga Ministria e Punës, e cila për këtë çështje ka përgatitur në bashkëpunim me ekspertë italianë edhe një projektligj, që pritet të marrë edhe miratimin e Parlamentit. Sipas ministrit të Punës, Spiro Ksera, ndërmarrjet sociale do të ndihmojnë shtresat në nevojë, duke lidhur kontrata me shtetin për menaxhimin e shërbimeve të ndryshme. Pas miratimit të projektligjit për hapjen e ndërmarrjeve sociale, edhe Shqipëria, sikurse vendet e rajonit, do të lejojë ngritjen e bizneseve dhe ndërmarrjeve sociale të cilat do të ofrojnë shërbime për grupet në nevojë.
Ndërmarrjet
Ngritja e ndërmarrjeve sociale do të favorizojë hyrjen në punë të grupeve në nevojë, nëpërmjet prodhimit të të mirave dhe shërbimeve me dobi sociale ose interes kolektiv. Kështu ka deklaruar në fjalën e tij për shpjegimin e projektligjit të ri, ministri i Punës, Spiro Ksera. “Ligji do të krijojë kushtet e nevojshme për të inkurajuar iniciativa të zhvillimit të aktiviteteve prodhuese, me qëllim që të realizojnë të ardhura për të mbështetur shërbimet e tyre sociale. Fitimi është një mjet për të arritur objektivat sociale, që duhet të jetë pjesë e misionit për përfshirjen sociale, punësimin dhe riintegrimin e grupeve në nevojë”,- deklaroi Ksera. Sipas tij, ndërmarrjet sociale janë një hap më përpara se OJF-të, jo vetëm në ofrimin e shërbimeve të ndryshme social-shëndetësore, por dhe në strukturën dhe menaxhimin e tyre.
Kontratat
Ndërmarrjet sociale mund të lidhin kontrata me shtetin për menaxhimin e shërbimeve të ndryshme, duke garantuar një cilësi më të lartë e kosto më të ulët për buxhetin e shtetit. Sipas kreut të Ministrisë së Punës, aftësia e tyre për të punësuar grupe dhe individë në vështirësi social-ekonomike, do të ndikojë ne rritjen e numrit të popullsisë së zënë me pune, duke mundësuar kështu dhe riintegrimin e kësaj kategorie. Këto lloj aktivitetesh nuk duhet të konsiderohen si iniciativa të ndërmarrjeve individuale private. Realizimi i të ardhurave nga aktivitetet prodhuese do të rrisë kapacitetet e shoqatave e do t’i bëjë ato më pak të varura nga donacionet e mundshme e njëkohësisht do te rrisë mundësinë e tyre për t’u bashkëfinancuar nga buxheti i shtetit, nga njësitë e qeverisjes vendore apo donatorë të ndryshëm. Aktualisht në vendin tonë njihen nisma të tilla siç janë ndërmarrja e prodhimit të karrocave për personat me aftësi të kufizuar e ngritur në Vorë, pak kilometra larg Tiranës. Në këtë ndërmarrje punojnë vetë invalidët, por shpesh herë drejtuesit e saj janë gjendur në vështirësi financiare për shkak të mungesës së fondeve.

5 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›