Programi 4-vjeçar për punësimin e të papunëve
Ministria e Punës ka zbardhur numrin e të papunëve që do të sigurojnë një vend pune nga shteti, duke filluar që nga viti 2010 deri në 2013-n. Sipas shifrave zyrtare të këtij dikasteri, vetëm gjatë vitit 2010 në vendin tonë do të punësohen plot 17 mijë të papunë, nga të cilët 11 500 do të punësohen nëpërmjet ndërmjetësimit të zyrave të punësimit. Ndërkohë që numrit të personave që parashikohen të punësohen gjatë këtij viti, do t’i shtohen edhe 2000–2500 të papunë që do të dalin nga gjendja e të papunit falë programit të nxitjes së punësimit, si dhe 3000 të tjerë punësuar pas trajnimit të kualifikimit. Reformat e parashikuara në sistemin fiskal, në përmirësimin e mjedisit për biznesin, investimet e mëdha në infrastrukturë e në përdorimin e burimeve energjetike, minerare e mjedisore, prioritetet për zhvillimin e turizmit, por edhe bujqësisë dhe agroindustrisë, si dhe nxitja e investimeve të huaja, do të jenë sipas ministrit Ksera, faktorët kryesorë që do të kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe, rrjedhimisht, edhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Numri i punësimeve për katër vjet në shifra
Nëpërmjet ndërmjetësimeve
11 500 në vitin 2010
12 000 në vitin 2011
12 500 në vitin 2012
13 000 në vitin 2013
Nëpërmjet nxitjes së punësimit
2000–2500 punëkërkues të papunë për vitin 2010
2500–3000 punëkërkues të papunë për vitin 2011
2500–3000 punëkërkues të papunë për vitin 2012
2500–3000 punëkërkues të papunë për vitin 2013
Nëpërmjet formimit profesional
6000 të kualifikuar dhe 3000 të punësuar pas trajnimit në vitin 2010
6500 të kualifikuar dhe 3400 të punësuar pas trajnimit
në vitin 2011
7000 të kualifikuar dhe 3800 të punësuar pas trajnimit
në vitin 2012
7500 të kualifikuar dhe 4200 të punësuar pas trajnimit
në vitin 2013
Buxheti i Ministrisë së Punës për shtresat në nevojë, për vitin 2010
Për vitin 2010, Ministrisë së Punës i është programuar fondi në vlerën 41.
943 miliardë lekë. Krahasuar me vitin 2009, fondi për këtë ministri është rritur në vlerën prej 2.749 miliardë lekë, ose 107%. Në vitin 2010, nevojat e 98 mijë familjeve që ndodhen nën nivelin e varfërisë, do të mbulohen nga një fond me vlerë 5.2 miliardë lekë, ose 24% më shumë se fondi i akorduar në vitin 2009. Parashikohet që gjatë këtij viti edhe masa e ndihmës ekonomike të rritet në nivelin 24%, gjë që shpresohet të realizohet nga rritja e nivelit të fondeve dhe kontrolli më i mirë i skemës. Nga reformimi i skemës së ndihmës ekonomike do të arrihet që në të, të përfshihen për herë të parë edhe rreth 1500 familje me probleme sociale, si dhe të rritet mbështetja veçanërisht për familje në varfëri ekstreme. Për vitin 2010, do të trajtohen me pagesa cash 131 679 persona me aftësi të kufizuar dhe kujdestarët e tyre, me një fond prej 11.442 miliardë lekë, ose 24% më shumë se viti 2009.
5 Maj 2010