Drafti i ri, ish-ushtarakët që rrezikohen nga ulja e pensionit
Laureta Rryçi
Ushtarakët rrezikojnë të marrin pension më të ulët nëse do të miratohet drafti i ri. Ata që do të preken më tepër do të jenë ushtarakët që mbajnë edhe gradën më të lartë. Mirëpo llogaritjet tregojnë se jo pak do të preken edhe ushtarakët e tjerë, që veçohen sipas gradave dhe vjetërsisë së shërbimit që ka gjithsecili prej tyre. Sipas përllogaritjeve mes draftit të ri dhe ligjit aktual për pensionet, rezulton se ndryshimi esencial ka të bëjë pikërisht me masën që duhet të përfitohet. Gazeta “Albania” sjell në numrin e sotëm përballjen mes pikave kryesore të draftit të propozuar nga Ministria e Mbrojtjes, si dhe ligjit që është në fuqi për ish-ushtarakët. Specialistët e Ministrisë së Financave duket se kanë pasur pikërisht këtë detyrë, për të bërë një përllogaritje që do t’i kushtonte më pak buxhetit të shtetit. Por, mbi të gjitha, që në fund të përcaktohet një shumë që ka mundësi ta përballojë buxheti i shtetit për të gjithë ushtarakët.
Ndryshimet
Ndërsa ligji aktual përcaktonte se ushtarakët që mbajnë gradën “Gjeneral” do ta kenë masën e pensionit gjashtëfishin e pensionit bazë, me miratimin e draftit të ri kjo masë do të pësojë një ulje drastike. Vetëm për këtë kategori do të ketë një pension katërfish më të ulët. “Masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se: gjashtëfishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti, sipas përcaktimit të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, për ushtarakët që mbajnë gradën ‘Gjeneral’”, - thuhet në ligjin që duhet të zbatohej aktualisht për këtë kategori. Ndërsa për kolonelët ndryshimi do të sjellë edhe trefish pension më të ulët dhe më pas, në varësi të gradës, do të parashikohet edhe masa e përfitimit për të tjerët.
Të përbashkëta
Specialistët kanë rënë dakord që duhet të vazhdojë të mbetet e pandryshueshme masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësohen kushtet e caktuara. Kjo duhet të jetë 50 për qind e pagës referuese. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese mesatare. Po kështu, e njëjta procedurë është ndjekur edhe për momentin kur ish-ushtarakut duhet t’i ndërpritet pensioni i parakohshëm. Për këtë rast edhe në draft është parashikuar që pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv. Edhe për rastet kur ish-ushtarakët punësohen në vende të tjera pune ata kanë të drejtë të përfitojnë vetëm masën në lekë sa një pension bazë.
Ishte
Masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi
1. Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi është 50 për qind e pagës referuese.
2. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese.
3. Masa e pensionit të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se: a) gjashtëfishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti, sipas përcaktimit të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për ushtarakët që mbajnë gradën “Gjeneral”;
b) pesëfishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti, sipas përcaktimit të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për ushtarakët që mbajnë gradën “Kolonel”;
c) katërfishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti, sipas përcaktimit të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për ushtarakët që mbajnë gradat “Major” dhe “Nënkolonel”;
ç) trefishi i pensionit bazë, në datën 1 janar të çdo viti, sipas përcaktimit të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, për të gjithë ushtarakët e tjerë.
4. Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv.
5. Në rast të punësimit të ushtarakut, përfitues në sektorin publik, masa e përfitimit nga pensioni i parakohshëm, për vjetërsi shërbimi, do të jetë sa një pension bazë në shkallë vendi.
6. Në rast punësimi në vende të tjera pune gjatë kësaj periudhe, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi të jetë deri në kompensimin e pagës mbi të cilën është llogaritur kjo pagesë dhe jo më shumë se masa e përcaktuar në pikën 3 të këtij neni, por, në çdo rast, jo më pak se masa e pensionit bazë në shkallë vendi.
7. Periudha për të cilën ushtaraku përfiton pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, njihet si periudhë sigurimi për efekt përfitimi pensioni të plotë pleqërie, sipas pikës 2 të nenit 58 të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”. Kontributi për këtë kategori përballohet nga buxheti i shtetit dhe derdhet mbi bazën e pagës referuese mbi të cilën është llogaritur pensioni i parakohshëm, por në çdo rast brenda kufijve të pagës minimale dhe maksimale, të indeksuar me koeficientet e indeksimit të pensioneve”.
Do të bëhet
Pesë propozimet e paraqitura në draftin e ri
Masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, kur plotësohen kushtet e caktuara, është 50 për qind e pagës referuese. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës referuese mesatare.
Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës më sipër në kohën që lind e drejta për përfitimin nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", për ushtarakët që nuk kanë paguar kontribute shtesë.
Nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave për efekt të zbatimit të Ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", shtuar me 2 për qind të pensionit maksimal për çdo vit që ushtaraku ka paguar kontribute shtesë, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit maksimal.
Pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi ndërpritet kur ushtaraku përfitues rikthehet në shërbimin aktiv.
Në rastin kur përfituesi i pensionit të parakohshëm punësohet në vende të tjera pune, masa e pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi bëhet sa një pension bazë.
Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, që nxirren në rezervë, kanë të drejtë të marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi deri kur plotësojnë kushtet për pension të plotë pleqërie, sipas Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë"
14 Nentor 2008