Zhvillohet normalisht seanca e radhës, injorohet greva e 11 deputetëve
Eljona Ballhysa
Kuvendi i ka zhvilluar dje punimet normalisht, pavarësisht grevës së 11 deputetëve. Megjithëse seanca filloi rreth dy orë me vonesë, ligjvënësit kanë miratuar katër projektligjet që ishin parashikuar në rendin e ditës. Punimet e seancës së djeshme janë zhvilluar në sallën ku ndodhen të ngujuar prej katër ditësh 11 deputetët e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe të Partisë Demokristiane. Të 11 deputetët ishin të vendosur poshtë podiumit të ministrave, ndërsa kishin varur dhe një banderolë, ku shkruhej: “Vota është e shenjtë”. Deputetët grevistë kanë treguar se janë të vendosur për të qëndruar deri në fund për të protestuar kundër ndryshimeve që i janë bërë Kodit Zgjedhor. Ndërkohë që gjatë diskutimit të lirë prej 60 minutash grevën e deputetëve e mbështetën deputetë të partive të vogla, ndërsa dy partitë e mëdha vendosën ta injoronin atë, duke mos mbajtur asnjë qëndrim.
Thirrja
Deputeti i LSI-së, Dritan Prifti, u bëri thirrje kolegëve deputetë që të arrihet një marrëveshje për Kodin Zgjedhor. Ai u shpreh se nuk duhet të lejohen dy partitë e mëdha që të monopolizojnë procesin zgjedhor. “Nuk është normale mënyra si trajtohet kjo seancë, sikur nuk po ndodh asgjë. Ne jemi betuar përpara Kushtetutës dhe nuk mund të lejojmë dhunimin e zgjedhjeve. Edi Rama dhe Sali Berisha po përdorin votat për të bërë një reformë zgjedhore përjashtuese, ndryshe nga rekomandimet e ndërkombëtarëve, të cilët kanë vënë theksin shpeshherë në domosdoshmërinë e miratimit të një Kodi Zgjedhor gjithëpërfshirës. Nuk e kuptoj, ç’të keqe ka që numërimi i votave të jetë transparent dhe me pjesëmarrjen e partive politike në këtë proces? Pse duhet monopolizuar ky proces kaq i rëndësishëm?” - është shprehur deputeti Prifti. Ai gjithashtu akuzoi ish-truprojën e kryeministrit Berisha, Agron Koliqi, për keqtrajtimin e protestuesve një natë më parë. Sipas Priftit, janë rrahur nga Koliqi fëmijë dhe gra gjatë protestës. Nikollë Lesi iu drejtua deputetëve të Partisë Socialistë që të reagojnë. Ai u shpreh se pas zgjedhjeve politika do t’i rikthehet sërish Kodit Zgjedhor për ta ndryshuar, ashtu sikurse kërkojnë deputetët grevistë. “Ky Kod Zgjedhor nuk duhet kaluar kështu si ka ardhur. Unë do të votoj kundër tij. Të gjitha partitë duhet të jenë dëshmitare të administrimit të votës. Çfarë opozite jeni ju që jeni të përçarë? Ilir Meta ka qenë kryeministri juaj dhe ju sot nuk jeni të bashkuar. Po të ishte Sali Berisha në opozitë, ju fshinte përpara. Ju nuk e meritoni të vini në pushtet në 2009-n, pasi jeni të përçarë. Është absurde të jesh në opozitë dhe të jesh i përçarë. Ai burri edhe katër vjet do ta mbajë pushtetin, se ju nuk e meritoni, ju po shisni Ilir Metën”, - është shprehur Lesi. Edhe deputeti Spartak Ngjela e cilësoi grevën një sakrificë në mbrojtje të Kushtetutës. “Tirania nuk lëshon pe pa forcë. Është turp që opozita bashkon votat me maxhorancën dhe nuk e kryen funksionin e saj kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Kushtetutës”, - është shprehur Ngjela. Sipas tij, greva e deputetëve do t’ia vlejë, ndërsa kërkoi edhe sensibilizimin e shoqërisë në mbrojtje të votës. Deputeti Durim Lamaj dhe deputeti i PAA-së, Petrit Gjoni, dolën në mbështetje të grevës dhe u bënë thirrje dy partive të mëdha që të ndryshojnë Kodin Zgjedhor.
Reagimi
I vetmi që reagoi nga dy partitë e mëdha ishte nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe. Ai i hodhi poshtë akuzat për një marrëveshje bashkëpunimi midis PS-së dhe PD-së për Kodin Zgjedhor, ndërsa bëri të ditur se PS-ja do të punojë vetëm në mbrojtje të interesave të veta dhe të asnjë partie tjetër. “Partia Socialiste ka hyrë në procesin e hartimit të Kodit Elektoral me synimet e saj brenda kritereve demokratike dhe sugjerimeve të ndërkombëtarëve që monitorojnë dhe certifikojnë zgjedhjet. Mbi interesat e PS-së nuk do të vëmë interesat e askujt tjetër”, - është shprehur Braçe, ndërsa ka theksuar se nuk ka asnjë pazar me Sali Berishën. “Berisha ka qenë, është dhe do të mbetet kundërshtari ynë edhe për pak muaj, sepse nuk do të jetë më. Pas qershorit të 2009-s do të jetë një njeri që ne do i përmbushim kërkesat si çdo pensionisti tjetër”, - tha Braçe, duke sqaruar se opozita është në sallë për të bërë detyrimin kushtetues. Ndërsa nga Partia Demokratike nuk ka pasur asnjë reagim. Madje deputetët u shprehën se nuk kishin asnjë informacion nga drejtuesit e partisë se çfarë qëndrimi do të mbahet ndaj grevës. Sipas tyre, i vetmi që vendos për një çështje të tillë është kryetari dhe kryeministri Sali Berisha. Pas pikës së parë të rendit të ditës, deputetët kanë vazhduar me pikat e tjera, duke miratuar katër ligje midis të cilëve dhe ligjin për Avokaturën e Shtetit.
Greva nxjerr në pah cinizmin parlamentar
Ata që në çdo grevë urie të minatorëve, të të papunëve, të të sëmurëve, të ish-ushtarakëve, apo të çdo shtrese në nevojë që ka vendosur të protestojë në këtë formë, kanë qenë të parët që kanë rendur për të treguar në dukje dhe në sytë e kamerave televizive mbështetjen e tyre; pikërisht ata treguan dje një anë tjetër të fytyrës së tyre: cinizmin. Ajo që ndodhi dje në Parlament ishte një cinizëm parlamentar. Deputetët arritën të injoronin nismën e ndërmarrë nga kolegët e tyre. Me përjashtim të disa deputetëve, pjesa tjetër ulën kokat dhe me vendosmëri stoike respektuan vendimin politik të lidershipëve të partive respektive. Harruan mbështetjen morale që jepet në të tilla raste. Ata harruan ose u detyruan të harronin të silleshin si qenie humane vetëm e vetëm për të mos rrezikuar etiketimin “doli kundër kryetarit”. Kjo pasi zgjedhjet parlamentare janë shumë pranë. Të vetmit që mbështetën kolegët deputetë ishin anëtarë të partive të vogla, ata të cilëve u rrezikohet karrigia e deputetit. Ndërsa të tjerët ulën kokat. Por kjo nuk ndodh gjatë proceseve zgjedhore. Në zhvillime të tilla të gjithë ngrënë zërin në mbrojtje të votës së lirë dhe vullnetit të elektoratit. Por dje të gjithë heshtën, madje shkuan më tej dhe bënë sikur asgjë s’kishte ndodhur. Dy partitë e mëdha me cinizëm vendosën të zhvillojnë një seancë normale parlamentare duke harruar se kolegët e tyre prej katër ditësh janë ngujuar në sallën e Kuvendit, pikërisht për të mbrojtur votën e lirë dhe për të sanksionuar një standard që nuk duhet të preket në Shqipëri. Ata prej katër ditësh kanë negociuar vetëm për t’i nxjerrë kolegët grevistë jashtë sallës së Kuvendit, por nuk kanë negociuar për asnjë kërkesë të tyren. Madje kanë treguar se janë të vendosur të mos marrin parasysh kërkesën e kolegëve grevistë. Janë po këta deputetë që ndoshta nesër do të dalin sërish në kamera, në mbështetje të grevave të ardhshme të urisë që do të zhvillohen nga shtresa në nevojë, që përbëjnë elektorat.
14 Nentor 2008