Drafti i ri, pagë shtesë për punonjësit e profesioneve të vështira
Jonida Tashi
Punonjësit e profesioneve të vështira do të përfitojë një pagë shtesë mujore. Ministria e Financave nuk ka pranuar të ulë moshën e daljes në pension për minatorët, pasi kjo do të sillte prishje të skemës së sigurimeve, ndaj është gjetur si zgjidhje mënyra e dhënies së pagesës shtesë, si kundërpërgjigje për të plotësuar kërkesat e punonjësve të nëntokës. Kështu, pas protestave të herëpashershme të minatorëve, për të ulur moshën e daljes në pension, Ministria e Ekonomisë ka hartuar një projektligj të ri, “Për trajtimin e veçantë të minatorëve dhe punonjësve të tjerë që kryejnë punë të vështira”. Sipas draftit të ri, të përgatitur nga Ministria e Ekonomisë, që pret vetëm firmën e kreut të qeverisë, Sali Berisha, parashikohet që mbi 3 mijë persona që i përkasin 117 profesioneve të vështira, edhe pse nuk do të dalin më herët në pension, mund të përfitojnë pagesë shtesë mujore.
Përfituesit
Zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali, i pranishëm në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Punës, ka sqaruar disa nga detajet e projektligjit tw ri, pwrfshirw edhe kategoritë pwrfituese. “Përfitojnë ata minatorë që kanë mbi 15 vite punë nën tokë, si dhe ata punonjës të tjerë të industrisë së naftës e industrisë kimike, të cilët duhet të kenw 26 vite pune dhe të kenë paguar siguracion”, - ka sqaruar zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali. Sipas tij, pagesa nuk do të jetë më e ulët se pensioni minimal dhe jo më e lartë se dy pensione të tilla. Ndërsa përsa i përket mënyrës së sigurimit të parave, fondi për të financuar pagesat shtesë nuk do të jetë pjesë e buxhetit të shtetit. “Për fondin do të kontribuojnë punëdhënësit, punëmarrësit, sindikatat dhe qeveria me 2 për qind të rentës minerare”, - u shpreh Alibali. Në kategorinë e dytë të punonjësve që do të përfitojnë pagë shtesë për shkak të vështirësisë së punës janë klasifikuar profesionet e naftëtarëve, të cilët, megjithëse kanë vështirësi pune të mëdha nuk mund të përfitojnë trajtim të veçantë. Një tjetër kategori punonjësish që do të përfitojnë nga drafti i ri do të jenë edhe ata të industrisë kimike, të cilëve, ekspozimi ndaj lëndëve të ndryshme kimike u kanos disa rreziqe shëndetësore. Zëvendësministri i Ekonomisë, Neritan Alibali, ka siguruar se draft-ligji ka përfunduar dhe është dorëzuar për miratim në Këshillin e Ministrave. Sipas tij, në të janë pasqyruar edhe kërkesat e sindikatave.
Mbledhja
Ministri i Punës, Spiro Ksera ka mbledhur dje Këshillin Kombëtar të Punës, në të cilin janë diskutuar disa çështje që kanë të bëjnë me jetën e punëmarrësve si siguria dhe shëndeti në punë, projektligji “Për profesionet e vështira” dhe barazia gjinore në marrëdhëniet e punës. Ministri i Punës, në funksionin e kryetarit të këtij këshilli, u raportua dhe diskutua rreth rolit të Inspektoratit Shtetëror të Punës në drejtim të sigurisë e shëndetit në punë, pas hyrjes në fuqi të ligjit në shkurt të këtij viti, zbatimit të ligjit “Për barazinë gjinore në marrëdhëniet e punës” dhe, me kërkesë të përfaqësuesve të punëmarrësve (sindikatave), projektligji “Për profesionet e vështira në Republikën e Shqipërisë”. Përsa i përket shëndetit në punë, sipas kryeinspektores të Inspektoratit Shtetëror të Punës, Vikrita Çuto, është bërë progres në drejtim të forcimit të kontrollit për sigurinë e shëndetin në punë, ndër të cilat ajo veçoi rritjen e numrit të inspektimeve në vitin 2009 krahasuar me 2008-n, me 1304 më shumë, nga të cilat, 3 herë më shumë inspektime në subjekte që paraqesin rrezikshmëri të lartë për punëmarrësit si: karriera, gaz, elektricitet etj. Më tej ajo ka deklaruar se paralelisht është rritur edhe ndërgjegjësimi i sipërmarrjes dhe kjo reflektohet edhe rritjen në masën 30%, vetëm në 3 mujorin e parë të vitit 2010, të numrit të mjekëve të ndërmarrjes. Nga ana e tyre, punëdhënësit, që ishin të pranishëm në mbledhje kërkuan që aktet nënligjore që po përgatiten në zbatim të ligjit “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, para se të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave, të konsultohen me grupet e interesit dhe, paralelisht, të fillojë puna për përgatitjen e manualeve teknike për marrjen e masave të sigurimit teknik për degë të veçanta të ekonomisë.
Tregu i punës, gratë paguhen 20% më pak se burrat
Femrat shqiptare vazhdojnë të jenë të diskriminuara në tregun e punës, jo vetëm në pozicionet që kanë, por edhe në pagesë. Ndonëse prej tre vitesh kemi në fuqi një ligj “Për barazinë gjinore” ai ende nuk i ka dhënë frytet e veta përsa i përket diskriminimit të grave në tregun e punës. Drejtoresha e Politikave të Shanseve të Barabarta në Ministrinë e Punës, Alma Marku, thekson se përfaqësimi i grave në marrëdhëniet e punës është ende problematik dhe se ende gratë ndjehen të diskriminuara në pagë në krahasim me burrat. “Sipas anketës së forcave të punës INSTAT 2008, rezulton se raporti i diferencës në pagë së femrave me meshkujt është 19,15%”, - pohon Marku. Sipas saj, kjo diferencë në pagë ndodh pasi pozicionet drejtuese dominohen nga meshkujt dhe shpërblimet që ata marrin janë shumë më të larta se të grave. Me qëllim ndryshimin e situatës, ditën e djeshme në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës u prezantuan edhe disa rekomandime si: hartimi i rregulloreve të ndërmarrjeve lidhur me trajtimin e çështjeve të ngacmimit seksual në marrëdhëniet e punës, ndërhyrje në legjislacionin e punës për kombinimin e përgjegjësive familjare me pjesëmarrjen në punë të tilla si oraret fleksibël për punonjësit me përgjegjësi familjare dhe leja prindërore për baballarët, etj.
Kërkesat e minatorëve
Miratimi i Statusit të Minatorit
Anulimi i vendimit për shtrenjtimin e energjisë, ujit të pijshëm dhe telefonisë
Përmirësimi i kushteve të punës dhe pagave
Përfitime shtesë për kushtet e punës
Ulja e moshës së pensionit deri në 50 vjeç
Për punonjësit që kanë mbi 10 vjet punë, pensioni minimal të jetë 25 mijë lekë
Rritja e pagave minimale për shkak të vështirësisë së punës
9 Qershor 2010