Qeveria dështon me politikat e punësimit, numri i të papunëve, në rritje
Qeveria ka dështuar totalisht me politikat e saj për punësimin e sa më shumë të papunëve në vend, përsa numri i këtyre të fundit, jo vetëm që nuk është ulur por ka ardhur në rritje nga viti në vit. Ky fakt vërtetohet edhe nga të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave, të cilat dëshmojnë se politikat për nxitjen e punësimit kanë dështuar. Në vitin 2005 qeveria e sapokrijuar e shpalli punësimin si një nga prioritetet absolute të saj. Në programin qeverisës të asaj kohe shkruhej “në projektin për ndryshim, mazhoranca e re dhe qeveria e saj synojnë të krijojnë mundësi për punësim të çdo shqiptari. Papunësia afatgjate dhe e pashpresë, si urbane dhe rurale, trashëguar nga qeverisjet socialiste, përbën një kërcënim serioz social dhe një barrierë për zhvillimin e vendit”. Por sot, krahasuar me vitin 2005, numri i atyre që aktualisht kanë një punë, sipas shifrave të INSTAT-it, është 33 mijë vetë më i ulët. Në vitin 2007 për të nxitur punësimin, një nga masat kryesore që shpalli qeveria ishte përgjysmimi i taksave të punës. Krahasuar me tre vjet më parë sigurimet për bizneset janë ulur nga 31 për qind e pagës bruto në 15 për qind të saj. Për të njëjtën periudhë numri i të punësuarve jo vetëm që s’u rrit, por ka rënë me 40 mijë vetë. Në fakt, rënia e numrit të punësuarve ka ardhur si pasojë e zvogëlimit të administratës dhe rillogaritjes së të punësuarve në sektorin bujqësor. Por nga ana tjetër, të dhënat dëshmojnë se edhe biznesi privat nuk po krijon vende të reja pune. Krahasuar me fundin e 2007-ës, numri i të punësuarve në bizneset private jobujqësore është rritur me vetëm 6600 vetë, kur paradoksalisht për të njëjtën periudhë, INSTAT-i thotë se janë hapur rreth 30 mijë ndërmarrje të reja. Ekspertët thonë se ekonomia shqiptare edhe pse rritet nuk prodhon punësim, një problem ky që ka prekur shumicën e vendeve të rajonit. Sipas tyre, kjo situatë mund të shndërrohet shumë shpejt në një problem që prek jo vetëm mirëqenien e qytetarëve, por edhe financat e qeverisë dhe sistemin e pensioneve, përmes të ardhurave të munguara dhe rritjes së fondeve mbrojtjen sociale.
9 Qershor 2010