Sudan, gazetarja në burg se veshi pantallona
Një gazetare sudaneze do të vuajë dënimin me burg vetëm se ka veshur pantallona, të cilat në këtë vend janë ende ekskluzivitet i meshkujve. Lubna Ahmed Husein mori një dënim prej 200 dollarësh, por tha se nuk do të paguajë asnjë qindarkë. Kështu i mbetet ta shlyejë veshjen e pantallonave me burg, ku është transferuar tashmë. Kjo çështje kishte ndezur diskutime në të gjithë botën, ku nisën fushata solidariteti për të. Gjyqi u mbajt me dyer të mbyllura. "Ne e dimë se nuk është fajtore", tha zyrtari Yasir Arman, anëtar i Lëvizjes Popullore për Çlirimin e Sudanit. Sipas Arman, dënimi është antikushtetues. Gjykata vendosi se nëse gazetarja nuk paguan gjobë, do të kryejë një muaj burg. Gruaja, që punon në gazetën e majtë "el-Sahaf", më 3 korrik u arrestua në një restorant vetëm sepse kish veshur një palë pantallona nën një tunikë. Ajo u akuzua për sjellje 'të turpshme' sipas nenit 152 të Kodit Penal të Sudanit.