E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tërmeti, shpërndarja e çadrave nisi me vonesë



Habjon Hasani

Tiranë - Grupet e Shtabit të Përgjithshëm të Emergjencës Civile paraditen e djeshme nisi shpërndarjen e ndihmave materiale, veshje e çadra, por edhe ushqime për banorët e dëmtuar nga tërmeti i fortë që ra natën e kaluar në qarkun e Dibrës. Ndihmat e para që u transportuan me helikopter kanë mbërritur në Gjoricë. Ndihmat konsistonin në ushqime dhe veshje, por janë vërejtur mangësi të theksuara në pajisjen me çadra të banorëve që ngelën të pastrehë. Situata e krijuar në këtë zonë në verilindje të vendit po ndiqet nga afër nga zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, së bashku me drejtues të lartë të këtij dikasteri. Poni ishte i pranishëm edhe në mbledhjen e Shtabit të Emergjencës Civile në Dibër, ku mësohet se u vendos mbi planin e punës për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, dhënien e ndihmës për banorët e dëmtuar, mirëfunksionimin e strukturave shtetërore si spitalet, policia, ndërmarrjen e rrugëve, entin e elektrikut etj. Ndërsa janë lënë porosi për kryetarët e komunave për të raportuar mbi situatën e verifikuar në terren. Poni bëri të ditur se grupet e punës po punojnë në komunat e Gjoricës dhe Shupenzës, duke shpërndarë ndihma me helikopter për banorët e dëmtuar. Ai rikonfirmoi dhe një herë se nga tërmeti nuk ka pasur të lënduar në njerëz, përjashto tre raste të lehta, kur tre personave iu është dhënë ndihma mjekësore në spitalin e Dibrës, dhe më pas janë larguar në shtëpitë e tyre. Poni theksoi dhe angazhimin e madh të të gjitha institucioneve në përballimin e situatës pas tërmetit të fortë me epiqendër në Gjoricë të rrethit të Dibrës, por që u ndje edhe në disa zona të Shqipërisë.
Helikopterët
Nëpërmjet një deklarate për shtyp të publikuar dje paradite, Ministria e Brendshme informon për disa shtëpi të dëmtuara plotësisht në komunën Gjoricë dhe Ostren, si dhe disa banesa të tjera me dëmtime të rënda dhe të lehta në komunat Gjoricë, Shupenzë, Ostren dhe Trebisht. “Ministria e Brendshme ka vënë në dispozicion dy helikopterë për transportin e të gjitha ndihmave që do të nevojiten. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile në bashkëpunim me drejtuesit e pushtetit vendor po bën verifikimet e dëmeve të shkaktuara. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale ka gati të gjithë ndihmën që do të nevojitet në materiale dhe ushqime për banorët e dëmtuar", - sqaron deklarata për shtyp e kësaj ministrie. Nga ana tjetër, kreu i Shtabit të Emergjencave, Alfred Olli, përsëriti dje se tërmeti nuk ka shkaktuar asnjë viktimë. “Fatmirësisht nuk ka viktima në njerëz, ndërsa një ekip i emergjencave është dërguar që herët në mëngjes dhe po bën vlerësimin e dëmeve. Në orën 10:00 të ditës së djeshme është bërë dhe mbledhja e Shtabit të Emergjencës për të vendosur mbi masat që do të merren për të përballuar situatën.
Tërmeti
Instituti Sizmologjik thotë se lëkundja e parë ka zgjatur 15 sekonda dhe më pas kanë vazhduar 59 lëkundje të tjera me intensitet më të vogël. Tërmeti ka pasur epiqendër komunën Gjoricë, 19 km larg Peshkopisë, ndërsa lëkundjet me fuqi 5.4 ballë janë ndjerë edhe në Tiranë dhe Durrës. Banorët e kanë kaluar natën jashtë pasi vazhdimisht janë ndjerë lëkundjet. Lëkundja e fundit është shënuar në orën dje pasdite. Fatmirësisht nuk është shënuar ende asnjë viktimë ndërsa nga 1200 banesa që ka gjithsej kjo komunë 1000 prej tyre janë të plasaritura. 6 shtëpi janë të shembura plotësisht. Në disa fshatra te këtyre komunave është ndërprerë edhe energjia elektrike, fakt ky që është konfirmuar nga disa kryetarë komunash të kësaj zone.

Tërmeti, PS: Qeveria dhe vendorët tanë të tregohen vigjilentë

Partia Socialiste ka dalë dje me një deklaratë për shtyp lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së dielës në qytetin e Peshkopisë, i cili u godit nga një tërmet me magnitudë 5.2 shkalla Rihter (dhe 7 ballë në epiqendër në rrethinat e Peshkopisë). Në deklaratën për shtyp të selisë rozë shprehet mbështetja dhe solidariteti i saj me familjet e fshatrave të tronditura nga lëkundjet dhe që në të njëjtën kohë kanë pësuar dëme materiale. Partia Socialiste u bëri thirrje autoriteteve përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për të stabilizuar situatën në zonat më të goditura dhe për të dhënë ndihmën e nevojshme ndaj familjeve të dëmtuara. “PS-ja u bën thirrje të gjitha qeverive vendore socialiste të vihen në kontakt me drejtuesit lokalë të zonës së dëmtuar dhe të kontribuojnë për gjithçka nevojitet”. Kështu mbyllet dhe deklarata për shtyp e selisë rozë.

Berisha: “Qeveria do të zhdukë çdo dëm të shkaktuar”

I ardhur me helikopter, kryeministri Berisha është ndalur pikërisht në epiqendrën e rënies së tërmetit 7,2 ballë të shkallës Rihter, fshatin Gjoricë, ku dhe është njohur me dëmet e shkaktuara si dhe ka parë nga afër dëmet në disa banesa, por ka vizituar dhe njerëzit që janë të detyruar të qëndrojnë në natyrë, pasi u janë shembur thuajse tërësisht banesat, dhe të tjerë që u frikësohen lëkundjeve të tjera. Pasi është përshëndetur nga banorët e këtij fshati, Berisha, i shoqëruar nga deputeti i zonës, Selami Xhepa, zv/ministri i Brendshëm Ferdinand Poni dhe prefekti i Dibrës, Xhafer Seitaj, ka marrë pjesë në një takim me Shtabin e Emergjencave Civile të ngritur në shkallë prefekture dhe ku kanë marrë pjesë të gjithë drejtuesit vendorë të këtij qarku. Berisha kërkoi të njihej me gjendjen nga vetë drejtuesit vendorë dhe të pranishëm të tjerë, duke e konsideruar si njohje me rezultatet paraprake, ndërsa më pas do të jenë komisione të posaçme shtetërore që do të saktësojnë gjithçka në lidhje me pasuritë e paluajtshme. "Mbrëmë e kam ndjekur gjithë kohën përmes mediave këtë katastrofë, por që fatmirësisht nuk pati viktima. Ne jemi mësuar që të tilla katastrofa t'i kalojmë bashkërisht", - ka deklaruar kryeministri Berisha, i cili ka sugjeruar që shumë prej banorëve të mund të strehohen tek të afërmit në Tiranë apo të gjejnë shtëpi me qira, të cilat do t’ua paguajë qeveria, ndërsa po studiohet një vend për të ngritur një kamping me një sistem të nevojshëm urban shërbimesh, si ujë, energji elektrike etj. Berisha kërkoi vlerësim të saktë e të drejtë me ekspertë, ndërsa premtoi se qeveria do të zhdukë çdo dëm të shkaktuar.

Meta: “Do të synojmë kompensimin e shpejtë të dëmeve”

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një konference për shtyp u shpreh dje se ndiente keqardhje për familjet që pësuan dëme materiale dhe u dëmtuan nga tërmeti, duke premtuar se LSI-ja do të ndikojë për një kompensim sa më të shpejtë të dëmeve nga ana e qeverisë. “Dua të shpreh keqardhjen time të thellë për lëndimet në njerëz dhe dëmet materiale të pësuara dje si rezultat e një tërmeti, në mënyrë të veçantë në qarkun e Dibrës. Me këtë rast dua të shpreh solidaritetin tim dhe të LSI-së me të gjithë të dëmtuarit dhe njëkohësisht të inkurajojmë qeverinë dhe pushtetin vendor, si dhe njësitë e emergjencës për të kompensuar sa më shpejt këto dëme, dhe për të rivendosur normalitetin kudo. Me këta rast do të kërkojmë nga qeveria marrjen e të gjitha masave efikase në mënyrë që këto dëme të kompensohen sa më shpejt”, - deklaroi dje Meta.
Box
Specialistët: Ministria e Transporteve ka standarde të vjetra për sigurinë e ndërtesave
Pas lëkundjeve të tërmetit të mbrëmjes së të dielës në qarkun e Dibrës, lëkundje që kanë vijuar edhe ditën e djeshme, ndërsa specialisti i Sizmologjisë dhe Inxhinierisë Antisizmike, profesori i asociuar Llambro Duni, ka theksuar për problematikën, standardin e ndërtimeve të godinave të larta si dhe rrezikshmërinë e tyre. Sipas tij, “projektet që bëhen me iniciativa private janë tejet të dyshimta, pasi duhet të përkojnë me cilësinë e ndërtimeve. Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit duhet të realizojë ripërpunimin e standardeve të reja sipas Eurocod 8, pasi ai që ne përdorim është i vitit 1998 (KTP-N2-89). Në më shumë se 20 vite nuk është bërë asnjë ndryshim në lidhje me standardet në shkencat e Gjeologjisë, Gjeoteknikës apo Sizmologjisë – ku çdo tërmet është një sprovë për inxhinierët”, - ka shtuar Duni.

8 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›