E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti për SHISH-in, Withers përsërit qëndrimin e SHBA-ve: Jemi kundër



Eljona Ballhysa - Projektligji i qeverisë për Shërbimin Informativ Shtetëror vazhdon të mos ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këtë e konfirmoi dje ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, John Withers. I pyetur nga mediat gjatë vizitës që ai po zhvillonte dje në qytetin e Kukësit, Withers u shpreh se qëndrimi i SHBA-ve për ligjin e SHISH-it, vazhdon të jetë i njejtë, i shprehur zyrtarisht pak muaj më parë. Kjo do të thotë se drafti i futur një ditë më parë në rendin e ditës së seancës parlamentare nuk kishte marrë asnjë konsulencë nga ndërkombëtarët dhe vazhdon të kundërshtohet hapur nga SHBA-ja. Ashtu sikurse u shprehën, si përfaqësuesit e opozitës, edhe vetë përfaqësuesi i qeverisë, zëvendëskryeministri Meta, miratimi i këtij projekti pa marrë mbështetjen e NATO-s dhe SHBA-ve, mund të sjellë acarimin e marrëdhënieve mes tyre dhe Shqipërisë. Ndërkaq një ditë pas debatit të ashpër mes përfaqësuesve të maxhorancës dhe opozitës në seancë parlamentare, ende nuk bëhet e ditur nëse projektligji për SHISH-in do të futet për miratim në seancën e ditës së hënë ose do të shtyhet deri në muajin shtator, kur starton sesioni i ri parlamentar. Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme mësohet se nuk është mbledhur Komisioni Parlamentar për Sigurinë Kombëtare për të vazhduar diskutimin për këtë draft.
Qëndrimi
Përfaqësuesi më i lartë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, ambasadori Withers, një ditë pas debateve në Kuvend përsëriti qëndrimin kundër të SHBA-ve, ndaj projektligjit të qeverisë. Reagimi i parë i Withers ka qenë në mes të muajit mars të këtij viti, kohë kur maxhoranca e miratoi draftin në Komisionin e Ligjeve, gjatë një mbledhjeje sekrete ku nuk merrnin pjesë përfaqësuesit e opozitës. Gjatë një konference të posaçme për shtyp, Withers kërkoi që projektligji të shqyrtohet nga ekspertë ndërkombëtarë përpara se të kalojë për miratim në seancë parlamentare. Ai tha se ligji cenon pavarësinë e SHISH-it, e fut atë nën kontroll politik dhe dëmton imazhin e Shqipërisë. Ai kërkoi shtyrjen e votimit të këtij ligji dhe pranimin e ekspertizës së huaj. “Është jetike për SHISH-in të jetë profesional, i pavarur dhe i lirë nga ndërhyrjet politike. Ne jemi të shqetësuar që ky projektligj minon këto parime. Për më tepër, ky draft i jep SHISH-it përgjegjësi të tjera brenda vendit, që janë shqetësuese”, - u shpreh Withers. Ambasadori theksoi se Shqipëria ka punuar shumë për të përmirësuar imazhin e saj, por SHBA-të druajnë se projekti në formën aktuale po e dëmton këtë imazh. “Ne druhemi se ky projektligj në formën e tij aktuale po e dëmton këtë imazh. Ne e marrim këtë çështje shumë seriozisht”, është shprehur Withers ndërsa bëri thirrje për rishikimin e draftit nga ekspertë ndërkombëtarë. “Nxisim me forcë që ekspertë ligjorë ndërkombëtarë të lejohen të kryejnë një rishikim të gjithanshëm të projektligjit përpara se parlamenti të ndërmarrë ndonjë veprim të mëtejshëm. Është e domosdoshme që çfarëdo projektligji i tillë të përmbushë standardet ndërkombëtare në përputhje me detyrimet euro-atlantike të Shqipërisë”, është shprehur përfaqësuesi i SHBA-ve. Ai e cilësoi projektin të papranueshëm dhe bëri thirrje se SHISH-i nuk duhet të politizohet, por të jetë një institucion i pavarur dhe profesional. “Mendoj se e kemi treguar ku qëndrojnë shqetësimet tona kryesore. Çfarëdo shërbimi informativ duhet të mbetet profesional. Nuk duhet të politizohet. Duhet të ruajë pavarësinë si institucion. E kemi parë projektligjin, projektligjin e rishikuar. Vazhdojmë ta quajmë të papranueshëm në pikëpamjet që sapo përmenda. Shqipëria është një anëtare e re e NATO-s dhe ka aspirate për integrim të plotë euro-atlantik. Ndjejmë se ky projektligj e çon Shqipërinë në drejtimin e gabuar. Si miq, si miq të ngushtë të Shqipërisë, ne duam të ofrojmë këshillat tona për t’u siguruar që mikja jonë Shqipëria nuk do të vazhdojë në atë drejtim të gabuar”, është shprehur Withers. Ai shtoi se çështja projektligji për SHISH-in, nuk është thjesht një debat i brendshëm politik, por është një çështje me implikime ndërkombëtare. “Mendoj se çështja që duhet mbajtur parasysh është që ky nuk është thjesht një debat i brendshëm politik. Në kuardin e NATO-s dhe sipas marrëveshjeve dypalëshe, kjo është një çështje me implikime ndërkombëtare. Dhe, për pasojë, cilido qoftë diskutimi i brendshëm, është shumë shumë e rëndësishme që ekspertë ligjorë ndërkombëtarë të mund ta rishohin këtë projektligj gjerë e gjatë dhe me hollësi për t’u siguruar që ai përmbush komponentin ndërkombëtar të detyrimeve të tij. Vërtet që po e ndjekim nga afër diskutimin e brendshëm mbi këtë ligj dhe të gjithë deputetëve të të gjithë spektrit politik u kërkojmë të vlerësojnë pasojat e këtij ligji për interesat afatgjata kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë”, - është shprehur Withers.

Withers përshëndet vendimin e GJND-së për Kosovën

Gjatë vizitës së tij në Kukës, Withers u ndal të komentonte edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë, e cila quajti të ligjshme pavarësinë e Kosovës, duke i dhënë kështu mundësi shtetit më të ri të Ballkanit të fitojë betejën juridike me Serbinsë. “Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i ka dhënë fund çdo hamendjeje për statusin e Kosovës, ndaj dhe jam i gëzuar që sot ndodhem në Kukës”, - theksoi Withers. Ambasadori amerikan vuri në dukje se një nga gjërat me kryesore është miqësia dhe SHBA-të janë miq të ngushtë të shqiptarëve. Ndërsa nuk nguroi të theksonte se, “shpresonte për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës”.

24 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›