E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti për SHISH-in, LSI-ja: Vota jonë kundër nuk cënon marrëdhëniet me PD-në



Një ditë pas seancës maratonë të ditës së enjte, partitë politike vazhdojnë të mbajnë të njejtat qëndrime lidhur me projektligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Nënkryetari i Kuvendit, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço ka bërë të ditur dje se qëndrimi kundër i LSI-së për këtë draft nuk do të ndikojë në marrëdhëniet mes kësaj partie me Partinë Demokratike. “Duam që ky ligj, siç ka deklaruar edhe zoti Meta, të bëhet me miratimin dhe konsultimin e partnerëve tanë europianë”, - është shprehur Naço. Të vendosur për të penguar miratimin e draftit qeveritar për Shërbimin Informativ Shtetëror, socialistët komentojnë dhe votën e deklaruar kundër tij, të LSI-së. “Partia Socialiste ka marrë një vendim për të qëndruar fort në mbrojtje të marrëdhënieve kaq të mira në partneritet me SHBA-në dhe me NATO-n. Edhe qëndrimi i LSI-së është pikërisht një qëndrim i partisë së tyre për këtë rast për t’i dhënë të kuptojë edhe mazhorancës së Sali Berishës që nuk duhet në asnjë mënyrë të prishin këto marrëdhënie kaq të mira”,- tha deputeti socialist Taulant Balla. Ndërkohë prej demokratëve nga rradhët e të cilëve erdhen dhe 3 vota kundër projektligjit , nuk ka ardhur asnjë deklaratë për mosmiratimin e tij. Vetëm një ditë më parë në seancë parlamentare, zëvendëskryeministri, njëkohësisht, ministër i Jashtëm, Ilir Meta u deklarua kundër miratimit të draftit për SHISH-in. Sipas Metës projektligji në fjalë nuk ka marrë ende konsulencën e NATO-s dhe miratimi i tij do të ishte një veprim i nxituar që mund të sjellë pasoja në marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n dhe SHBA-në. Kjo është hera e dytë që LSI-ja del kundër qëndrimit të Partisë Demokratike. Pak kohë më parë deputetët e LSI-së votuan pro dekreve të Presidentit Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë, ndërkohë që deputetët e PD-së votuan kundër këtyre kandidaturave. Megjithatë qëndrimi ndryshe i LSI-së, duket se nuk ka sjellë ndikim në marrëdhënien e koalicionit qeverisës.

Berisha: “Serbia t’i përmbahet vendimit të Gjykatës së Hagës për Kosovën”

Kryeministri Berisha ka përshëndetur dhe njëherë gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për pavarësinë e Kosovës. Ai e cilësoi këtë një vendim që do të ndihmojë jo vetëm në proceset integruese të Kosovës, por edhe të Serbisë dhe rajonit të Ballkanit në tërësi. Gjithashtu Berisha bëri thirrje që qeveria e Serbisë të njohë dhe t’i përmbahet vendimit të kësaj Gjykate. “Kryefjala e ditës së sotme nuk mund të jetë tjetër veçse ajo që ka pushtuar mediat e botës, zemrën dhe mendjen e të gjithë shqiptarëve dhe miqve të tyre, kudo në botë. Për herë të parë në historinë mijëravjeçare të këtij kombi, e drejta shqiptare bëhet e drejtë botërore, e drejta e shqiptarëve ngrihet në piedestalin më të lartë të të drejtës së njerëzimit. Kjo ndodhi për të bërë të drejtën. E drejta e qytetarëve të Kosovës ishte unike në llojin e saj. Rasti i Kosovës ishte realisht një rast i paprecedent në historinë e Europës dhe të botës. Dhe kjo, sepse çështja e lirisë së qytetarëve të Kosovës u bë çështje lirie e axhendës së NATO-s”, - është shprehur kreu i qeverisë shqiptare. Ai shprehu bindjen se vendimi i gjykatës do të shtojë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtete të tjera, si dhe do të ndihmojë proceset integruese të shteteve të rajonit. “Gjykata ka gjykuar, siç e dëgjuam të gjithë vendimin, pavarësinë në raport me ligjin ndërkombëtar dhe e nxjerr plotësisht legale; pavarësinë në raport me rezolutën e Këshillit të Sigurimit për Kosovën dhe e nxjerr plotësisht të pajtueshme; pavarësinë në raport me kornizën kushtetuese të vendosur nga autoritetet ndërkombëtare në Kosovës dhe e nxjerr plotësisht të pajtueshme. E vërteta është se nuk ishin shqiptarët që e paraqitën çështjen në Gjykatë. Shqiptarët shpallën pavarësinë në të drejtën e tyre. Ata u paditën, por u paditën, në përputhje me ligjin dhe rregullin ndërkombëtar nga Serbia, e cila shfrytëzoi edhe ajo të drejtat ndërkombëtare. Unë shpresoj dhe besoj se pala paditëse do t’i përmbahet vendimit të Gjykatës, në interesin më të mirë të paqes dhe stabilitetin në rajon. Ky verdikt nuk mundej kurrsesi që të ndalonte një realitet të pandalshëm, të parikthyeshëm”, - është shprehur kryeministri, Berisha. “Uroj dhe dëshiroj që ky verdikt të ndihmojë procesin e integrimit europian Serbisë, Kosovës dhe të mbarë rajonit. Respektimi i tij përbën një bazë shumë solide për të promovuar e ndërtuar më tej idealet europiane, të cilat janë absolutisht ideale predominuese në mbarë popujt e këtij rajoni. Drejtësia u bë dhe në këtë kontekst, palët kanë detyrimin të nxjerrin të gjitha konkluzionet dhe të përpiqen që ta shndërrojnë atë në një vendim, me kontribut të madh në paqen e rajonit tonë”, - është shprehur kreu i qeverisë.

24 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›