E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti për amnistinë gati, bizneset do taksohen 3%

SHKRUAN: Sabina Veizaj 11-03-2011 11:43

Burime nga Ministria e Financave kanë bërë të ditur për MAPO se puna për draft ligjin e faljes së gjobave të biznesit në këto vite tranzicion është drejt përfundimit. Sipas tyre pritet një reagim nga opozita, që të vendoset përfundimisht se cili skenar i mundshëm të propozohet përfundimisht. Sipas njërit skenar, mendohet që falja të realizohet në masën 100 mln $, nga 400 mln $, që është shuma totale që pritet të amnistohet. Burimet nga financat thonë se sipas projektligjit që po përfundon, bizneset do të paguajnë një taksë prej 3 % të gjobave të papaguara. Ky variant ka të bëjë thjesht me faljen e gjobave, është më i realizueshëm duke marrë parasysh se nuk kërkon shumicë të cilësuar për miratim.

Sipas këtij skenari, do të falen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat për detyrimet e papaguara në dogana dhe tatime. Për çdo gjobë ose kamatë të papaguar, që do të falet, do të vihet 3% taksë. Dhe kjo lloj faljeje do të përjashtojë kapitalet. Nga ana tjetër, nëqoftëse do të ketë sinjale pozitive nga ana e opozitës për bashkëpunim dhe propozim amendamentesh, në lidhje me çështjen në fjalë, do të paraqitet skenari për një amnisti të plotë të të gjitha bizneseve. Burimet nga financat deklaruan për “MAPO” se grupi i punës, që po merret me draftligjin për amnistinë fiskale ka mbledhur grupet e interesit dhe kanë diskutuar duke vjelë mendime dhe sugjerime. Biznesi nga ana e tij kërkon amnisti të plotë. Por ky, si një ligj i rëndësishëm kërkon për t’u miratuar në kuvend shumicë të cilësuar, pra 3/5 e votave të përkthyer në 84 vota. Gjë që është e pamundur në kushtet aktuale të krizës politike. Sipas këtij varianti, nëqoftëse do të kryhet amnisti e plotë, do të ndodhë falja e gjithë taksave dhe legalizimi i gjithë kapitalit të biznesit. Kjo përkthehet në falje të borxheve, që kompanitë ose individët kanë ndaj administratës tatimore. Në këtë mënyrë, të gjithë taksapaguesit do të deklarojnë vullnetarisht pasuritë e paluajtshme dhe të tjerat të fituara brenda ose jashtë vendit. Por një pjesë e bizneseve druhen, se si do të arrijë qeveria t’i dallojë paratë e fituara jashtë sistemit fiskal, nga ato të krijuara në aktivitete të paligjshme, përfshirë edhe korrupsionin e politikanëve. Gjithashtu edhe kapitalet e krijuara në mënyrë të paligjshme mund të fitojnë amnisti dhe të përdoren për të ndërtuar biznese konkurrente me ata që i kanë paguar taksat. Në këtë mënyrë të paligjshme mund të fitohen shumë më tepër para se në mënyrë të ligjshme dhe të amnistuarit do të kenë më shumë kapitale sesa ata që nuk kanë kryer mëkate financiare. Prandaj, që amnistia fiskale të jetë e suksesshme, ajo duhet të zbatohet vetëm një herë, që zgjat disa muaj dhe mos të përsëritet kurrë; dhe, së dyti, të shoqërohet me forcimin e administrimit tatimor. Në shkurt të 2010-ës, qeveria deklaroi për një amnisti të mundshme fiskale e cila do të hapej dhe mbyllej brenda vitit 2010, për një kohë të shkurtër. Sipas ministrit të Financave, Ridvan Bode, kompanitë që kanë krijuar kapitale përmes evazionit fiskal, do të mund t’i shpëtonin ndëshkimit, duke paguar një taksë prej 10 %, ndërsa individët do të mund t’i shpëtojnë ndëshkimit, duke paguar një taksë edhe me të ulët se kaq. Qeveria dhe shoqatat e biznesit që e kanë propozuar amnistinë, kanë deklaruar se bëhet fjalë “vetëm për legalizimin e kapitaleve të krijuara pa paguar taksat”, ndërkohë që paratë e fituara në aktivitete kriminale do të vijojnë të trajtohen si të paligjshme e rrezikojnë sekuestrimin. Ndërsa dy ditë më parë, kreu i qeverisë Berisha deklaroi se ligji për amnistinë do të përjashtojë tërësisht amnistinë e taksave dhe legalizimin e kapitalit, që janë produkt i krimit dhe aktiviteteve terroriste.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›