E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhilla: Të bëhet amnistia e plotë, financat nuk na kanë kërkuar mendim

SHKRUAN: Sabina Veizaj 11-03-2011 11:45

Kreu i Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë, Ilir Zhilla ka deklaruar për “MAPO” se është në interes të të gjithë ekonomisë shqiptare, që procesi i amnistisë fiskale të kryhet totalisht. Pra, falje e gjithë taksave dhe legalizim i gjithë kapitalit të biznesit. Sipas Zhillës ka ardhur momenti që pas 20 vjetësh marrëdhënieje të ndërtuara mes biznesit dhe administratës shtetërore, kjo marrëdhënie është pjekur dhe ka ardhur momenti për t’u kryer procesi i amnistisë. “Amnistia nuk do t’i sjellë të mira vetëm komunitetit të biznesit, por të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe gjithë ekonomisë në tërësi, pasi pritet të çlirohen 400 mln dollarë. Të gjithë vendet e kanë kryer një proces të tillë. Vetëm Shqipëria jo, prandaj në emër të gjithë komunitetit të biznesit gjykoj se ka ardhur momenti që të kryhet falja totale” - u shpreh Zhilla për “MAPO”. Sipas tij, nëqoftëse kriza politike ndikon në realizimin e amnistisë së plotë, biznesi do të jetë dakord edhe për variantin e amnistisë së pjesshme që parashikon faljen e gjobave dhe detyrimeve. Ai u shpreh se askush nga Ministria e Financave nuk e ka thirrur komunitetin e biznesit për të biseduar për këtë çështje, përveçse një vit më parë, kur u shfaq si një mendim për një realizim të mundshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›