E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti për hapjen e kutive, Topalli: Do ta shqyrtojmë

Kryetarja e Kuvendit tha gjithashtu se ligji i dosjeve do të rishikohet, por duhet pakt me PS-në


TIRANË - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, shprehet e gatshme për shqyrtimin e projektligjit të përgatitur nga Partia Socialiste, që në thelb synon hapjen e kutive të votimit.


Drafti që deri më tani ka marrë mbi 10 mijë vota nga qytetarët, për kryetaren e Kuvendit mund të ishte paraqitur qoftë edhe nga një deputet, në rast se opozita do të ishte e pranishme në Kuvend."Padyshim, çdo iniciativë kushtetuese do të shqyrtohet në Parlament.


Por, unë mendoj që edhe aty kishte rrugë për këtë nismë. Ju e dini që në bazë të Kushtetutës dhe të ligjit nuk ka nevojë që t'i lodhin fare shqiptarët. Mjafton iniciativa e një deputeti për t'u shqyrtuar në Parlament. Rrugët kushtetuese, rrugët ligjore respektohen në Parlament,"- iu përgjigj dje Topalli, pyetjes lidhur me nismën më të fundit të PS-së.


Kryetarja e Kuvendit shtoi se, kjo nismë e Partisë Socialiste mund të realizohet vetëm nëpërmjet pranisë së opozitës në Kuvend. Pas takimit të zhvilluar dje me kryetarin e Senatit kanadez, Noel Kinsella, Topalli njoftoi se opozita do të ketë të gjithë hapësirën e duhur, që lejon ligji dhe Kushtetuta për të realizuar kërkesat e saj.


"Pres që opozita në vijë në Parlament, pres deputetët e zgjedhur nga shqiptarët, që i kanë ngarkuar detyrën e rëndësishme, që të bëjnë misionin e opozitarit dhe të jenë të pranishëm në Parlament.


Ata do të kenë të gjitha hapësirat që lejon Kushtetuta, ligji dhe gjithë fleksibilitetin e kryetares së Parlamentit për t'i respektuar në detyrën e tyre", - tha Topalli. Nga ana e tij, kryetari i Senatit të Kanadasë, Noel Kinsella, tha se nëse opozita duhet të shprehë shqetësimet e saj, ajo duhet ta bëjë në Parlament, pasi, sipas tij, ky është një nga funksionet kryesore të Parlamentit. "Ne përdorim fjalën Parlament, e cila do të thotë "me fol". Një nga kushtet për të folur është prania në Parlament.


Si Kryetar Parlamenti, unë inkurajoj të gjithë anëtarët e tij të vinë dhe të flasin në Parlament,"- tha Kinsela. Lidhur me mendimin e dhënë nga Komisioni i Venecias për ligjin e dosjeve, kryetarja e Kuvendit, vuri në dukje se nuk ishte njohur ende me këtë dokument dhe shtoi se respekton vendimin e gjykatave.


Sipas saj, detyra e deputetëve është krijimi i kompromisit për të respektuar vendimet e gjykatave. Por, që të arrihet kjo, sipas Topallit, duhet edhe prania e opozitës në sallën e Kuvendit.


"Nuk jam njohur ende me këtë dokument. Ne respektojmë vendimet e gjykatave, vendime të tilla të gjitha respektohen. Detyra e parlamentarëve është për të parë se çfarë hapësirash ka për mundësimin e kompromiseve më të gjera, për të respektuar të tilla vendime.


Kjo në të njëjtën kohë, kërkon një votë më të gjerë, kërkon praninë e opozitës në Parlament", - u përgjigj Topalli. Gjatë takimit me kryetarin e Senatit kanadez, Topalli e konsideroi vizitën e Kinsellës si mjaft të rëndësishme, duke theksuar se do të shikohet me shumë vëmendje fusha e bashkëpunimit me Kanadanë, për naftën, për gazin, për bankat, për telekomunikacionin, për infrastrukturën dhe edukimin.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›