E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e një fëmije, shkak i vrasjes së dyfishtë

BULQIZË/ Burime nga policia shprehen se dyshojnë se martesa e gjatë pa një fëmijë ka qenë shkak konflikti mes çiftit


BULQIZË - Një konflikt mes çiftit për mospasjen e fëmijëve besohet të ketë qenë edhe shkaku i vrasjes së dyfishtë, të ndodhur mëngjesin e së dielës në një banesë në lagjen "Minatori" të Bulqizës, ku janë gjendur të vrarë në banesë Bledian Bilali, 25 vjeç dhe gruaja e tij 19-vjeçare Arjeta Bilali.


Sipas dëshmisë së dhënë nga dëshmitari okular, i afërm i Bledianit, bashkëshortja ka qëlluar me pistoletë burrin e saj me dy plumba në kokë dhe më pas veten me të njëjtën armë duke e vënë grykën e pistoletës në gojë. Një gjë e tillë është verifikuar edhe nga ekspertiza.


Në të thuhet se mbetjet e lëndës plasëse pas qitjes kanë qenë afër trupit të viktimës, Arjetës, duke dhënë një përkufizim të pakundërshtueshëm shkencërisht se vrasja është kryer pikërisht nga ajo, si dhe më pas vetëvrasja.


Bledian Bilali ishte martuar me Arjetën prej disa vitesh dhe nuk kishin fëmijë. Ata kanë jetuar për disa kohë në Shkodër në banesë me qira, pastaj 25-vjeçari kishte ardhur të punonte në një firmë ndërtimi në zonën e Bulqizës, ndërsa së fundi merrej me grumbullim dhe shitje kromi.


Gjatë kohës së martesës ata nuk kanë pasur fëmijë, fakt që po e bën policinë të gërmojë rreth ndonjë shkaku të mundshëm zënke të fortë në mes çiftit, pikërisht lidhur me këtë mungesë në familjen e tyre.


Gjithashtu, burime nga blutë bëjnë të ditur se ka të dhëna se një gjysmë ore para aktit të vrasjes dhe vetëvrasjes, Arjeta ka folur për disa minuta me një njeri shumë të afërt të saj në telefon, person i cili nuk identifikohet nga blutë. Besohet se pas mësimit të bisedës së kryer, do të sqarohen edhe shkaqet që e çuan 19-vjeçaren në kryerjen e një krimi të dyfishtë.


Rrëfimi i disa fqinjëve të pallatit ku banonte çifti Bilali, se ata shkonin shumë mirë me njëri-tjetrin, ka ngritur edhe dyshimet tek hetuesit se mos një gjë e tillë ishte vetëm sipërfaqësore dhe se në të vërtetë mes tyre kishte një tjetër gjendje, tejet acaruese. Por sërish hetimet ngecin në bisedën e kryer nga Arjeta me të afërmin e saj vetëm gjysmë ore para krimit.
***

Dëshmitari i marrë në pyetje është lënë i lirë, ndërsa mësohet se ai ka qenë disa ditë në Bulqizë dhe ka fjetur natën e krimit tek banesa e çiftit Bilali, dhe ku, sipas tij, ka dëgjuar dhe krismat duke parë dhe skenën e vetëvrasjes së gruas, pasi kishte qëlluar mbi burrin e saj.


Por nuk dihet nëse ai ka sqaruar disa rrethana që kanë çuar tek kjo ngjarje tronditëse. Bledian Bilali, me origjinë nga Tërnova e Dibrës, prej 8 muajsh banonte dhe jetonte në Buqizë dhe merrej dhe me kromin, si sipërmarrës grumbullimi kromi në mënyrë private.


Ai ka pasur raporte bashkëpunimi dhe me një person tjetër, që dispononte sipërmarrje private tek kromi dhe që tashmë gjendet në paraburgim i akuzuar për "plagosje me dashje". Ndërkohë, trupi i dy viktimave është marrë nga njerëz të afërm të tyre nga Shkodra, duke mos preferuar të flasin asgjë për mediat.


Të dyja viktimat u varrosën në vendlindje, ndërsa gjithë qyteti i Bulqizës ka mbetur i shokuar pas kësaj vrasjeje të dyfishtë.

-----------------------------------------------

Familja e 25-vjeçarit nuk ka pranuar që nusja e tyre të dalë nga shtëpia e të shoqit


Shkodër, Blediani dhe Arjeta varrosen të ndarë


SHKODËR - Dy viktimat e së dielës në Bulqizë janë përcjellë të banesën e fundit të ndara nga njëra - tjetra. Bledian Gëzim Bilali, 25 vjeç, dhe Arjeta Bashkim Domni (Bilali) 19 vjeç, janë gjetur të vrarë në banesën e tyre në lagjen "Minatori" të qytetit të Bulqizës, ku dhe jetonin e punonin prej disa muajsh.


Trupat e tyre janë tërhequr nga familjarët përkatës dhe ceremonitë mortore janë zhvilluar të ndara nga njëra - tjetra dhe në orare të ndryshme.


Mësohet se ka qenë familja e 25-vjeçarit Bilali ajo që nuk ka pranuar që nusja e tyre të dalë e vdekur nga shtëpia e të shoqit, nisur dhe nga dëshmia e dhënë prej një të afërmi të tyre se ka qenë Arjeta ajo që ka vrarë të shoqin dhe pastaj veten.


Bledian Bilali është përcjellë në orën 16:00 të së hënës për në banesën e fundit, ndërsa Arjeta Domni (Bilali) në 16:30, nga shtëpia e prindërve të saj.


Të njohur të çiftit shprehen se janë tronditur nga ajo që ka ndodhur, pasi dy të rinjtë kanë shkuar mirë me njëri-tjetrin dhe nuk kanë pasur konflikte mes tyre.


Ndonëse refuzojnë të shprehen duke thënë se ngjarja është e rëndë dhe komentet janë të tepërta, të afërmit e vajzës shprehin dyshimet e tyre për versionin e dhënë, sipas të cilit Arjeta ka qëlluar bashkëshortin dhe më pas veten.


Sipas tyre, duhet që shteti të hetojë thellë dhe të zbardhë plotësisht ngjarjen duke mos lënë asnjë hije dyshimi mbi një version që mund të sjellë pasoja. "Janë dëgjuar versione të ndryshme dhe ajo që ka rëndësi tani është që të dalë e vërteta, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për dy njerëz që kanë vdekur.


Nuk është kaq e thjeshtë, sepse përveç jetëve të humbura të dy të rinjve që kishin vendosur të lidhnin bashkë jetën, dalin dhe probleme të tjera.


Ndaj duhet ditur se si dhe pse ndodhi, pasi gjithçka e ka një shkak. Është ndryshe të thuash se i ka vrarë një person dhe ndryshe se gruaja vrau burrin e pastaj veten.


Në rastin e dytë situata është më e rëndë dhe ja, ata përcillen të ndarë në varreza, nga shtëpi të ndryshme, pa folur për pasojat që mund të vijnë", shprehet një prej personave pjesëmarrës në ceremoninë mortore të Arjeta Domnit. Frikë është se në këtë rast mund të hapet edhe një konflikt gjakmarrjeje mes dy familjeve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›