E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti për makinat, Dule: Është abuzive. Nuk kemi as zyra

Kuvendi miratoi mbrëmë projektligjin për makinat. Kundër vetëm deputeti i PBDNJ-së.


TIRANË- Gjatë diskutimit në Parlament për projektligjin, "Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët e lartë dhe nëpunësit civilë", deputeti i vetëm opozitar në sallën e Kuvendit, Vangjel Dule, theksoi se miratimi i këtij ligji krijon hapësira abuzimi dhe në të njëjtën kohë cenon parlamentarizmin, ndërkohë që duhet një mbështetje gjithnjë e në rritje për deputetët.


"Pse cilësohen deputetët si e keqja e gjithë kësaj. Ky ligj krijon hapësira abuzimi. Jeta politike në Shqipëri nuk është normale. Me këtë ligj, qeveria po cenon parlamentarizmin, po cenon statusin e deputetit, ndërkohë që duhet një mbështetje gjithnjë e më e madhe për deputetët",- tha Dule.


Sipas kreut të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ky ligj për deputetët është tepër penalizues, pasi ai sjell një sërë problemesh për transportin e tyre për në Kuvend, por edhe jashtë tij. Madje, sipas Dules, Shqipëria është i vetmi vend, që po prodhon deputetë ambulantë, që nuk kanë edhe një zyrë të tyren për të shprehur dhe hartuar një mendim legjislativ.


"Është një ligj që është shoqëruar me populizëm ekstrem. Nuk mund të injorojmë një problem të madh, që jemi vendi i vetëm që kemi deputetë ambulantë, të cilët nuk kanë asnjë zyrë, asnjë sekretari, për të shprehur një mendim legjislativ",- tha dje Dule. Duke iu referuar Kodit Zgjedhor, dhe mandatet e deputetëve që ai prodhoi nga zgjedhjet e 28 Qershorit, Dule vuri në dukje se deputetët e rinj të Parlamentit, janë deputetë rajonesh.

Ai shtoi se, zyrtarët e lartë duhet të reflektojnë, sepse në këtë mënyrë, po krijohet një Parlament larg shoqërisë dhe problemeve të saj. " Sipas Kodit Zgjedhor, ne kemi deputetë rajonesh. T'i thërrasim arsyes se kështu do të krijojmë një Parlament larg shoqërisë. Ky Parlament duhet t'u krijojë kushte deputetëve", - u shpreh Dule.


Lidhur me shqetësimin dhe kundërshtimin e këtij ligji, reagoi edhe Kryeministri Berisha. Ai theksoi se ky ligj, nuk ka në qendër të tij deputetin. Sipas tij nuk ka vend të botës që nuk e ka këtë ligj dhe Shqipëria nuk mund të jetë i vetmi vend që të mos e ketë. Projektligji u miratua dje në Kuvend me 74 vota pro dhe një kundër të deputetit Dule.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›