Zgjedhjet e pjesshme, PBDNJ e gatshme të marrë pjesë
Sekretari i Përgjithshëm i PBDNJ-së, Leonard Solis, konfirmon pjesëmarrjen në zgjedhje
TIRANË - Edhe pse kanë kërkuar transparencën e zgjedhjeve të Qershorit, PBDNJ-ja vendos që të bëhet pjesë e zgjedhjeve të pjesshme të 15 Nëntorit. PBDNJ-ja do të zëvendësojë pikërisht anëtarët e munguar të socialistëve në të gjitha KZAZ-të që do të ngrihen për zgjedhjet në 5 njësi vendore.
"Zgjedhjet e pjesshme nuk janë pikë e nxehtë për PBDNJ-në. Ne mendojmë të marrim pjesë brenda të gjitha rregullave dhe t'u bëjmë thirrje zgjedhësve të marrin pjesë në votime. Edhe ne kërkojmë hapjen e kutive të votimit.
Mbrojmë bindjen se këto zgjedhje nuk arritën standardet dhe tjetërsuan vullnetin e popullit, por ne jemi gjithashtu në një bindje që bashkëfajtori për këtë devijim të rezultatit të votimit është edhe PS-ja. Ne jemi për hapjen e kutive të votimit, respektimin e institucioneve, pjesëmarrjen në Parlament dhe të mos bëhen kapriço, duke sabotuar institucionet", - u shpreh Solis.
Ndërkohë, në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, kryetari i institucionit zgjedhor, Arben Ristani, i bëri thirrje partive politike të opozitës që të zbatojnë detyrimin ligjor, pra të depozitojnë emrat e komisionerëve për KZAZ-të, duke lënë afatin e fundit të hënën e ardhshme. Në bazë të Kodit Zgjedhor, KZAZ-të përbëhen nga 7 anëtarë, nga të cilët 2 do t'i ketë PD-ja, 2 PS-ja, 1 LSI-ja dhe 1 PBDNJ-ja, ndërsa kryetari zgjidhet me short midis PD-së e PS-së.
Sipas Kodit, në rast se partitë nuk e ushtrojnë të drejtën për të paraqitur kandidaturat në afatin e përcaktuar, atëherë kjo e drejtë u takon automatikisht partive, që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend, pas të parave.
Në rastin konkret, kur PS-ja nuk i ka dorëzuar ende kandidaturat, i takon PBDNJ-së të ushtrojë këtë të drejtë. PS-ja ka deklaruar bojkotin e zgjedhjeve, pa u bërë transparenca e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Në 15 nëntor zhvillohen zgjedhje të pjesshme në disa komuna dhe në një njësi bashkiake në Tiranë, pas zgjedhjes së krerëve të tyre si deputetë të Kuvendit të ri