E Shtunë, 31 Tetor 2026

Homazhe për nder të Gjegj Zhejit

Shkrimtari, përkthyesi, studiuesi i letërsisë dhe kulturës shqipe, Gjergj Zheji u përcoll dje mes homazhesh për në banesën e fundit. Në këtë ceremoni morën pjesë krerët më të lartë të shtetit shqiptar. Presidenti i Republikës, z.Bamir Topi, kryeministri z.Sali Berisha,

ministra, deputetë, studiues dhe personalitete të larta të letrave shqipe dhe qindra qytetarë, nderuan jetën dhe veprën e gjatë në shërbim të kombit të Gjergj Zhejit. Në mesditë, në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit u zhvillua ceremonia e homazheve në nder të përkthyesit dhe studiuesit të shquar të letrave shqipe, Gjergj Zheji, i cili u nda dje nga jeta në moshën 84-vjeçare. Shkrimtar, përkthyes studiues i letërsisë dhe kulturës shqipe, Gjergj Zheji vlerësohet si një personalitet që ka vënë disa gurë themeli në ndërtesën e kulturës shqiptare. Presidenti Topi u shpreh se: Ndjehem i trishtuar, pasi është ndarë nga gjiri i familjes dhe shoqërisë një nga figurat më intelektuale të kombit, që do mbahet mend në memorien e kombit, jo vetëm si përkthyes me vlera të jashtëzakonshme, por edhe si hulumtues dhe studiues i rrënjëve të veprave më të çmuara të literaturës botërore. Kryeministri Sali Berisha duke nderuar përkthyesin dhe studiuesin e letërsisë dhe kulturës shqipe tha, se bota e mendimit shqiptar humbi një prej kolosëve të saj të vërtetë. Kryeministri Berisha la gjithashtu një shënim në librin e përshtypjeve për këtë figurë të shquar të letrave shqipe. Kreu u Qeverisë vlerësoi se "Gjergj Zheji i përkiste asaj elite shqiptare që me punën e tij pasuroi aq shumë letrat shqipe dhe bëri të flasin shqip kryevepra të letërsisë botërore". Gjergj Zheji nuk ishte vetem  një romancier e kritik letrar, por ai dha forcë përkthimit, krijoi gjuhën e artit, gjuhën e romanit. Rinoceronti nga Ionesco, Metafizika e dashurisë nga Artur Shopenhauer, Ekzistencializmi është humanizëm i Zhan Pol Sartit, Aventurat e Hekelber Finit i Mark Tuein, jane disa nga veprat e perkthyera prej tij. Gjithashtu një kontribut të jashtëzakonshëm zënë veprat  studimore te Zhejit, për folklorin, sepse ai e cilësonte atë filozofinë e popullit shqiptar. Veprat që la pas Gjergj Zheji do të kujtohet vazhdimisht nga të gjitha moshat, pasi ai i ka ofruar shumë shqiptarëve. 

Italian Dance Festival zbret në Durrës
Organizohet sot në Durrës finalja e konkursit për DJ si pjesë e sezonit të madh të aktiviteteve të Ambasadës Italiane. Gjatë kësaj mbrëmje në sheshin Taulantia do të luajnë finalistët e konkursit si edhe do të jenë të ftuar disa prej DJ më të mirë Italianë dhe Shqiptarë. Italian Dance festival është menduar si një konkurs i vërtetë midis DJ-ve të rinj më të talentuar nga e gjithë Shqipëria për të nxjerrë në fund edhe DJ-in më të mirë. Në këtë konkurs, të organizuar nga Ambasada Italiane, kanë marrë pjesë shumë DJ, të cilët janë ballafaquar me shijet e publikut dhe të jurisë. Gjatë garave kualifikuese janë përzgjedhur edhe DJ që kanë kaluar në fazat e mëtejshme. Italian Dance Festival, si pjesë e sezonit të madh të aktiviteteve të Ambasadës Italiane, është menduar si një urë komunikimi kulturor midis dy popujve, për të përcjellë nëpërmjet muzikës lidhjet e forta midis dy vendeve në brigjet e Adriatikut. Në këtë aktivitet që do të organizohet të shtunën në Durrës, Ambasada Italiane përveç DJ-ve të rinj që kanë kaluar garat gjysmëfinale, ka ftuar disa prej DJ-ve më të mirë italianë si: Provenzano, DJ Molella, DaniJay, etj. Gjithashtu si përshëndetës në këtë mbrëmje do të jenë të pranishëm edhe disa prej DJ-ve më të njohur të klubeve në Shqipëri si DJ Aldo, DJ Olti dhe Dori DJ.

Xhaferraj ndihmon familjen Marko
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Xhaferraj i vënë në dijeni me situatën e vështirë ekonomike të familjes Marko, në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2010, përzgjodhi dhe bleu për dy arsye të rëndësishme një pikturë të piktores së mirënjohur të artit shqiptar znj. Safo Marko. Arsyeja e parë është pasurimi i koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve me krijimtarinë e piktores të krijuar pas viteve `90 dhe arsyeja e dytë është ndihma e shtetit shqiptar, dhënë në formën e një kontributi financiar prej 300.000 lekë të reja për blerjen e pikturës së Safo Markos. Kjo shumë do ti kalojë familjes Marko në ndihmë për zonjën Safo Marko, e cila po kalon një sëmundje të rëndë. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Galeria Kombëtare e Arteve do të kenë në dispozicionin e tyre një shumë të dytë monetare gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2010, e cila do të përdoret përsëri për të njëjtin qëllim. Vepra Vajzat e Himarës u përzgjodh të pasurojë koleksionin e madh të GKA, për faktin se u cilësua si një nga veprat më të mira të kësaj periudhe në krijimtarinë e përgjithshme të artistes, që i përket stilit të saj më të fundit dhe, se koleksionit të saj vetjak në koleksionin e madh të veprave të GKA i mungon krijimtaria e kësaj periudhe dhe e këtij lloji.  

Art në grafikë, në galerinë FAP
Për ta bërë laboratorin e studentëve të grafikës të njohur për të gjithë publikun, pedagogët dhe studentët e grafikës në Akademinë e Arteve realizojnë veprat e tyre grafike për ti ekspozuar në një kohë të shkurtër. Pedagogët dhe studentët janë munduar që ta kthejnë të gjithë galerinë në një laborator të vërtetë pune. Në vetvete galeria është një hapësirë në proces, ku jo vetëm shijohen punimet e studenteve, po dhe studentët punojnë në mënyrë të drejt për drejtë, pohon pedagogu Ardian Isufi. Studentët shprehen se kjo është një mënyrë shumë origjinale, që jo vetëm ata por edhe publiku të mund të kuptojë procesin e punës që duhet për realizimin e një grafike. Galeria FAP në Akademinë e Arteve është mbushur nga krijimet e studentëve të grafikës së vitit të dytë dhe të tretë, të cilët krijojnë një atmosferë të veçantë nisur nga ngacmimet e tyre artistike, duke e bërë pjesë të procesit të punës edhe publikun. Gjatë këtij sezoni në mjediset e galerisë FAP kanë qenë të shumta ekspozitat që janë hapur nga studentë të artit pamor, e ndërkohë që në vijim të tyre vijnë dhe këto punime grafike, të cilat janë pjesë e aktivitetit artistik të studentëve.

Last Updated on E Premte, 11 Qershor 2010 20:32

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›