E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drafti, programi i PS-së përfshin ish të përndjekurit dhe pronarët

Draft-programi i ri i PS-së do t'i kushtojë rëndësi dy shtresave që konsideroheshin tabu. PS-ja e konsideron veten një forcë të hapur e orientimit socialdemokrat dhe liberal


TIRANË - Partia Socialiste nuk do të jetë më një forcë politike, e cila bazën e vet e ka vetëm tek shtresat e mesme dhe sociale të shoqërisë, por ajo synon të bëhet tashmë një alternative përfaqësuese edhe e atyre grupimeve shoqërore, që deri më tani konsideroheshin tabu për të, siç janë ish-pronarët dhe të përndjekurit politikë të sistemit komunist.


Një gjë të tillë e parashikon draft-programi i ri politike i kësaj force, i cili është hartuar nga grupi i punës i ngritur posaçërisht për këtë qëllim, dhe që dje i është shpërndarë anëtarëve të Asamblesë Kombëtare për tu njohur në mënyrë paraprake para se t'i nënshtrohet edhe një debati të gjerë në bazë.


Të përndjekurit


Partia Socialiste ka gati projekt-programin e saj, ku dhe ka përcaktuar shtyllat kryesore të vizionit të saj politikë, mbi bazën e të cilit do të orientojë dhe qëndrimet e saja në të ardhmen.


Në gjashtë kapitujt e këtij drafti, përveç parimeve të përgjithshme, ku PS-ja evidentohet si një forcë e qendrës së majtë, përcaktohen në mënyrë të detajuar objektivat e saj për çështje tepër të rëndësishme siç është vota, feja, liria, puna, strehimi, zhvillimi ekonomik, energjia, arsimi, shëndetësia, por ku natyrisht janë përfshirë për herë të parë edhe dy qëllime të tjera rehabilitimi i ish të përndjekurve dhe ish-pronarëve.


Të dyja këtyre çështjeve, në këtë projekt-program i është kushtuar nga një pikë e veçantë (duket se partizani i tyre ka qenë deputeti Pandeli Majko, i cili e ka mbështetur një filozofi të tillë edhe publikisht), nëpërmjet të cilave zgjidhja e tyre vlerësohet si domosdoshmëri për demokracinë shqiptare.


"Rehabilitimin dhe integrimin në shoqërinë e sotme të ish të përndjekurve politikë, ne socialistët e vlerësojmë si tregues të emancipimit të shoqërisë sonë, si shprehje tolerance e humanizmi, si garanci që asnjë forcë politike të mos lejojë praktikat e përndjekjeve politike.


Ne do të bashkëpunojmë me ish të përndjekurit politik për kompensimin, përfshirjen dhe integrimin e tyre ekonomik, politik e shoqëror", - thuhet në këtë draft lidhur me ish të dënuarit politikë të regjimit të shkuar. Ndërkohë që për sa i përket ish-pronarëve në këtë projekt theksohet se PS-ja do të bashkëpunojë me ta për të vendosur drejtësinë në vend. "


Ne respektojmë të drejtat e ish-pronarëve dhe i konsiderojmë ata një potencial të rëndësishëm të zhvillimit të vendit. Ne do të vëmë në vend padrejtësinë ndaj ish-pronarëve, duke bashkëpunuar me ta për të hartuar e zbatuar një kuadër ligjor që do të harmonizojë drejtësinë për ish-pronarët me drejtësinë sociale për kategoritë e tjera të popullsisë", - thuhet më tej në këtë draft.

Rruga Jonë


Kështu është quajtur një kapitull i veçantë i draft-programit të Partisë Socialiste, nëpërmjet të cilit përcaktohen në vija të përgjithshme parimet demokratike, për të cilat ekziston kjo forcë. Kështu, në këtë dokument PS-ja e konsideron veten një forcë të hapur e orientimit socialdemokrat dhe liberal, ndërsa shprehet e gatshme që të bashkëpunojë me forcat politike demokratike, dhe në veçanti, me partitë e orientimit socialdemokrat dhe liberal, të cilat synojnë aleanca të gjera e të qëndrueshme.


Më tej, po në të njëjtin kapitull PS-ja angazhohet të respektojë çdo organizim në formën e organizatave, shoqatave fondacioneve, sindikatave, iniciativave që janë ngritur dhe funksionojnë në bazë të ligjit, duke mos përjashtuar këtu as ato që lloj shoqatash që janë organizuar mbi bazën e orientimeve të ndryshme seksuale. "Ne vlerësojmë rolin e këtyre grupimeve dhe organizimeve si elemente të rëndësishëm të funksionimit të jetës demokratike në vend.


Ajo është e hapur dhe e gatshme të bashkëpunojë me to në nivelin qendror dhe vendor, duke inkurajuar me përparësi organizatat, që mbrojnë interesat e shtresave të privilegjuara e të pakicave, që ofrojnë shërbime sociale", - thuhet në këtë draft-program.


Megjithatë ky draft-program pritet të mos miratohet në kongresin e 18 prillit, pasi ka lindur nevoja që ai para se t'i nënshtrohet një procesi të tillë duhet të diskutohet edhe një herë me bazën dhe grupet e ndryshme të interesit.


Pjesë nga Programi Politik i Partisë Socialiste

Vota e lirë - sovraniteti i popullit


Socialistët shqiptarë janë për një shoqëri demokratike pluraliste, që ngrihet dhe funksionon mbi parime demokratike, ku vota e lirë dhe sovraniteti i popullit janë të patjetërsueshëm.


Ne synojmë një shoqëri, që krijon mundësi për zhvillim të gjithanshëm të personalitetit të cilitdo si individ dhe si pjesë e komunitetit dhe që ofron progres të përgjithshëm ekonomik.
Ne besojmë se kultura e kompromisit mbi standarde dhe parime demokratike është themeli i funksionimit të demokracisë dhe integrimit në shoqërinë demokratike europiane.


Liria e besimit dhe feja


... PSSH respekton dhe konsideron çështje të bashkësisë përkatëse arsimimin fetar, ndërkohë që shteti dhe shkolla shqiptare është laike.


Zhvillimi rural dhe bujqësia
Modeli i zhvillimit që Partia Socialiste propozon është:


Transformimi i Bujqësisë nga një prodhim mbijetese vetëmjaftues, në një sektor modern, komercial dhe konkurrues të një ekonomie të hapur, që promovon konkurrencën e lirë dhe të drejtë të prodhimit të një cilësie më të lartë dhe të mjaftueshëm për të mbuluar tregun vendas dhe për të dalë në një treg më të gjerë.


Kthesa energjetike dhe mbrojtja e mjedisit


Shqipëria duhet të ndahet njëherë e mirë nga varësia energjetike që asfikson ekonominë dhe traumatizon jetën e banorëve. Potencialin hidrik të vendit tonë si burim i pashterueshëm energjie, do synojmë ta shfrytëzojmë me efektivitet në dobi të zhvillimit.


E drejta e punës


Për ne socialistët çdo individ duhet të jetë i lirë, që në kuadrin e pronës shumëformëshe, të zgjedhë punën dhe profesionin që dëshiron...


Ne jemi kundër çdo diskriminimi, që favorizon punësimin dhe ushtrimin e profesionit mbi bazën e orientimeve politike, kulturore, gjinore, moshore, fetare, etnike etj.


Ne do t'i kushtojmë vëmendjen dhe burimet e nevojshme rritjes së punësimit dhe vënies në efiçensë të potencialeve të forcave të punës në bujqësi dhe zonat rurale


Socialistët e konsiderojnë detyrim interesimin për punonjësit shqiptare të punësuar në vende te tjera, që ata gëzojnë të drejtat e njohura e të garantuara nga normat ndërkombëtare.

Strehimi


Ne do të ofrojmë një zgjidhje të problemit të strehimit, ndërmjet kompletimit dhe respektimit të planeve rregulluese të qyteteve, kredive bankare për ndërtim banesash me interesa minimale, krijimit dhe konsolidimit të Fondit për Strehim të Përballueshëm për të pastrehët, pensionistët, veteranët dhe ish të persekutuarit, dhe krijimit të fondit publik dhe privat të banesave...


Në do të urbanizojmë, legalizojmë dhe kapitalizojmë në një afat të shkurtër banesat ekzistuese të ndërtuara në mënyrë të paligjshme, do të mbështesim integrimin e të ardhurave në jetën e qytetarëve dhe shërbimet cilësore ndaj tyre. Ne do të ndalojmë ndërtimet e paligjshme dhe jashtë planeve rregulluese të qendrave të banimit.


Sigurimet shoqërore


Ne jemi për një strukturë polivalente të sigurimeve shoqërore, për diferencimin e strukturave për sigurim, solidaritet e ndihmë për mosha e profesione të ndryshme dhe në të gjithë territorin e vendit.

Politika Shëndetësore


... Parimet kryesore të sistemit të kujdesit shëndetësor që ne do të ndërtojmë janë:
Mbulimi i të gjithë shqiptarëve me sigurim shëndetësor të përballueshëm; zbatimi gradual, progresiv i diferencuar i sigurimeve shëndetësore; sigurimet e transferueshme...

Ne jemi për financimin e shërbimeve shëndetësore të diferencuara për fëmijët, veteranët e LANC-it, ish të përsekutuarit dhe për të gjithë qytetarët mbi 70 vjeç.

Industria farmaceutike dhe medikamentet e importuara do t'u nënshtrohen kontrolleve të rrepta. Ne do të nxisim prodhimin në vend të një pjese të medikamenteve.


Vlerësimi i veteranëve të LANC-it


Ne vlerësojmë dhe ndërtojmë historinë tonë kombëtare, LANC dhe rolin e kontributin e veteranëve të luftës e të punës si krijues të kulturës antifashiste dhe pasuri e vyer kombëtare. Politikat tona sociale do të respektojnë Statusin e Veteranit dhe shërbimet e kujdesi ndaj tyre do të jene prioritet i vazhdueshëm.


Rehabilitimi i ish të përndjekurve politik


Rehabilitimin dhe integrimin në shoqërinë e sotme të ish të përndjekurve politikë, ne socialistët e vlerësojmë si tregues të emancipimit të shoqërisë sonë, si shprehje tolerance e humanizmi, si garanci që asnjë forcë politike të mos lejojë praktikat e përndjekjeve politike. Ne do të bashkëpunojmë me ish të përndjekurit politik për kompensimin, përfshirjen dhe integrimin e tyre ekonomik, politik e shoqëror.


Drejtësi e bashkëpunim me ish-pronarët


Ne respektojmë të drejtat e ish-pronareve dhe i konsiderojmë ata një potencial të rëndësishëm të zhvillimit të vendit.


Ne do të vëmë në vend padrejtësinë ndaj ish-pronarëve, duke bashkëpunuar me ta për të hartuar e zbatuar një kuadër ligjor që do të harmonizojë drejtësinë për ish-pronarët me drejtësinë sociale për kategoritë e tjera të popullsisë.


RRUGA JONË

Parti mbi bazën e primeve demokratike

... Çdo anëtar i PSSH-së ka të drejtë të shprehet dhe të votojë për marrjen e vendimeve dhe për zgjedhjen e forumeve të partisë. Vendimet e marra, sipas mendimit të shumicës, janë të zbatueshme për të gjithë anëtarët, por pa i mohuar cilido, të drejtën e shprehjes se qëndrimeve të ndryshme në përputhje me programin themelor. PS-ja respekton shprehjen e opinioneve nga cilido anëtar, besimin fetar dhe prirjet kulturore e krijuese të tyre, pa iu nënshtruar ato gjykimit ose vendimeve partiake.

Partia e hapur e orientimit socialdemokrat dhe liberal

... PSSH është për bashkëpunim me forcat politike demokratike, dhe në veçanti, me partitë e orientimit socialdemokrat dhe liberal, të cilat synojnë aleanca të gjera e të qëndrueshme.

Marrëdhëniet me organizatat e tjera


Ne respektojmë çdo organizim në formën e organizatave, shoqatave fondacioneve, sindikatave, iniciativave që janë ngritur dhe funksionojnë në bazë të ligjit. Ne vlerësojmë rolin e këtyre grupimeve dhe organizimeve si elemente të rëndësishëm të funksionimit të jetës demokratike në vend. Ajo është e hapur dhe e gatshme të bashkëpunojë me to në nivelin qendror dhe vendor, duke inkurajuar me përparësi organizatat, që mbrojnë interesat e shtresave të privilegjuara e të pakicave, që ofrojnë shërbime sociale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›