E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në statut, Asambleja miraton projektin

Anëtarët e asamblesë i kanë dhënë "OK" paketës së paraqitur nga grupi i punës, por duke e pasuruar atë edhe me disa propozime të tjera të propozuara dje nga anëtarët


TIRANË - Draft-statuti i Partisë Socialiste ka kaluar provën e parë. Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste ka miratuar dje me votë unanime paketën e propozimeve të përgatitura nga grupi i punës për ndryshimet në statut, nëpërmjet të cilave synohet t'i jepet një dinamikë tjetër mënyrës së funksionimit të partisë në bazë.


Pas afro 3 orë diskutime, anëtarët e asamblesë i kanë dhënë "OK" paketës së paraqitura nga grupi i punës, por duke e pasuruar atë edhe me disa propozime të tjera të ardhura dje nga salla.


Ndërkohë që, ashtu siç edhe ishte paralajmëruar më parë, paketa tjetër ajo e ndryshimeve në programin politik të partisë nuk i është nënshtruar procesit të votimit, pasi është rënë dakord që ajo më parë t'i nënshtrohet një debati të gjerë edhe në bazë, por edhe me grupet e interesit.


Parimet e përgjithshme


Partia Socialiste përcakton parime dhe rregulla të reja për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të saj, duke miratuar dje në Asamble projekt-statutin e ri, i cili në thelb përbënë një ndërhyrje rrënjësore në strukturat lokale të partisë, por pa lënë pas as përcaktimin e disa parimeve të përgjithshme që e afrojnë këtë forcë me partitë e tjera të internacionales dhe PSE-së.


Gjatë debatit të zhvilluar në mbledhjen e këtij forumi të lartë mësohet se në përgjithësi ndryshimet e propozuara janë mbështetur pavarësisht disa dallimeve që kishin disa anëtarë të ndryshëm në lidhje me pika të veçanta të tij, siç ishte edhe ajo e oponencës kolektive, siç njihen ndryshe fraksionet.


Por, pavarësisht këtyre vërejtjeve, drafti i paraqitur për miratim ka kaluar thuajse pa u ndryshuar me përjashtim të disa pikave të tjera që u propozuan gjatë kësaj mbledhje. Kështu që në krye të kësaj pakete sanksionohet një term i ri përkufizues, ku PS-ja konsiderohet si një "parti e majtë demokratike, që ka në themel të veprimtarisë së saj parimin e lirisë, drejtësisë sociale, barazisë së shanseve të barabarta dhe solidaritetin njerëzor".


Më tej, në statutin e ri që pritet të miratohet edhe në Kongres synohet që të evidentohet fakti se PS-ja është një parti elektorale dhe funksionale dhe ku harmonizohet demokracia direkte (pra parimi një anëtar një votë) me demokracinë përfaqësuese.


Po tek kapitulli i parimeve të përgjithshme bëhet një ndërhyrje tjetër, me qëllim disiplinimin e sjelljes së anëtarëve të partisë, duke theksuar se "pas votimit të vendimit, zbatohet vullneti i shumicës". Për sa i përket disiplinimit të sjelljes së anëtarëve të partisë, në këtë paketë është përfshirë se çdo anëtar "përjashtohet kur merr pjesë në manifestime që bien ndesh me qëndrimin politik të partisë".


Një nga propozimet e pakta të bërë në sallë dhe që ka gjetur mbështetjen e anëtarëve të asamblesë ka qenë ai i bërë nga Artan Lame, sipas të cilit, vendet e mbetura vakante në Asamble dhe Kryesi duhet të plotësohen me anëtarë që kanë qenë në pozicionet vijuese të listave gjatë votimit të këtyre dy forumeve.

Organizimi në bazë


Ndryshimet më rrënjësore që propozohen janë ato që përfshijnë organizimin e partisë lokale. Me këto ndryshime, socialistët i rikthehen sërish skemës së vjetër të organizimit, ku rivendoset zgjedhja e drejtuesve nëpërmjet përfaqësuesve të anëtarësisë, ndërsa rikrijohet si një strukturë tepër e rëndësishme edhe Partia Socialiste e Rrethit.


Kështu Asambleja Socialiste e bashkisë dhe komunës, si dhe ajo e rrethit do të zgjedhin kryetarin e tyre respektiv, duke hequr dorë nga parimi "Një anëtar një votë", i përdorur deri më tani nga kjo forcë politike. Kryetari i PS-së së komunës, bashkisë ose rrethit zgjidhet me votim të fshehtë dhe kandidatura alternative, ndërsa kandidaturat paraprakisht duhet të marrin edhe pëlqimin e kryesisë së PS-së.


Ndërkohë që mandati i tyre përcaktohet 4 vjet ata mund të largohen nga kjo detyrë në rastet kur partia humbet në zgjedhje ose merr një numër më të pakët votash se sa janë zgjedhjet pararendëse.


Kryetari i PS-së së rrethit është gjithashtu automatikisht dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së. Krijohet gjithashtu dhe Këshilli Koordinues i Partisë në Qark, ku bëjnë pjesë drejtuesit e partisë të të gjitha rretheve pjesë përbërëse e tij, drejtuesi politikë i qarkut, si dhe deputetët e dalë prej tij.


Ndërkohë, mësohet se ka rënë dje në mbledhjen e asamblesë propozimi i deputetit Bashkim Fino për ta organizuar partinë në bazë KZAZ-je. Tashmë paketa e ndryshimeve statutore pritet të votohet në Kongresin e partisë që do të mbahet në datën 18 prill.

Kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi dje se nuk ka rrugë tjetër veç protestës. Më 30 prill protesta e madhe në Tiranë

***********************

Asambleja e PS-së vendos: Çdo ditë një protestë

"Më zgjedhje si në Ruzhdie s'ka asnjë mundësi të ketë demokraci, drejtësi, ekonomi si në Europë"

TIRANË - Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste i ka hapur dritën jeshile zhvillimit të protestave çdo ditë, në të gjithë Shqipërinë, për të kulmuar me 30 prill në Tiranë. Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar dje gjatë mbledhjes së Asamblesë se çdo ditë do të zhvillohet një protestë për të mbërritur më 30 prill në bulevardin e Tiranës, me qëllim hapjen e kutive, largimin e qeverisë, ndalimin e rrënimit ekonomik.


"Sot, plot 8 muaj pasi Partia Socialiste filloi aksionin e saj, mes mjegullës së dendur dhe agresionit dhe diversionit të pushtetit ka dalë e qartë si drita e diellit se në kutitë e mbyllura me pahir, fshihet krimi i tjetërsimit të rezultatit të zgjedhjeve.


Sot e dinë jo vetëm ata që e kanë kryer atë krim, por e kanë marrë vesh të gjithë, se në 28 qershor Partia Socialiste i fitoi zgjedhjet dhe nuk u zgjodh dot vetëm se zgjedhjet u morën peng, duke mbushur kutitë si në Ruzhdie. Sot është bindje për të gjithë se Shqipëria nuk qeveriset nga ata që ka zgjedhur, por nga ata që nuk e lanë popullin të zgjedhë dhe më keq akoma sot shqiptarët paguajnë nga xhepi i tyre çmimin e këtij krimi, duke humbur vende pune, duke humbur fuqi blerëse, duke humbur pavarësi ekonomike në një tunel borxhesh që tanimë po prekin edhe brezin e ardhshëm", - tha dje Rama. Kryetari i opozitës theksoi se shqiptarët vazhdojnë të kuptojnë se tek zgjedhjet e vjedhura gjenden sot rrënjët e të gjitha problemeve që, sipas tij, mbajnë peng të ardhmen.


"Më zgjedhje si në Ruzhdie s'ka asnjë mundësi të ketë demokraci, drejtësi, ekonomi si në Europë, prandaj hapja e kutive të Ruzhdieve dhe garantimi i popullit shqiptar që ato që ndodhën në 28 qershor nuk do të përsëriten më kurrë përbën një kusht themelor për të dalë jo vetëm nga kriza e demokracisë, por edhe nga kriza e ekonomisë", - tha Rama.


Ai shtoi: "Të bashkuar mund t'i japim fundin që meriton këtij pushteti që, pasi fundosi zgjedhjet, po fundos edhe ekonominë, duke i lënë njerëzit përditë e më të papunë, përditë e më të pashpresë .


Është edhe më shumë se dje dita për të gjithë bujqit, fermerët e peshkatarët, ushtarakët e liruar, minatorët në aktivitet a në pension, komuniteteve të prekura nga padrejtësitë mbi pronat, shoqatat e organizmat e shoqërisë civile, të gjithë ata që nuk gjejnë shteg në xhunglën ku shkelen të drejtat dhe liritë kushtetuese për këdo që nuk është pjesë e familjes në pushtet, të rimarrin në dorë fatin e tyre si njerëz që në mes të Europës nuk mund të vidhen, as në lirinë e tyre për të zgjedhur dhe as në të drejtat e tyre për të jetuar si të barabartë para ligjit".


Protestat e përditshme janë mbështetur dje nga të gjithë anëtarët e Asamblesë. "Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste në unanimitet mori vendimin për të organizuar gjithë strukturën e partisë, për të mbështetur protestën e madhe, që do të zhvillohet në 30 prill në Tiranë, duke riftuar edhe njëherë të gjithë qytetarët shqiptarë të bëhen pjesë e kësaj proteste, e cila do të jetë një protestë në vazhdim për të rrëzuar qeverinë e Sali Berishës dhe për t'i dhënë hapësirë të gjithë qytetarëve shqiptarë për të qenë pjesë e kësaj proteste", - tha dje pas mbledhjes së Asamblesë, deputeti i PS-së, Blendi Klosi.


Asambleja Kombëtare rrëzoi me votë propozimin e deputetit Ben Blushi

Asambleja, vetëm tri vota pro fraksioneve


TIRANË - Fraksionet, apo siç njihet ndryshe oponenca kolektive, ka rënë edhe në Asamblenë Kombëtare. Megjithëse u rrëzua një herë në grupin e punës që përgatiti ndryshimet statutore, propozimi për institucionalizimin e mendimit ndryshe në Partinë Socialiste është ribërë edhe një herë dje në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.


Kësaj radhe nuk ka qenë Maqo Lakrori, por Ben Blushi, ai që ka argumentuar se nevoja për të krijuar kushtet e një bashkëjetese afatgjatë bënë të nevojshme që PS-ja të lejojë që të organizohet mendimi ndryshe brenda radhëve të saj. "Në statut janë reflektuar disa nga propozimet e bëra prej nesh për sa i përket organizimit të partisë në bazë rrethi, ndryshime që natyrisht erdhën si pasojë e eksperiencës së mëparshme.


Por, doja të evidentoja edhe një pikë tjetër të cilës ne i kemi mëshuar fort dhe që besojmë se është e nevojshme që të përfshihet, pra institucionalizimi i mendimit ndryshe", - mësohet të jetë shprehur Blushi gjatë mbledhjes së djeshme të Asamblesë Kombëtare.


Një propozim ky që nga drejtuesi i seancës, Gramoz Ruçi, është hedhur në votim, pavarësisht se Blushi ka kërkuar që të vendosë Kongresi. Nga votimi, ka rezultuar se propozimi i tij për sa i përket oponencës kolektive ka marrë vetëm 3 vota pro, ndërsa gjithë anëtarët e tjerë të Asamblesë kanë votuar kundër.


Ndërkohë, mësohet se Blushi ka këmbëngulur që disa nga propozimet kryesore të kësaj pakete përfshi edhe atë të oponencës kolektive të votohen në Kongres, por jo në mënyrë të hapur, por me kuti. "Përderisa ne kërkojmë kutitë nga Berisha duhet të vendosim kutitë edhe në parti.


Ne duhet patjetër të ndajmë parimet dhe të vendosim kutinë", - ka thënë Blushi. Përveç Blushit në mbledhjen e djeshme janë bërë edhe një sërë ndryshimesh të tjera nga anëtarë të tjerë të Asamblesë, shumica e të cilëve nuk janë marrë parasysh. Kështu, Asambleja ka rrëzuar po me votë propozimin e Bashkim Finos që PS-ja për t'iu përshtatur filozofisë së saj elektorale të organizohet në bazë zonash zgjedhore apo KZAZ-shë.


Asambleja nuk ka marrë parasysh edhe dy propozimet e deputetit Alfred Dalipi, sipas të cilave, anëtarët e kryesisë dhe sekretarët të zgjidhen me 50 plus 1 % të votave të asamblesë dhe që komisionerët në zgjedhje të zgjidhen nga kreu i partisë së njësisë vendore në bashkëpunim me kryetarin e PS-së Rrethit dhe kandidatit përkatës.

Ndryshimet në statut

Parti e majtë demokratike që ka në themel të veprimtarisë së saj parimin e lirisë, drejtësisë sociale, barazisë së shanseve të barabarta dhe solidaritetin njerëzor.


PS-ja e ushtron veprimtarinë e saj në respekt të plotë të Kushtetutës dhe të ligjeve të tjera me fuqi në Republikën e Shqipërisë.


Partia Socialiste është parti elektorale dhe funksionale.
PS në veprimtarinë e saj harmonizon demokracinë direkte me demokracinë përfaqësuese.


Iniciativa e personale e anëtarit të partisë, e shprehur në emër të PS-së duhet të jetë në përputhje me programin dhe statutin e saj.

Për çdo detyre përfaqësuese politike në PS dhe në emër të saj, zhvillohet proces konkurrimi transparent dhe i bazuar në kritere të njohura.


Merren masa disiplinore ndaj anëtarit të partisë që bën pjesë në parti të tjera politike shqiptare, si dhe merr pjesë në manifestime që bien ndesh me qëndrimin politikë të partisë.


Organizata socialiste zhvillon mbledhjen zgjedhore pas çdo fushate për zgjedhjet e përgjithshme dhe për pushtetin vendor, por jo për një periudhë më të gjatë se dy vjet.


Asambleja Socialiste e bashkisë/komunës është organi më i lartë politik i partisë në bashki dhe komunë.

Asambleja Socialiste e bashkisë/komunës zgjedh me votim të fshehtë kryetarin dhe sekretariatin e partisë.

Kryetari PS-së i bashkisë/komunës zgjidhet nga AS e bashkisë/komunës me votim të fshehtë dhe kandidatura alternative.


Kandidaturat për kryetar të partisë së bashkisë/komunës propozohen nga OS përkatëse dhe miratohen nga kryesia.


Mandati i kryetarit të bashkisë/komunës si rregull është 4 vjet, por ai mund të ndërpritet në rastet kur partia humbet në zgjedhje ose merr një numër më të pakët votash sesa në zgjedhjet pararendëse.


AS e Rrethit është organi më i lartë vendimmarrës i partisë në rreth. Në përbërje të saj bëjnë pjesë: delegatët e kongresit të rrethit përkatës, kryetarët e bashkive dhe komunave përfaqësues të partisë, kryetarët e këshillave të bashkive dhe komunave dhe kryetarët e FRESSH dhe FGS-së.


Kryetari i PS-së së Rrethit zgjidhet me votim të fshehtë nga mbledhja e zgjeruar e AS-së së Rrethit. Ai është anëtarë i Asamblesë Kombëtare.


Këshilli Koordinues i Qarkut është struktura kryesore koordinuese e veprimtarisë së partisë në nivel qarku. Ai përbëhet nga drejtuesi politik i partisë për qarkun, deputetët e tij, kryetarët e partisë të rretheve që janë pjesë e qarkut.


Kongresi zgjedh me votim të fshehtë kandidaturat alternative të AK-së dhe KGS-së(Komisioni i Garancive Statutore). Delegatët e kongresit mund të propozojnë kandidatura shtesë në listën e kandidaturave. Kandidaturat shtesë përfshihen në listat përkatëse nëse miratohen nga 50 plus një e delegatëve të kongresit.


Sekretarët janë automatikisht anëtarë të Kryesisë së PSSH-së.

Kryesia ngarkon çdo anëtarë të kryesisë me një detyrë konkrete në nivel qendror, si dhe për drejtimin politikë në shkallë qarku, detyra për të cilat raportohet në kryesi dhe periodikisht informohet AK.

Propozimet në Asamble


Ylli Manjani: E mora fjalën për të thënë se dorëzoj sot detyrën e kryetarit të komisionit të ligjeve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Kjo pasi partia që kishte marrë flamurin e kampionit të demokracisë në vend, sot është jo më thjesht si të gjitha partitë e tjera Shqiptare, por parti që është vetëm një hap larg nga modelet e partive që prodhuan autokratët e shekullit të shkuar.

Artan Lame: Vendet që mbeten bosh në asamble nga largimet apo nga mospjesëmarrja në mbledhjet e saj të zëvendësohen me ata që kanë qenë në listë gjatë konkurrimit kur edhe u zgjodh kjo strukturë, por nuk janë futur në asamble se nuk kanë marrë votat e duhur. Deri tani statuti përcakton se vendet që ngelen bosh në asamble i lind e drejta kryesisë që të kooptojë anëtarë të rinj. (u pranua)


Ben Blushi: Disa nga pikat kryesore të paketës së ndryshimeve në statut të votohen në kongres me kuti dhe jo me të ngritur dorën. Përderisa ne kërkojmë kutitë nga Berisha duhet të vendosim kutitë edhe në parti.


Ne duhet patjetër të ndajmë parimet dhe të vendosim kutinë (nuk u pranua). Shoh që në statut janë reflektuar disa nga propozimet e bëra prej nesh për sa i përket organizimit të partisë në bazë rrethi.


Por, doja të evidentoja edhe një pikë tjetër, të cilës ne i kemi mëshuar fort dhe që besojmë se është e nevojshme që të përfshihet, pra institucionalizimi i mendimit ndryshe. (Nuk u miratua, vetëm 3 vota pro)


Alfred Dalipi: Anëtarët e kryesisë dhe sekretarët të zgjidhen me 50 plus 1 % të votave të asamblesë. Është e nevojshme që strukturat drejtuese të PS-së të kenë përfaqësim më të mirë dhe me mbështetje të gjerë.


Nuk është normale që një sekretar partie për shkak të përcaktimit të statutit të zgjidhet në këtë post me një minimum votash nga asambleja (Nuk u miratua). Komisionerët po akuzohen tani për zgjedhjet e shkuara, ata në zgjedhjet e ardhshme të zgjidhen nga kryetari i PS-së i njësisë vendore në bashkëpunim me kryetarin e PS-së së rrethit dhe kandidatin për deputetë apo për kryetar komune dhe bashkie sipas rastit (Nuk u miratua).


Bashkim Fino: Unë dua të ngre dhe një herë një kërkesë timen që e kam bërë edhe në mbledhjen e grupit të punës. Ne themi në krye të kësaj pakete ndryshimesh që PS është një parti elektorale ndaj mendoj se për t'iu përshtatur një filozofie të tillë duhet që edhe organizimi partiak të ishte mbi bazën e zonave elektorale, pra KZAZ-ve. Dua të propozoj që në statut në kapitullin e organizimit të partisë në bazë të përfshihet dhe një pikë që partia të organizohet edhe në bazë KZAZ-je. (Nuk u miratua)


Damian Gjiknuri: Besoj se organizimi i partisë në bazë rrethi ashtu siç edhe propozohet tani është i parakohshëm për sa kohë ne nuk e dimë ende se cili do jetë mënyra e organizimit apo sistemi i ardhshëm elektoral. Një ndryshim i sistemit do ta nxirrte një organizim të tillë jashtë loje, ndaj duhet lënë që kjo të përcaktohet në një kohë tjetër. (Nuk u pranua)


Saimir Tahiri: Në parim jam dakord që të garantohet minoranca, edhe mendimi ndryshe, megjithëse minoranca është e garantuar në statutin aktual. Por, oponenca kolektive që propozohet jo vetëm që se mbron mendimin ndryshe, por e kthen qëllim në vetvete, për hir të përfaqësimit në organet e partisë dhe pushtetit. Siç propozohet në oponencë, 2000 anëtarë e çojnë partinë në një proces zgjedhor total.


ë konsolidohet institucioni i votës në parti. Të vendoset votim me kandidatura alternative për të gjitha forumet e zgjedhura të partisë dhe të konsolidohet institucioni i meritokracisë, sepse komisionet e partisë kanë mbi 2 vjet që nuk mblidhen, ka anëtarë asambleje që kanë mbi 6 muaj që nuk vijnë në mbledhje, ka këshilltarë të zgjedhur vendorë që nuk bëjnë detyrë dhe ka anëtarë partie fiktivë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›