Drafti, shtohen edhe dy pika të propozuara nga mazhoranca
Shtohen dhe rikonfirmohen nga fillimi kërkesat dhe rekomandimet që pritet të përmbajë drafti final, i cili do të synojë paqen politike në vend. Mazhoranca ka shtuar dje edhe dy kërkesat e saj, ku njëra prej tyre i jep të drejtën opozitës të kërkojë për çështjen e kutive të votimit një qëndrim nga Gjykata Kushtetuese e më pas nga Komisioni i Venecias dhe ngritjen e një grupi special prokurorësh për të hetuar çështjet e tjera ku nuk ka tagër të hetojë Parlamenti. Mazhoranca i ofron zyrtarisht opozitës paketën e propozimeve të saj, me anë të së cilit presupozohet të arrihet paqja politike. Kushti i demokratëve është që të drejtën e hapjes së kutive ta ketë vetëm drejtësia. Debati mazhorancë-opozitë vjen një ditë pas deklaratës së zëvendëssekretarit amerikan të shtetit dhe në një kohë kur opozita përsërit kërkesën për zbardhjen e të vërtetës në zgjedhjet e 28 qershorit. Shumica parlamentare garanton se këto amendamente, të hartuara nga opozita, do të votohen plotësisht në Parlament. Ndër pesë pikat e propozuara nga opozita janë ngritja pa vonesë e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet, ku shumicën ta ketë e majta, kryetari i komisionit hetimor të jetë nga radhët e opozitës dhe komisioni hetimor të hetojë kutitë e materialeve zgjedhore. Mes pikave të propozuara në draft, komisioni hetimor nuk do të hetojë kutitë e votimit dhe nëse gjatë shqyrtimit të materialeve zgjedhore komisioni gjen shkelje, me anë të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese do të kërkojë interpretim për hapjen e kutive respektive nga Komisioni i Venecias. Duke iu referuar krizës politike, mazhoranca ka ftuar opozitën të bëhet pjesë e hetimit parlamentar, por pa prekur në këtë rast çështje për të cilat është shprehur gjykata me vendim.
Ripërsëritja e ofertës së Partisë Demokratike vjen një ditë pas deklaratës së zv.sekretarit amerikan të Shtetit. Të dy spektrat politikë janë treguar të rezervuar të japin më shumë detaje në lidhje me draftin e dy grupeve kryesore në Parlamentin Europian, por duket se të dyja forcat politike janë afër konsensusit të arritjes drejt një zgjidhjeje për të mos penguar proceset integruese të vendit. Në draftin aktual janë të renditura këto çështje: ngritja pa vonesa të komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet, ku shumicën e ka opozita, kryetarin e komisionit hetimor ta ketë opozita, komisioni hetimor do të hetojë kutitë e materialeve zgjedhore, komisioni hetimor nuk do të hetojë kutitë e votimit. Në pikën 5 theksohet se nëse gjatë shqyrtimit të materialeve zgjedhore komisioni gjen shkelje, me anë të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese do të kërkojë interpretim për hapjen e kutive respektive nga Komisioni i Venecias.
#