E Diel, 1 Nëntor 2026

Thyhet moratoriumi, kapet në Otranto skafi shqiptar me klandestinë

Skafisti shqiptar dhe 35 klandestinët jo komunitarë u ndaluan në ujërat ndërkombëtarë nga patrullat e Guardia di Finanza

Një skafist shqiptar dhe 35 klandestinët në bordin e gomones që ai drejtonte u ndaluan dje në ujërat ndërkombëtarë nga patrullat e Guardia di Finanza. Policia italiane po kryen hetimet për të vërtetuar vendnisjen e skafit, itinerarin që kanë përshkruar klandestinët për të mbërritur në Itali, si dhe pagesat që ata u kanë bërë trafikantëve. Mendohet që gomonia mund të jetë nisur nga brigjet shqiptare, duke thyer kështu moratoriumin e skafeve, por nuk përjashtohet mundësia e nisjes së saj nga ishujt e pabanuar të Greqisë.

Ngjarja

Mediat italiane, duke iu referuar agjencisë shtetërore ANSA, thonë se tridhjetë e pesë të huaj, pakistanezë, iranianë dhe afganë, janë zbuluar në një gomone në brigjet e Santa Maria di Leuca, nga ushtarët e Guardia di Finanza, ndërsa është arrestuar edhe një trafikant, me shtetësi shqiptare, i cili akuzohet për dhënie ndihme ndaj emigrantëve të paligjshëm. Gomonia që ndodhej rreth 10 milje në jug të Capo di Leuca, në Kanalin e Otrantos, ishte drejtuar për në bregdetin e Jonit, por anija patrullë e “flaka e verdhë” e ndoqi dhe e ndaloi. Qytetarët jo komunitarë, pasi u transferuan në bordin e anijes detare janë dërguar për strehim, trajtim ushqimor, si dhe për identifikim në kazermat e të policisë financiare të kompanisë së Gallipoli. Tani për tani nuk ka asnjë të dhënë për atë se si do të veprohet me emigrantët, por më shumë gjasa ka që ata të kthehen andej nga kanë ardhur, në vendet e tyre.

Hetimet

Mediat e shtetit fqinj shprehen se janë duke u zhvilluar hetimet në lidhje me këtë rast. Sipas tyre, gomonia i ishte drejtuar brigjeve të Italisë, por me të pikasur motovedetat e Guardia di Finanza, skafisti ka kthyer mjetin në drejtim të bregdetit të Jonit. Skafi drejtohej nga një shtetas shqiptar, por policia italiane nuk ka dhënë identitetin e tij, për të ruajtur sekretin hetimor. Po ashtu, autoritetet italiane nuk kanë zbuluar ende vendnisjen e skafit. Dyshimi i parë është mundësia e nisjes së tij nga brigjet shqiptare, por nuk përjashtohet mundësia edhe e nisjes nga ishujt e pabanuar të Greqisë. Kjo do të verifikohet sapo të marrë dëshminë e emigrantëve të paligjshëm, të cilët do të joshen me qëndrimin në Itali nëse do të tregojnë të gjithë itinerarin që kanë përshkuar, që nga vendet e tyre të origjinës e deri në vendmbërritje. Hetuesit do të mësojnë me këtë rast nëse kemi të bëjmë me një linjë të re trafiku, për shkak të bllokimit të asaj nga brigjet shqiptare, apo skafisti ka thyer moratoriumin duke iu vjedhur edhe radarëve portualë për kapjen e sinjaleve të mjeteve lundruese që nisen nga bregdeti shqiptar. Nga raportet e deritanishme të mediave italiane, mësohet se hetimet po bëhen në konspiracion të plotë, aq sa nuk është publikuar as emri i skafistit, arrestimi i të cilit është bërë në flagrancë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›