Dragusha, drejt huazimit

Alban Dragushës i ka shkuar huq viti i parë si futbollist i Kalmarit. Me këtë skuadër, mbrojtësi kosovar nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje gjatë kampionatit që lamë pas në elitën e futbollit suedez, Allsvenskan.
Në fakt, në fillim të vitit, Dragusha ishte transferuar te skuadra skandinave nga Skënderbeu i Superligës së Shqipërisë. Me Kalmarin, 29 vjeçari kishte nënshkruar kontratë trivjeçare. Por, menjëherë Dragusha i qe nënshtruar një operimi dhe kishte pushuar rreth dy muaj. Pas kthimit nga lëndimi, ai ka luajtur vetëm për ekipin rezervë të Kalmarit, por jo edhe për skuadrën e parë. Kështu, kampionati suedez përfundoi pa e zhvilluar asnjë ndeshje reprezentuesi kosovar me Kalmarin.
Ai tani ndihet plotësisht i rikuperuar. Mirëpo, Dragusha ka pak shpresa që në edicionin e ri do të mund të zë shpejt vend në formacionin e parë të Kalmarit. Andaj, ish futbollisti i Besës së Kavajës po mendon shumë seriozisht që nga Kalmari të kalojë në ndonjë skuadër tjetër në formë huazimi.
“Tani jam plotësisht i gatshëm për të luajtur. Jam i përgatitur si kurrë më parë. Unë kam kontratë edhe për dy vite tjera me Kalmarin. Por, rreth përpilimit të formacioni vendos trajneri. Kam biseduar me zyrtarët e klubit rreth huazimit tim të mundshëm gjatë këtij afati kalimtar në ndonjë skuadër tjetër për gjashtë muaj. Kjo është në favor timin, por edhe të Kalmarit, sepse kam nevojë të madhe për të luajtur dhe për t’iu kthyer formës më të mirë dhe nga ajo formë më pas do të përfitonte Kalmari”, ka deklaruar Dragusha për Express.
Madje, ai paralajmëroi se gjasat janë shumë të mëdha që gjatë këtij dimri të kalojë në formë huazimi për gjashtë muaj te ndonjë skuadër e Superligës së Shqipërisë, ku Dragusha aktivizohej edhe në të kaluarën dhe konsiderohej si njëri prej mbrojtësve më të mirë në atë ligë.
“Gjasat janë reale që të transferohem në ndonjë skuadër për gjashtë muaj. Kështu jam dakorduar edhe me Kalmarin, por me kusht vetëm nëse marr ndonjë ofertë të mirë prej ndonjë klubi serioz. Ka gjasa të huazohem në ndonjë klub të Shqipërisë. Jam në bisedime me disa ekipe shqiptare, por ende s’ka diçka konkrete. Të shohim”, theksoi Dragusha i cili edhe gjatë verës së kaluar ishte shumë pranë kalimit në formë huazimi te Kastrioti i Krujës.
Edhe pse viti i parë në Kalmar i shkoi huq, pa e zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare në garat kampionale të Suedisë me këtë skuadër, Dragusha thotë se nuk është fort i dëshpëruar, pasi në pyetje ishte fati që nuk i priu.
Gjatë dimrit të kaluar, Dragusha nga Skënderbeu ishte transferuar në Kalmar. Së bashku me Dragushën, ekipit suedez iu pat bashkuar edhe reprezentuesi tjetër kosovar, Liridon Leci. Por, sikurse Dragushës, ashtu edhe Lecit viti i parë në Kalmar i ka shkuar huq, pasi as ai nuk e ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare me këtë skuadër, ndërsa me rezervat luante rregullisht. Përveç Dragushës e Lecit, pjesë e Kalmarit janë edhe dy kosovarët tjerë: Etrit Berisha dhe Besnik Rustemaj.