E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paqartësi rreth kandidatëve

Vazhdon të mbetet ende e paqartë se kush do të jetë kandidat për postin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), kur ka mbetur kohë vetëm edhe një ditë që njerëzit që e aspirojnë këtë post t’i dorëzojnë kandidaturat e tyre në zyrat e shtëpisë së futbollit.

Në fakt, sot është afati i fundit për t’i deponuar në shtëpinë e futbollit kandidaturat me 15 nënshkrime të delegatëve, për ata që aspirojnë të jenë pjesë e garës për kryetar të FFK-së në Kuvendin Zgjedhor, që mbahet më 2 shkurt të vitit 2012.

Mirëpo, sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, ka pohuar se deri të enjten asnjë njeri nuk e ka bërë një gjë të tillë. “As sot (e enjte) askush nuk e ka dorëzuar kandidaturën për garën për kryetar të FFK-së. Të premten në orën 16:00 përfundon afati”, deklaroi Salihu.

Në këtë mënyrë ende mbetet e paqartë se sa kandidatë do të garojnë më 2 shkurt për postin e kryetarit të FFK-së, apo cilët do të jenë ata. Ndërsa kryetari aktual, Fadil Vokrri akoma nuk e ka konfirmuar nëse do të kandidohet apo jo edhe për një mandat tjetër katërvjeçar. Mirëpo, burimet e Express-it kanë bërë të ditur se të premten pritet të konfirmohet kandidatura e Vokrrit. Sipas këtyre burimeve, Vokrri pritet të jetë edhe kandidati i vetëm në garën e 2 shkurtit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›