E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë a dy ?

Milan Junior Camp e kompleton sot eksperiencën e parë në Kosovë. Për pesë ditë, rreth 200 fëmijë e patën mundësinë të stërviten me trajnerë ekspertë të futbollit. Në konferencën e mbajtur të dielën e kaluar thuhej se pesë më të mirët do të shkojnë në San Siro, ku do t’u bashkohen fëmijëve tjerë nga mbarë bota. Mirëpo, në ueb faqen zyrtare të Milanit shkruan se në Itali do të shkojnë vetëm dy më të mirët. Shtrohet pyetja: pesë a dy ?

Milan Junior Camp e filloi punën në Kosovë të hënën për herë të parë. Rreth 200 fëmijë, prej tyre edhe nga minoritetet, stërvitën pesë ditë me trajnerët e specializuar të klubit Rossoner, me ëndrrën e vetme t’i bashkohen gjigantit italian në San Siro.

Në konferencën për shtyp, të mbajtur të dielën që shkoi, u tha se pesë më të mirët që do të dalin nga ky kamp, do t’u bashkohen fëmijëve nga 40 vende të botës, me shpresën që të bëhen pjesë e akademisë së klubit kuq e zi.

Mirëpo, në ueb faqen zyrtare të Milanit, acmilan.com shkruan ndryshe. Aty përmendet fakti se Milan Junior Camp e ka nisur edicionin e parë në Kosovë, por numri i njomakëve që do të zbarkojnë në San Siro thuhet të jetë dy, e jo pesë siç ishte thënë.

“AC Milan ka arritur në Kosovë me projektin e parë Milan Junior Camp. Kampioni i Italisë e ka bashkuar Kosovën në listën e shumë vendeve ku aplikohet ky projekt. Një ekip trajnerësh të Milanit do të ushtrojnë me fëmijët në aspektin tekniko-taktik, ndërsa më pas ata do ta nxjerrin një rezultat dhe do t’i zgjedhin dy djelmoshat më premtues që do të ftohen në Milani, në Milan Junior Camp Day, eveniment që e mbyll sezonin e kampeve, ku marrin pjesë djelmoshat e selektuar nga e tërë bota”, shkruan në ueb faqen e klubit italian.

Mirëpo, Bul Salihu, njëri nga organizatorët e kampit nga kompania Taçi Oil, insiston se në Itali do të shkojnë pesë më të mirët, ashtu siç ishte paralajmëruar. Mirëpo, kjo nuk do të ndodhë sivjet, sepse në vendin tonë është mbajtur vonë ky eveniment.

“Është e sigurt, pesë më të mirët nga Kosova do të shkojnë në Milano. Mirëpo, ata nuk do të shkojnë sivjet, por vitin tjetër. Milan Junior Camp Day mbahet çdo fundvit, por këtë herë është vonë. Andaj, djelmoshat kosovarë do të shkojnë në San Siro vitin tjetër”, deklaroi Salihu

Edicioni i parë i Milan Junior Camp në Kosovë përfundon sot. Aty morën pjesë djelmosha nga 8 deri në 14 vjeç, që stërvitën me ekspertë të futbollit. Nëse ndonjëri prej futbollistëve të rinj kosovar shfaqë talent edhe në kampin e përbashkët në Itali, atëherë ata mund të mbeten në Milano për t’u zhvilluar si futbollist.

Një gjë është e sigurt: ata që e meritojnë, do t’i bashkohen ekipit të të rinjve të shtatë herë kampionit të Italisë. Milani është ekipi i parë i madh evropian që ka zbarkuar në Kosovë me një kamp, i cili do t’u mundësojë të rinjve t’i shfaqin vlerat e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›