E Diel, 1 Nëntor 2026

Drama "Vizita e damës plakë”, sukses në teatrin “Bylis”

FIER - Trupa e teatrit “Bylis” shfaqi mbrëmjen e djeshme për publikun fierak dramën “Vizita e damës plakë”, të autorit Friderik Durrenamtt,vënë në skenë nga regjisori, Kiço Londo.
Loja e bukur, plot gjallëri e vërtetësi e aktorëve,Tinka Kurti, Astrit Hasani, Dashamir Halitaj, Shpëtim Shehu, Myzafer Zifla, Klajdi Marku, Dorjana Caushi etj, i dhanë më shumë vlerë dhe ngjyra emocionale kësaj drame,e cila tingëllon sa e hershme,aq edhe aktuale dhe akute.
Shfaqja ishte një miks mes komedisë mizore dhe dramës, ku drejtësia e çoroditur dhe e tronditur nga pushteti i lekut, është një fenomen aktual edhe në ditët e sotme, kur shpesh ndërgjegjia njerëzore vihet përballë alternativave të blerjes së drejtësisë me lekë,ndaj dhe pyetja se cili është çmimi i ndërgjegjes sonë dhe a mund të blihet drejtësia për 1 milion dollarë ,ndihet gjatë gjithë dramës. 

Drama në të njëjtën linjë që trajton mundësinë e blerjes së drejtësisë, trajton edhe anën tjetër, atë të vrasjes dhe hakmarrjes personale, si një mundësi,për të çuar drejtësinë në vend. Kjo është shfaqja e dytë teatrale e teatrit”Bylis” vënë në skenë gjatë këtij viti, nën regjinë e Londos.
Spektatori që ndoqi premierën e dhënë mbrëmë, duartrokiti në nderim të përkthyesit të veprës, Ardian Klosi, I cili, pas një gjendje depresive, dy ditë më parë, I dha fund jetës së tij, duke u vetëvarur.
Pas shfaqjes, regjisori i dramës, Kiço Londo tha se vdekja e Klosit është një humbje e madhe për kulturën shqiptare. “Miku ynë që sot je një pjesë e qiellit , një ditë do të takohemi, e deri atëherë miqësia jonë vazhdon”, tha Londo. 

Shfaqja është e ndërtuar mbi një pyetje të papërshtatshme: Cili është çmimi i ndërgjegjes sonë, dengje me dollar apo, ndoshta, 30 monedha argjendi? Vepra ngre pikëpyetjen nëse është e mundur të blihet drejtësia në njërën anë dhe në anën tjetër nëse vrasja dhe hakmarrja personale mund ta çojnë drejtësinë në vend. Fuqia e dramës qëndron veçanërisht në skemën, e mundësisë së dhënies së drejtësisë për një milion dollar. 

"Vizita e Damës Plakë” e pati premierën në Zyrih në vitin 1956. Dyrenmat ishte 35 vjeç në atë kohë, dhe vënia në skenë e dramës i siguroi atij njohje të menjëhershme ndërkombëtare, duke i atribuar reputacionin e dramaturgut. 

Kjo është shfaqja e dytë e Kiço Londos në “Bylis” të Fierit, pas komedisë “Jo vetëm shtrirë, bëj diçka”, bashkëpunime këto mes Teatrit Shëtitës dhe “Bylis”. Ndërkohë, komedia “Jo vetëm shtrirë, bëj diçka” do të shfaqet në datat 29 dhe 30 prill në Pallatin e Kulturës “Vaçe Zela” në Lushnje, duke realizuar kështu një nga idetë e fillesës së Teatrit Shëtitës, gjithëpërfshirje të zonave artistike jashtë Tiranës.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›