E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drama e Muamba, i vdekur për 78 minuta pas atakut

LONDER-Humbëm? Ka qenë kjo pyetja e parë e bërë nga Fabris Muamba, kur ka hapur sytë dy ditë pas atakut kardiak që pësoi në “White Hart Lane”, në ndeshjen ndaj Totenhemit. Një shenjë se mesfushori i Boltonit kishte ende memorje dhe se goditja nuk ka lënë pasoja të pariparueshme. Pranë tij ka qenë i ati Xhoshua, që i ka thënë se ndeshja u ndërpre, ndërsa Fabris ka vijuar me pyetjen e radhës: “Përse?”. “Për ty”, i është përgjigjur babai, që më pas ka ftuar trajnerin e skuadrës Ouen Koil të shkonte në shtëpi dhe t’u thoshte futbollistëve që të riktheheshin të luanin për djalin e tij. Koil qëndroi për 3 ditë rresht pa lëvizur në London Chest Hospital, në pritje të lajmeve nga futbollisti i tij. Drejtuesit e Boltonit kishin vendosur ta braktisnin Kupën e Anglisë dhe të kërkonin shtyrjen e ndeshjes me Blekbërnin këtë të shtunë, por tashmë vullneti i familjes së Muamba është që ata të luajnë për Fabris. Mesfushori 23-vjeçar është duke u përmirësuar vazhdimisht dhe 4 ditë pas atakut kardiak, ka nisur të marrë frymë vetë dhe të reagojë. E ndërkohë, mesazhet nuk kanë munguar nga e gjithë bota e sportit. Një pjesë e madhe e futbollistëve anglezë e kanë vizituar në spital, ndërsa Leo Mesi dhe Barcelona veshën një fanelë dedikuar atij. Boksieri Amir Khan e ka ftuar të jetë i pranishëm në sfidën për titullin botëror ndaj Lamont Peterson, më 19 maj në Las Vegas.
I vdekur
Por çfarë ndodhi realisht në ato momente tmerri në stadiumin e Totenhemit? Mjeku i Boltonit, Xhonatan Tobin, në një intervistë emocionuese në BBC ka treguar se lojtari kishte kaluar një periudhë të gjatë si “i vdekur”. “Kishim frikë për më të keqen, praktikisht Muamba vdiq për 78 minuta: 48 minuta nga fusha derisa shkoi në spital dhe 30 minuta më pas. Dukej e pamundur ta rikthenim në jetë. Kur shkuam në spital mjekët nisën të marrin situatën në dorë dhe në korridor nisa të qaja. Bëhej fjalë për Fabris, jo për ndonjë tip çfarëdo që e has në rrugë. E njoh atë dhe familjen e tij, bëja shaka çdo ditë me të, - rrëfeu mjeku i Boltonit. – I pari që e kuptoi që situata ishte e rëndë ishte fizioterapisti Andi Miçell, që nisi të ulëriste të vraponim shpejt në fushë. Përdorëm dy herë defibrilatorin në fushë, njëherë në tunel dhe 13 herë në ambulancë, por asgjë nuk dukej se funksiononte. Nuk e besonim se do ta merrte veten kaq shpejt, siç po bën. Është e pabesueshme”, shtoi Tobin.
Heroi
Shpëtimi i jetës së Fabris Muamba, në një masë të madhe ishte meritë e mjekut kardiolog Endrju Diner, që ndodhej në stadium si tifoz i thjeshtë i Totenhemit. Ai hyri menjëherë në fushë dhe ndihma e tij ishte vendimtare. Tashmë Diner është një hero për të gjithë. Trajneri i Totenhemit Herri Redknap, e ka ftuar të jetë i pranishëm në stërvitjet e skuadrës së tij. “Dua t’i shtrëngoj dorën këtij heroi”, ka thënë tekniku anglez. “Kur pashë që po nisnin të bënin rikthimin në jetë me defibrilato, u ndez diçka brenda meje dhe hyra menjëherë në fushë për të dhënë ndihmën time, - ka thënë kardiologu i London Chest Hospital. – Mendoj se ky është rasti i duhur kur mund të flasim për një mrekulli. Rikuperimi i tij është i pabesueshëm. Dy orë pasi e mori veten e pyeta për emrin e tij dhe m’u përgjigj saktë. Më pas i thashë se kisha dëgjuar që ishte futbollist i madh dhe ai më tha se provonte të ishte i tillë. Në atë pikë, më shpëtuan lot edhe mua”, tregoi më tej Endrju Diner.

DRAMA
Fabris Muamba u rrëzua në fushë në minutën e 41-të të ndeshjes Totenhem-Bolton, për Kupën e Anglisë. Ai pësoi një atak kardiak dhe pas 48 orësh në gjendje thuajse të pashpresë, e rimori veten. Sot, ai është në përmirësim e sipër në një spital të Londrës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›