E Shtunë, 31 Tetor 2026

Identifikohet autori i vrasjes pas sherrit për gërvishtjen e makinës

Policia: Autor i dyshuar i krimit, Përparim Mahmutaj, u largua menjëherë pas vrasjes

Luan Kondi

Berat– Policia e Beratit ka mundur të identifikojë dhe të shpallë në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së 26-vjeçarit që ndodhit paraditen e djeshme në Berat. Sipas policisë autori i dyshuar i krimit është Përparim Mahmutaj 46-vjeç, i cili është larguar menjëherë pas vrasjes.
Ngjarja
Krimi ndodhi pas një sherri për motive të dobëta mes dy personave të cilët nuk njiheshin me njëri-tjetrin. Burime nga policia thanë se 26-vjeçari Erion Toska banues në fshatin Duhanas kishte vetëm një javë që ishte kthyer nga Greqi. Paraditen e sotme ai po parkonte automjetin e tij në një lagje në Berat kur u gërvisht nga një tjetër makinë pronë e 42-vjeçarit Përparim Mahmutaj. Mes tyre ka nisur një sherr ku pas fjalëve të ndërsjella, Erioni e ka ndjekur Përparimin deri në shtëpinë e tij. Po sipas policisë dyshohet se Mahmutaj i është kundërpërgjigjur 26-vjeçarit me pistoletë duke e qëlluar një herë në kokë. Për pasojë ai ka gjetur vdekjen gjatë transportimit drejt spitalit. Ndërkohë që autori i dyshuar i krimit është shpallur në kërkim.
Raste
Më 13 janar 2009, rreth orës 17:00, i rënë në depresion dhe në gjendje të dehur, Reshit Adri mori kallashnikovin dhe doli në mes të fshatit Podgorie, të Komunës Vreshtas, rreth 20 kilometra larg qytetit të Korçës, duke qëlluar kuturu dhe duke shkaktuar terror në fshat. Plumbat ekzekutuan bashkëfshatarin e tij të pafajshëm, njëkohësisht i afërm i tij, Lulzim Laze, 41 vjeç, si dhe plagosën rëndë një grua. Viktima Laze ka qenë duke iu afruar shtëpisë së vet kur ka mbetur i vdekur në vend. Ai është transportuar për në morgun e Spitalit të Korçës, ndërsa bëhet e ditur se ka marrë katër plumba në kraharor. Burimet policore, por edhe të afërm të 53-vjeçarit, pohojnë se autori i krimit ka pasur probleme mendore që pas vetëvrasjes së djalit të tij. Tashmë shtetasi Reshit Adri akuzohet për veprat penale të vrasjes, armëmbajtjes pa leje dhe kërcënim të forcave të rendit. Dosja në ngarkim të tij i ka kaluar prokurorisë së rrethit. Më 9 prill 2009 shtetasi me inicialet R. A., ka sinjalizuar policinë duke pohuar se disa të afërm të tij po e kërcënojnë dhe forca të Komisariatit të Kurbinit, kanë shkuar menjëherë në vendin e denoncuar. Atje kanë gjetur një automjet, të cilit i kanë kryer një kontroll ku dhe gjetën një armë të tipit “Beretë”, si dhe një sasi të konsiderueshme fishekësh. “Ne kemi kryer arrestimin në flagrancë të drejtuesit të automjetit, 49-vjeçarit Ajet Osmani, banues në Milot”, - thanë për gazetën “Albania” burime zyrtare policore. Nga hetimi doli se Ajet Osmani ka kanosur disa herë për vdekje, R. A., pasi kanë pasur një konflikt mes tyre, për arsye pronësie. Burimet hetimore treguan për gazetën se bëhet fjalë për një tokë që aktualisht shfrytëzohet nga R. A., por që Ajet Osmani, pretendon të jetë e tija.

“Pushtohet” plazhi i Durrësit, policia merr masa të rrepta

Durrës – Temperaturat e larta të cilat kanë pushtuar vendin ditët e fundit kanë detyruar një pjesë të mirë të qytetarëve të Tiranës të zbarkojnë në plazhin e Durrësit. Fundjava ka tejmbushur plazhin e Durrësit i cili është frekuentuar jo vetëm nga kryeqytetasit por edhe nga durrsakët, banorë të qyteteve të tjera apo edhe shtetas kosovarë. Kjo ka detyruar policinë të marrë masa për të evituar ndonjë incident në plazhin e Durrësit. Mësohet se forca të shumta të policisë kanë nisur patrullimet e tyre 24 orë pa ndërprerje gjë e cila ka dhënë rezultatet e saj duke mos u shënuar asnjë incident ditën e sotme ku pushuesit kanë arritur kulmin. Policia bëri të ditur se do të vazhdojnë patrullimet pa ndërprerje.

Masa e sigurisë “arrest shtëpie” nuk e ka penguar të vjedhë përsëri

Shkodër – Kryen dy vjedhje brenda ditës, kapet gjatë tentativës së realizimit të vjedhjes së tretë. Një 31-vjeçar nga Shkodra ka tentuar të “sfidojë” masën e sigurisë, duke realizuar tre vjedhje brenda pak orësh në vende të ndryshme në qarkun e Shkodrës. Megjithëse Gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për 31-vjeçarin Ylli Erkoviç, pasi akuzohej për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim, ai nuk ka hezituar jo vetëm që të shkelë vendimin e gjykatës, por të tentojë të kryejë tri vjedhje njëra pas tjetrës. Burime nga policia e Shkodrës thanë se 41-vjeçari dyshohet se në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme ka vjedhur dy dyqane, dhe po në të njëjtën ditë ka tentuar të kryej vjedhje në një hotel ku dhe është kapur në flagrance. Policia bëri të ditur se u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale sendet e vjedhura tek dyqani në pronësi të shtetasit K. H. Materiali do ti kaloje për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër në ngarkim të Ylli Erkoviç për veprën penale të “Vjedhjes më shumë së një herë”.

Operacioni antidrogë, policia asgjëson 3451 bimë lënde narkotike

Plot 3451 bimë lëndësh narkotike ka mundur të asgjësojnë paraditen e sotme forcat e policisë në komunën Cudhi të Krujës dhe në Vlorë. Ato bëjnë me dije se kjo sasi e madhe bimësh narkotike u mundësua të kapet në kuadrin e operacionit të koduar “Kroi i gjarprit”, në kuadrin e të cilit forcat policore kishin kohë që po mblidhnin informacionet e nevojshme. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertë të cilët kanë bërë vëzhgim mbi llojin e bimës së sekuestruar, duke pritur që të ketë detaje të mëtejshme pas çuarjes së tyre në laborator. Ndërkaq, nuk bëhet ende i ditur identifikimi i personave të cilët mund të kenë gisht në rritjen e këtyre bimëve. Ky operacion, vijon atë me emrin “topografi”, në kuadër të të cilit vetëm pak ditë më parë u mundësua asgjësimi i rreth 5100 rrënjë bimë narkotike me lartësi 2 metra, Cannabis sattiva në zonën e Niklës. Ndërsa në një tjetër operacion policia e Vlorës ka asgjësuar 500 bimë narkotike të llojit cannabis sattiva. Burime zyrtare të Policisë së Vlorës, bënë të ditur se bimët narkotike u asgjësuan gjatë 48 orëve të fundit në aksionet e ndërmarra në fshatrat Armen dhe Velçë, respektivisht 25 dhe 45 km në lindje të qytetit të Vlorës. Ky aksion i policisë ka pasuar edhe disa aksione të tjera që policia ka ndërmarrë prej disa javësh në rrethin e Vlorës, për të asgjësuar bimët narkotike të kultivuara në zona të ndryshme. Sipas të njëjtave burime, dukuria e kultivimit me lëndë narkotike ka pësuar ulje të ndjeshme në krahasim me vitin e kaluar , ku u identifikuan 102 raste të kultivimit të bimëve narkotike dhe u asgjësuan 18802 rrënjë Cannabis sattiva.

Kallëzim penal një 34-vjeçari nga Pogradeci, posedonte një arsenal armësh

Ohër - Policia në Ohër, ka ngritur kallëzim penal kundër 34-vjeçarit shqiptar me iniciale F. Ç. nga Pogradeci, bazuar në dyshimin se ka kryer vepër penale, “prodhim, mbajtje dhe tregti të palejueshme me armë zjarri dhe materie shpërthyese”. Kallëzimi penal kundër shtetasit shqiptar është ngritur për shkak se në mënyrë të palejueshme, nga Shqipëria, ka sjellë sasi të konsideruara të armëve, me qëllim të tregtimit në Maqedoni, personave shtetas të Maqedonisë. Personi në fjalë , pasi ka qenë nën vëzhgimin e SPB-së në Ohër, ka pas edhe informacione operative nga ana e SPB-së , për aktivitetin e tij, se armët dhe municionin e ka sjellë ilegalisht, duke anashkaluar vendkalimet zyrtare kufitare dhe i ka fshehur në një bunker të përshtatur në afërsi të fshatit Lubanishtë. Më 16 korrik 2009, rreth orës 11:30 minuta, mbi fshatin Lubanishtë, shqiptari është vënë re së bashku me një person tjetër në afërsi të rrugës magjistrale, dhe afër bunkerit, në momentin kur me vete kishte një thes. Që të dy personat, para zyrtarëve të policisë kanë tentuar të arratisen, me ç’rast njërit i shkoi për dore, ndërsa F. Ç. duke kundërshtuar, rezistuar dhe reaguar forcërisht është arrestuar. Me atë rast janë gjetur dy pushkë automatike të kalibrit 7.62 mm, dy karikator plot me municion, një revole me karikatorin përplot si dhe rreth 1.000 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm, për armë automatike. Armët e gjetura dhe të konfiskuara, janë dorëzuar për ekspertizë të mëtejmë në MPB, të RM-së , ndërsa shtetasi shqiptar F. Ç. është privuar nga liria dhe është dorëzuar organeve kompetente për procedurë të mëtejme gjyqësore, në Gjykatën Themelore në Ohër. Pjesëtarët e SPB-së në Ohër, kanë ndërmarrë masa dhe aktivitete plotësuese për zbardhjen e plotë të rastit, kapjen e personit të dytë , që arriti të arratiset, dhe dorëzimit të tyre organeve të drejtësisë- njoftoi SPB në Ohër.

Shpërthimet, banorët e 2 fshatrave në protestë

FIER - Qindra banorë të fshatit Kuqar dhe Zharrës në rrethin e Fierit, dje kanë protestuar për shpërthimet masive që bëjnë kompanitë e huaja në zonat naftëmbajtëse. "Dje, më shumë se kurrë ndjemë rrezikun e vdekjes. Shpejtuam të dilnim jashtë nga shtëpitë që të mos mbeteshim poshtë nën gërmadha". Kështu janë shprehur banorët e dy fshatrave në fjalë. Mësohet se si pasojë e lëkundjeve të forta të tokës janë dëmtuar rëndë tri banesa në fshatin Kuqar. “Situata është alarmante. Prej më shumë se një muaji vazhdojnë lëkundjet e tokës. Lëvizjet nuk janë të vazhdueshme, por toka dridhet disa herë në ditë. Nga gjithë këto tronditje, banesat kanë marrë plasaritje në pjesën e çatisë dhe të mureve. Nga momenti në moment, ato mund të rrëzohen”, - tregon Neim Laze (njëri prej banorëve që i është dëmtuar shtëpia). Nisur nga situata e krijuar, banorët e dy fshatrave në fjalë dje u hodhën në protestë, duke bllokuar qarkullimin në aksin rrugor Fier-Berat. Ata deklaruan se nuk do të heqin dorë nga protestat, nëse drejtuesit e firmave të huaja nuk marrin masa për zgjidhjen e këtij problemi.

Vetëdorëzohet shoku i autorit të vrasjes së 23 –vjeçarit

TIRANE- Vetëdorëzohet në polici Arben Basha, personi i cili u dyshua se kishte marrë armën me të cilën Donald Prengapuca kishte vrarë shokun e tij Edvil Koço. Arbeni ka treguar edhe vendndodhjen e armës, që është gjetur në lokalin ngjitur dyqanit të Pengapucas dhe që sipas policisë nuk rezulton të jetë larguar apo fshehur prej tij. Ngjarja e rëndë ndodhi në orën 16:00 të së enjtes, tek pallatet “Hawai”, në Laprakë, kur Donaldi, Edvili, Arbeni dhe një person tjetër kanë qenë duke luajtur tavëll. Vetë Donaldi ka deklaruar në polici se vrasjen e ka kryer nga pakujdesia duke luajtur me armën, kurse policia “ndryshon” versionin e një dite më parë, nga vrasje aksidentale në vrasje me dashje.

20 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›