E Diel, 1 Nëntor 2026

1992-1997, Shqipëria, furnitore e dorës së parë me armë për Afrikën

Relacionet e Pinarit zbardhin tregtinë me vendet afrikane

Letrat koifidenciale që Ylli Pinari u ka dërguar disa ministrave të Mbrojtjes kanë hedhur dritë në mënyrë tangente mbi tregtinë që Shqipëria ka zhvilluar me vendet afrikane(1992-2004) kur këto të fundit ishin në kulmin e luftës. Zyrtarisht, gjithçka duket në rregull dhe vendi ynë rezulton se përherë ka marrë masa për të shmangur vendet nën embargo, por “si për çudi” gjithnjë destinacioni i armatimeve dhe kallashnikovëve shqiptarë ka qenë shumë pranë tyre. Trekëndëshi i egër territorial, ku takohen kufijtë e Sudanit, Ugandës dhe Republikës Demokratike të Kongos zyrtarisht është në paqe, për herë të parë në dy dekada. Tre luftëra civile ndërmjet viteve 1983 dhe 2005 në Sudanin jugor, Ugandën veriore dhe në Kongo e kanë bërë këtë rajon më të paqëndrueshmin në botë. Megjithatë, pakti është i brishtë, pavarësisht marrëveshjes së arritur mes tre vendeve, ndërsa situata mund të përshkruhet si "paqe e dhunshme" për shkak të qarkullimit të armëve të lehta. Armët kanë vërshuar në rajon më shumë sesa vitet në konflikt. Lëvizjet e rebelëve në Sudan, Uganda dhe Kongo shpeshherë mbështeten nga qeveritë fqinje, të furnizuara me armë që vijnë nga vende aq të ndryshme si Shqipëria, Izraeli, Afrika e Jugut, Ukraina, Britania dhe Etiopia. Askush nuk e di sesa armë të lehta gjenden në duart e grupeve guerile, grupeve kriminale apo civilëve të zakonshëm.
Rastet
Shteti shqiptar rezulton të ketë thyer embargon ndërkombëtare edhe ndaj Ruandës, duke realizuar tregtimin e rreth katër milionë fishekësh. Incidenti është shkaktuar në mënyrë thuajse të pavetëdijshme, ndërsa ka ndodhur një keqkuptim lidhur me listën e vendeve që ishin nën embargo. Historia e këtij trafiku fillon nga konstatimi i Ambasadës së Britanisë në Tiranë se Ministria e Mbrojtjes ishte përfshirë në tregtinë e armëve në kundërshtim me konventat ndërkombëtare. Bazuar mbi këtë shqetësim është ndërtuar edhe një letërkëmbim zyrtar mes zëvendëskryeministrit, njëkohësisht ministër i Jashtëm i asaj kohe, Ilir Meta, dhe ministrit të Mbrojtjes, Pandeli Majko. Në datën 23 qershor 2003, Meta i nis një letër Majkos me nr.prot 110, ku thotë se më 20 qershor kishte marrë sinjalizimin nga ambasadori i Britanisë. "Bëhet fjalë për një ngarkesë armësh dhe municionesh me origjinë nga Shqipëria dhe me destinacion Ruandën. Ngarkesa, sipas ambasadorit britanik, ishte transportuar me avion, kishte bërë një ndalesë në Libi, me qëllim rifurnizimin me karburant, përpara mbërritjes në destinacionin final, në Ruandë"
Meico
Një konflikt ndërkombëtar për një ngarkesë armësh të nisur drejt Armenisë dhe një tjetër raport që pohon se kallashnikovët shqiptarë gjenden lehtësisht në Uganda. Megjithëse vendi ynë ka ratifikuar marrëveshjet ndërkombëtare që ndalojnë tregtinë e armëve me shtete në konflikt, ende është e paqartë se si dhe ku i shet armët MEICO. Vetëm dy vite më parë më parë, Azerbajxhani ka nisur një notë-proteste në adresë të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, çka solli edhe kthimin në Shqipëri të 60 kontenierëve me armë dhe artileri ajrore,për të cilat kompania shtetërore MEICO kishte lidhur një kontratë me Armeninë. Si në këtë rast, ashtu edhe në raste të tjera kur është përfolur se armët shqiptare përfundojnë në Afrikë, nga MEICO nuk ka ardhur asnjë sqarim për opinionin publik, duke hedhur më shumë hije dyshimi për mënyrën sesi funksionon kjo kompani.

Konflikti i Gjeorgjisë, kompjuteri i Pinarit “përgënjeshtroi” Berishën

Sekuestroja e kompjuterit personal të Ylli Pinarit zbardhi dhe kontratat e shumë përfolura të armatimeve mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë. Në vitin 2008 Rusia e akuzoi publikisht Shqipërinë si një ndër vendet që I kishte shitur armë Gjorgjisë, ndërsa menjëherë kryeministri Berisha mohoi po publikisht. Megjithatë sot rezulton se kontrata ka patur, madje në njërën prej tyre, atë më të madhen me vlerë 3 milionë euro janë gjendur dhe gjurmët e trafikantit Henri Tomei, pronarit të firmës “Evdin ltd”. Të gjitha kontratat e shitjes së armëve me Armeninë kompania jonë MEICO, I ka kryer me kompaninë armene “MELVALE”. Por në numrin e kontaktit të kompanisë “MELVALE” rezulton I njëjti numër kontakti sin ë rastin e kompanisë “SAC”, numër për të cilin prokuroria dyshon se nuk i përket as kompanisë “MELVALE” e as kompanisë “SAC” por i përket trafikantit ndërkombëtar të armëve Henri Tomei. "Shqipëria renditet ndër vendet që ka furnizuar me armë Gjeorgjinë". Deklarata është bërë publike në shtator të vitit 2008 nga shefi i shtabit të ushtrisë ruse, Anatoli Nogovitsyne, gjatë një konference për shtyp. Moska zyrtare ka akuzuar një grup vendesh ballkanike dhe të Evropës perëndimore që kanë furnizuar me armë Tbilisin. Përpos Shqipërisë, akuzat kanë qenë të njëjta edhe për Maqedoninë, Bullgarinë, Ukrainën, Serbinë, Hungarinë dhe Rumaninë. Asokohe Kryeministri Berisha mohon akuzat e ngritura nga një gjeneral rus, sipas të cilit Shqipëria u ka shitur armë Gjeorgjisë. Në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Islandës Geir Haarde Berisha deklaroi se “Të mendosh se Gjeorgjia paska nevojë për armët e Shqipërisë, është një shpikje. Gjeorgjia është një vend që ka pasur armët e veta dhe ushtrinë e vet”.Kryeministri Berisha tha se nuk ishte i habitur me sulmin rus dhe se këto sulme kanë një qëllim konstant ndaj shqiptarëve ( duke nënkuptuar dhe çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës). “Akuzat ruse nuk më çudisin. Ka një qëndrim konstant ndaj shqiptarëve. Për mendimin tim qëndrim rus ndaj vendeve të vogla është jashtëzakonisht i dënueshëm. Një ditë sulmon një vend, ditën tjetër bën deklarata kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO”- mbylli deklaratën e tij kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha.

MEICO, një histori trafiku dhe misteri
Ish-presidenti amerikan, Bill Klinton vlerëson se mosndërhyrja e OKB-së në luftën civile në Ruanda është keqardhja më e madhe e administratës së tij. 800 mijë vetë u vranë brenda 100 ditëve, duke nisur që nga 6 prilli i vitit 1994 deri në mesin e muajit korrik. E ndërsa genocidi i milicisë Hutu mbi fiset Tutsi rëndon në ndërgjegjen e gjithë botës, disa raporte të institucioneve ndërkombëtare hedhin dritë mbi trafikun e armëve nga disa vende të Evropës drejt Afrikës Qendrore. "Albania", "Meico", "ammunition" "Mil-Tec" janë disa nocione që të shkëputura nuk të thonë asgjë, por nëse bashkohen nxjerrin në pah një të vërtetë tronditëse: Qeveria shqiptare ka realizuar në mesin e viteve '90 trafikun e armëve drejt Ruandës nëpërmjet kompanive të huaja, duke përfituar miliona dollarë dhe duke thyer të gjitha ligjet ndërkombëtare që i nënshtroheshin embargos që OKB-ja kishte vendosur në ato vite. Nuk është hera e parë që qeveria Berisha shet armë në vendet që janë në konflikt. Në mesin e viteve '90, Berisha shkeli embargon e OKB-së dhe trafikoi armë në mënyrë të paligjshme në Zaire dhe në Kongo.Ndërkohë që disa muaj më parë autoritetet turke i kanë thënë jo kalimit nga territori i tyre i një sasie të konsiderueshme armatimi dhe municioni të ushtrisë shqiptare me destinacion Armeninë. Ato e kanë detyruar anijen shqiptare që të kthehet andej nga ishte nisur me gjithë ngarkesë. Anija kishte udhëtuar nga porti i Durrësit në drejtim të portit të Stambollit e ngarkuar me 60 konteinerë të mbushur me armatim artilerie dhe me municionet përkatëse me synim tranzitimin e tyre në shtetin armen. Ditë më parë një përfaqësues ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes Armene kishte kontaktuar me përfaqësuesin e Ministrisë së Mbrotjes Shqiptare dhe kishte bërë porosinë për blerjen e një sasie të konsideruesheme grykash zjarri të artilerisë tokësore dhe asaj kundërajrore të kalibrave të ndryshëm duke filluar nga topat 75 mm e deri te topat obuz me kalibër 122 mm të shoqëruara me kompletet e tyre të municioneve. Për të realizuar shitjen e kësaj sasie armatimi Ministria jonë e mbrojtjes caktoi firmën "MEICO" me eksperiencë në këtë sferë biznesi pasi njihet për shitjen e armatimeve që në kohën kur dikasterin e Mbrojtes e drejtonte Safet Zhulali. Armenia është në një konflikt të hapur me fqinjin e vet Azerbajxhanin dhe ky konflikt mund të marrë përmasat e mesit të viteve '90 ku mijëra vetë vdiqën në luftime. Siç dihet në Azerbajxhan jeton një shumicë e konsiderueshme e popullsisë turke dhe shteti turk ka qenë historikisht i ndjeshëm ndaj këtij konflikti.

20 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›