Dramë në Shkodër, shtesa fatale në Vllaznia-Besa
Një dramë e vërtetë ndodh në Shkodër për ndeshjen Vllaznia-Besa, por në fund buzëqeshin vetëm kavajasit, të cilët marrin një fitore të çmendur 2-3, e cila u vulos vetëm në minutat e stërzgjatura shtesë të lojës. Një fillim befasues për kuqeblutë, të cilët e kanë parë veten në dizavantazh që në minutën e parë. Pas shkelmimit të topit të parë nga qendra, sulmuesi i Besës, Daniel Xhafaj, shokon Vllazninë, duke shënuar në portën e Grimës. Miqtë e nisin kështu këtë takim 1-0, gjë që vështirëson gjithçka për shkodranët, të cilët marrin një goditje psikologjike. Tentojnë të reagojnë, duke sulmuar vazhdimisht. Mesfusha e tyre nuk është në ditën më të mirë dhe manovra ofensive çalon në lidhjen me sulmin, ku Sinani dhe Bala duken disi të shkëputur. Kavajasit janë më të qetë, të rrjedhshëm në lojën e tyre dhe provojnë të ndëshkojnë sërish me kundërsulmet e shpejta. Krijojnë disa raste, por nuk tregohen të saktë para portës. Pjesa e parë mbyllet 0-1 për Besën. Në të dytën trajneri Luçi kërkon reagimin e të tijve, i cili vjen me sulme të shumta. Ndërsa tekniku Duro kundërpërgjigjet me manovrat e kujdesshme në mbrojtje dhe kundërsulmin e shpejtë. Insistimi shkodran sjell golin e barazimit 1-1. Në minutën e 56-të, i riu i talentuar Bala, pasi driblon bukur dy mbrojtës kavajas, jep një asist për Sinanin, që nuk gabon. Pas 12 javësh të Superiores, zhbllokohet më në fund edhe goleadori i njohur shkodran, duke shënuar golin e parë sezonal. Ai gol çorodit verdhezinjtë dhe rrit adrenalinën e shkodranëve si në fushë edhe në shkallët e "Loro Boriçit". Vllaznia këmbëngul dhe në minutën e 75-të, Sinani i kthen reston Balës: shmang dy mbrojtës verdhezinj, më thembër jep asit për Balën, që mposht portierin Shehi me një gjuajtje në trekëndëshin e djathtë. "Loro Boriçi shpërthen nga gëzimi. Pas kësaj përmbysjeje, shkodranët besojnë më shumë se kurrë se është dita e tyre, por minuta e fundit shtesë, e katërta (94‘) ka qenë fatale për ta. Cikalleshi, i futur në radhët e Besës, ka prishur ëndrrat e vendasve, ku ka kthyer në gol një top të marrë nga shokët e skuadrës. Por përmbysjet nuk do të mbaronin këtu, sepse gjyqtari kryesor, Lorenc Jemini, e ka vijuar lojën deri në minutën e 97-të, kur një kundërsulm pa pretendime i Besës, ka gjetur kokën e Lecit, i cili me kokë mposht për të tretën herë Grimën. Besa, në një mënyrë krejt dramatike, fiton 2-3, ndërsa lojtarë, drejtues e tifozë shkodranë nuk u besojnë syve dhe gjithçka kthehet në rritim ndaj gjyqtarit Jemini, që shoi plot 7 minuta lojë. Kështu që kthesa e Vllaznisë ka mbetur në tentativë. Ndërsa një fitore në kohën e duhur për verdhezinjtë, që vijonin rënien e lirë në rezultate, duke mos i dhënë mundësinë Dinamos kryesuese që, pas javës së 12-të, të jetë plot 13 pikë e distancuar nga ndjekësit më të afërt, por 10 pikë.