Ndjekje penale se keqtrajton gruan
Bashkëshorti i një 37-vjeçareje në Tiranë është dërguar për ndjekje penale, pasi dyshohet se në mënyrë sistematike ka keqtrajtuar gruan e tij. Hetimi për këtë person është kryer nga shërbimet e Komisariatit Nr. 6, të cilët kanë marrë në mbrojtje edhe gruan e dhunuar. Sipas të dhënave zyrtare të policisë kryeqytetase, nga shërbimet e Komisariatit Nr. 6 u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për Valbona H., 37 vjeçe, banuese në Tiranë, sepse në banesë, bashkëshorti Arjan H., 43 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Materialet për këtë çështje i kanë kaluar edhe gjykatës, e cila ka nisur procesin për divorcin ose për pajtimin e çiftit, që aktualisht nuk lejohen të takohen mes tyre.