E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra, kundër gjyqtarit: "Dha shtesë mbi shtesë"

Gjyqtari Lorenc Jemini kthehet në protagonist i fitores së Besës në "tempullin"e futbollit shqiptar, "Loro Boriçi". Ky është pretendimi i ngritur në përfundim të ndeshjes nga drejtuesit e Vllaznisë. Sikurse është bërë e ditur, gjyqtari i katërt kishte dhënë vetëm katër minuta shtesë, por gjyqtari kryesor, Lorenc Jemini, e ka vijuar lojën më tej se minuta e 97-të. Pikërisht minutat shtesë kanë qenë ato që u kanë mohuar fitoren 2-1 shkodranëve, të cilët që nga minuta e 75-të udhëhiqnin 2-1 takimin. Në kufijtë e minutës së katërt, e cila duhej të ishte e fundit, një goditje dënimi e kavajasve ka gjetur kokën e Cikalleshit, i cili bën gjëmën në portën shkodrane me golin e barazimit 2-2. Por me rifillimin e lojës nga pika e bardhë në mesin e fushës, gjyqtari Jemi, në vend që të vërshëllente për përfundimin e lojës, vendos të lejojë vazhdimin edhe për mbi 3 minuta. Pikërisht 3 minuta pasi kishte skaduar shtesa prej 4 minutash, kur një kundërsulm pa pretendime i Besës Leci kthen në gol me kokë. Drejtuesit kuqeblu nuk u besojnë syve, por ndihen mjaft të irrituar edhe me gjyqtarin Jemini, i cili shtoi plot 7 minuta lojë. Në përfundim të ndeshjes, Millan Baci dhe Astrit Canaj, dy të dërguarit si vëzhgues të FSHF-së u gjendën në presionin e kontestimeve të futbollistëve dhe stafit të Vllaznisë për shtesën e tepërt të dhënë nga gjyqtari Jemini.

A. Manallari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›