E Diel, 1 Nëntor 2026

"Dy vijat" -Një film mbi njerëzoren, traditat dhe modernen

Tirana Film Festival ka vijuar dje me shfaqjen e filmave me metrazh të shkurtër dhe dokumentarëve. "Shpirti i errët" i regjisores italiane Julia Gromskaya ka çelur të dielën, duke rrëfyer mbi udhëkryqin e ëndrrave të errëta, që, sipas konceptit të saj, është vendtakimi i shpirtit të pastër dhe të kthjellët. Pas tij ka vijuar "Dolores", që ka ardhur nën regjinë e Tatiana Vilacob Melendez nga Spanja. Historia është përqendruar në vitin 1953, në një fshat të San Jansitos në Kolumbi. Dolores Salinas është një grua e moshuar 60-vjeçare, e cila e nxjerr jetesën e saj duke u lutur nëpër funerale. Zakonisht njerëzit e vdekur janë harruar nga periudha e luftës politike në Kolumbi, e cila luftoi në anën e partisë konservatore. Tani, trupi i djalit të saj të vdekur, që ishte vrarë gjatë luftës, duke luftuar për idealin e partisë liberale (krahu i kundërt) mbërrin në fshat. Dolores duhet të gjejë një vend për ta varrosur. Regjisori gjerman Fabian Kaufmann ka ardhur me filmin e tij me metrazh të shkurtër të titulluar "Gjashtë pikë Gjashtë", që në të vërtetë është mesatarja e numrave të lidhjes së mesme, ku dy të huaj njohin njëri-tjetrin. Kjo është vija e fundit e një hipoteze sociologjike, "fenomeni i botës së vogël", i cili u publikua në vitet ‘96 nga sociologu Stanely Milgram. "Sechs Komma Sechs" (6.6) është për paraqitjen e të huajve që jetojnë jetë anonime, duke mos ditur që hapat e tyre kalojnë më shpejt se sa ata dëshirojnë. "Manifestime për një rënie të lirë", i regjisorit holandez Andre Schreuders, vjen si një ese rreth luftës sonë me një monstër me dy koka: mërzitjes dhe frikës së vdekjes. Shumë njerëz janë përpjekur t‘i shpëtojnë kësaj duke bërë aktivitete të gëzueshme, si për shembull kërcime me "banxh". Në një mal të vetmuar të largët, shndërrimi i egos së producentit përcillet duke i predikuar një dhie të vetmuar malesh për rënien si shpëtim i vetëm i vërtetë. Ernest Metolli, i cili vjen me një produksion që përfaqëson Holandën, sjell për publikun filmin me metrazh të shkurtër të titulluar "Iliriana". Ai sjell historinë e Migjenit, i cili në luftë ka humbur djalin dhe bashkëshorten, një artiste nga Kosova. Pas kësaj ai largohet në Holandë me mbesën e tij, Ilirianën dyvjeçare. Ajo është e vetmja që i ka ngelur. Migjeni është gati të rindërtojë një jetë të re dhe tani që Iliriana do të fillojë shkollën përballet me të shkuarën. Ndjesia që ai ka për të lënë mbesën e tij të ikë, e çon në kufijtë e çmendurisë. Edhe një herë i duhet të luftojë për ekzistencën e tij. Dita e tretë e festivalit ka vijuar ndërkaq me filmim me metrazh të shkurtër "Shtatë" të italianit Stefano Ludovichi, e më pas me filmin e animuar "Lulja mishngrënëse" e spanjolles Maria Lorenzo e me "Goleshovo", filmin dokumentar të bullgarit Ilian Metev, që përcjell një përrallë për vdekjen e Goleshovos, një qytet i harruar në malet e Bullgarisë. Këtu, një grusht njerëzish të moshuar luftonin për mbijetesë. Një prift i harruar, që udhëheq kongregacionin e tij, një grua që i gëzon sadopak shoqet e saj me këngë... Jeta vazhdon me pikëpyetjen: a do të kthehen fëmijët e tyre ndonjëherë? Ky dokumentar vjen për të thënë se shpresa nuk merr fund... Mbrëmja ka vijuar me shfaqjen e dokumentarit "Ushtarët e panjohur", i regjisorit nga Gjeorgjia Shalva Shengali, i cili është pjesë e 14 filmave në konkurrim. Ai përcjell historinë e ushtarit Gurchani, një refugjat nga Abkhazia, që hyri në ushtri për të mbështetur familjen e tij, si gjithë të tjerët. Për muaj të tërë ai u trajnua dhe më së fundmi merr rrogën dhe pushimet e tij të para, por pikërisht atë ditë ndodh që filloi edhe lufta. Jepet alarmi dhe të gjithë ushtarët u dërguan në mbrojtje të vendit. Në tri ditë luftime vdiqën 175 ushtarë dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur. Shalva Shengeli ia ka kushtuar këtë dokumentar të gjithë ushtarëve që ndërruan jetë në luftë. "Ushtari i panjohur" zëvendësoi dje shfaqjen e filmit tjetër në konkurrim të turkut Selim Evci, që për arsye teknike do të shfaqet sot, në ditën e katërt të edicionit të shtatë të Tirana Film Festival. "Dy vijat", që e ka pasur premierën botërore këtë vit, në edicionin e 65-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, përcjell historinë e Mert dhe Selin, një çift që ndihen mrekullisht të lumtur së bashku. Ai është një fotograf, ndërsa ajo punon në një zyrë në Stamboll. Ata janë dy të rinj të pashëm, kanë një apartament të bukur dhe bëjnë një jetë të mbushur me aktivitete. Shkojnë nëpër teatro e koncerte duke gëzuar çdo ditë të jetuar së bashku. Djaloshi i ri fotograf, Mert, i kalon ditët duke bërë fotografi, ndërsa endet nëpër lagjet e vjetra të Stambollit, ndërsa Selin punon si biznesmene në një kompani. Çifti, shumë i ndryshëm nga njëri-tjetri, vendosin të shkojnë në një udhëtim, të shkëputen paksa nga jeta e tyre urbane, të njohin veten dhe njëri-tjetrin. Udhëtimi i tyre në të panjohurën nuk ishte planifikuar për aq kohë sa ata jetonin në një nga zonat më të pasura të Stambollit. Por është vetëm ajo që duket së jashtmi prej jetës së tyre të përbashkët. Në të vërtetë, pasioni është larguar nga jetët e tyre. Për këtë arsye vendosin të bëjnë një udhëtim me shpresën se diçka do të ndryshojë. Udhëtimi i bën ata të kuptojnë që janë gjallë dhe të zbulojnë shumë gjëra për veten si kurrë më parë. "Dy vijat" eksploron përplasjen mes traditave turke e vlerave perëndimore dhe se si bëhet një problem gjithmonë e më i rëndësishëm në fushën e seksit, identitetit dhe lirisë. Gjithçka ndryshon me udhëtimin në të panjohurën e madhe, ku protagonistët, dy njerëz që duhet të jenë shumë të afërt, fillojnë pak e nga pak të shfaqen si të huaj. Duke shkuar drejt fundit të filmit, një pyetje qëndron ende pa përgjigje: A mundet që ky udhëtim t‘i bëjë më të afërt apo t‘i shtyjë larg njëri-tjetrit? Sipas regjisorit të filmit, Selim Evci, "Dy vijat" është një vëzhgim i brezit të ri të marrëdhënieve mes meshkujve dhe femrave në Turqinë moderne. Loja e një çifti, si ajo e maces me miun, arrin kulmin kur rolet ndahen dhe zemrat thyen. Dy të rinjtë, Mert dhe Selin, do të bëhen modeli për t‘u ndjekur dhe idhujt për turqit e rinj modernë. "Dy vijat" është përzgjedhur për t‘u shfaqur në disa festivale ndërkombëtare filmash. Kështu ka qenë pjesë e edicionit të tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Bejrut, edicionit të gjashtë të "Crossing Europe" Film Festival në Austri, në Holandë, Norvegji, Brazil, Britani e Madhe dhe Afrikë të Jugut.

Ar.He.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›