E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nata e dytë, ekstravagancë dhe klas

Emocione të veçanta ka dhuruar nata e dytë e "Albania Fashion Week". Të shtunën mbrëma janë prezantuar produktet e linjës "Penelope" me një linjë të frymëzuar nga mitologjia greke simbol i bukurisë, i besnikërisë së figurës ideale të femrës së lashtë e gërshetuar dhe e sjellë në kohët e sotme moderne dhe instituti kosovar i modës "Design Factory", të cilët kanë ofruar një prezantim të guximshëm, duke ndërthurur te veshjet elegante tendencat rinore të kohës. Ka qenë stilisti francez David Priol, një nga themeluesit e institutit të njohur kosovar, i cili mbërriti në Tiranë menjëherë pas prezantimit në Javën e Modës në Sarajevë, që solli në Tiranë krijimet tërheqëse. Përveç stilistit francez, instituti ka tërhequr edhe bashkëpunëtorë të tjerë, si kreatoren nga Amsterdami Chi Chi Lam, e cila është angazhuar në formulimin e krijimeve të këtij produksioni. Koleksioni i paraqitur kishte në brendi vazhdimësinë e temave të kaluara të koleksioneve, duke shtuar këtu elemente gjeometrike, si edhe duke dhënë një dukje minimaliste për sezonin e ri pranverë-verë 2010. Ngjyrat me të cilat është përfaqësuar ky koleksion kanë ardhur të koordinuara edhe me të rejat që na vijnë nga bota e modës sot në botë. Dominonin ngjyra e hirtë, e zeza, e bardha dhe ndërthurja. Elementi që binte në sy ishte ngjyra e kaltër dhe e kuqe. Ndërkaq, në natën e tretë të Javës së Modës Shqiptare janë programuar koleksioni i ateliesë "Angel‘s Style" dhe instituti i modës "Sipam AB".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›