E Diel, 1 Nëntor 2026

Dramë femërore në Teatrin Kombëtar

Një dramë individi, por edhe e një shoqërie. Realiteti që Tenes Uilliams hodhi në një vepër, si një reflektim në kohë edhe i fenomeneve shqiptare, do të ngjitet nesër në skenën e Teatrit Kombëtar. "Menaxheria e qelqtë", pjesë e dramaturgut amerikan, vjen premierë nën regjinë e Adonis Filipit. Yllka Mujo, Monika Lubonja, Neritan Liçaj dhe Arben Derhemi është kasti i aktorëve të përzgjedhur për të mbartur karakteret e personazheve të dramës. Skenografia dhe kostumet janë realizuar nga maqedonasi

Blagoj Micevski. "Menaxheria e qelqtë" është një dramë që pasqyron iluzionet e një realiteti dhe bote të pamëshirshme. Lora Uingfild, një vajzë 24-vjeçare, ka lindur me një defekt fizik. Jeton me të ëmën Amandën dhe vëllain, Tomin. Babai e ka braktisur familjen. Nëna me karakterin e saj përpiqet të ruajë dinjitetin e familjes. Mjerisht ende jeton me ëndrrat e së kaluarës, duke besuar se gjithnjë ka mbetur bukuroshe e adhuruar e një kohe që kishte ikur. Lora, nga ana e saj, është e tërhequr dhe është e mbyllur në botën e saj pasive, të vetmuar dhe intime, ku koleksioni apo menaxheria e figurave të qelqta të kafshëve, është bërë kënaqësia dhe zbavitja më e rëndësishme e jetës. Tomi punon. Ai shkruan poezi dhe ëndërron për kinemanë dhe botën e spektakleve, duke u përpjekur për një jetë më të mirë. Ndonëse përpiqet për një jetë më të mirë është i lodhur nga puna, si dhe nga përkujdesja e pashmangshme, por edhe e mërzitshme për të ëmën dhe të motrën, të cilat jetojnë në botën e trilluar të ëndrrave. Një ditë prej ditësh e ëma i thotë Tomit që të ftojë për darkë një shokun e tij të punës, për t‘u njohur me Lorën. Mirëpo vetëm pas disa çastesh del në shesh se Lora e njihte Xhimin që nga shkolla e mesme. Për më tepër ajo e kishte adhuruar dhe dashur atë në heshtje. Xhimi përpiqet ta nxjerrë Lorën nga bota e saj e heshtjes, por e gjitha përmbyset kur ajo mëson se ai është i fejuar. Në këtë pikë Lora merr vendimin për t‘u përballuar me vështirësitë dhe realitetin e jetës. "Kompleksiteti, kjo dukuri sa individuale dhe universale, e bën këtë vepër përherë bashkëkohore", thekson regjisori Filipi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›