E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ka pulla, bllokohen zyrat e shtetit

Qytetarët në të gjithë vendin
po hasen me probleme serioze
në përfitimin e shërbimeve
nga zyrat e gjendjes civile,
gjykatat, prokuroria, noterët
dhe shumë zyra të tjera. Prej dy
muajsh, këto zyra e kanë pasur të vështirë
të furnizohen me pullat e shërbimit,
çka në shumë qytete e fshatra ka shkaktuar
bllokimin e punës për dhënien
e certifikatave të lindjes, dëshmive të
penalitetit, vërtetimeve noteriale dhe
dokumenteve të tjera.
Në qytetin e Fierit, zyrat e gjendjes
civile e kanë ndjerë mungesën e pullave
të shërbimit që në muajin shkurt dhe
kanë filluar t‘i përdorin me kursim ato,
duke u bërë të qartë qytetarëve se do të
pajiseshin me certifikata vetëm ata që
kishin probleme të ngutshme. Pavarësisht
kësaj metode, në dy-tri javët e fundit,
shumë zyra të gjendjes civile janë
detyruar të mos japin certifikata.
Përgjegjësja e gjendjes civile në Qarkun
e Fierit, Lumturi Moçka, thotë se furnizimi
me pulla nuk është bërë që nga muaji
janar. "Ndërsa në komunat dhe bashkitë
e vogla, pullat nuk kanë mbaruar, në qytetin
e Fierit, rajonet e gjendjes civile janë
në krizë. Deri tani është siguruar një sasi
e vogël pullash nga komunat fqinje me
qytetin, për t‘iu dhënë gjendjeve civile
të tij", shprehet përgjegjësja e gjendjes
civile për Fierin. Edhe në Prokurorinë e
Fierit, pullat kanë ndërprerë çdo shërbim.
Personat, të cilëve u duhet të marrin
një vërtetim nga prokuroria, ose e blejnë
një pullë në gjykatë, ose nuk e marrin
dokumentin e kërkuar. Në prokurori,
kancelari shpjegon se vetëm për raste
emergjente po merren pulla hua nga
kancelaria e gjykatës.
E njëjta situatë është edhe në Korçë,
ku mungesa e pullave ka prekur zyrat e
gjendjes civile, zyrat e postës dhe
gjykatën. Një lumë ankesash i janë drejtuar
bashkisë së qytetit nga ana e banorëve
të Korçës, të cilët, edhe pse kanë
pritur në radhë të gjata, kanë marrë
përgjigje negative, ndërsa dje, në mesditë
dyert e gjendjes civile janë mbyllur
për shkak të mungesës së pullave. Nga
ana tjetër, kjo situatë ka bllokuar aplikimin
për kartat biometrike, pasi asnjë
qytetar nuk mund t‘i afrohet kësaj
qendre pa pasur një dokument identifikimi,
që shpesh është certifikata. Të
paktën 1700 kërkesa që janë kryer për
certifikata në dy ditët e fundit janë refuzuar
nga ana e gjendjes civile, pasi ky
dokument nuk mund të lëshohet pa
pullën përkatëse. Qytetarët janë
detyruar të blejnë pullat pranë noterëve
me 100 lekë, por ato nuk janë pranuar,
edhe pse janë siguruar privatisht nga të
interesuarit.
Në Shkodër, më të prekurit nga mungesa
e pullave janë noterët. Zyrat noteriale
janë bllokuar prej tri ditësh. Situata
është e vështirë edhe në gjykata,
prokurori e në postën e qytetit. Mungesa
e pullave ka krijuar probleme për
shumë qytetarë, të cilët duan të
paraqesin në ambasada dokumente të
noteriazuara. Sipas noterit Admir Gërxhaliu,
"ka tri ditë që puna është e
bllokuar, pasi nuk mund të lëshohet asnjë
dokument pa pullë. Por qytetarëve
po u shkaktohet dëm i madh, pasi u duhet
të paraqiten në ambasada në kohën
e caktuar me dokumente të noterizuara".
Edhe prefekti i Vlorës, Hasan Halili,
konfirmon se ka probleme në të gjithë
qarkun. Gjykata e Vlorës dhe ajo e Sarandës
nuk kanë më pulla shërbimi prej
një muaji, ndërsa zyrat e tjera vazhdojnë
të punojnë për raste emergjente, me një
sasi të limituar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›