E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhordano Bruno, agjent i fshehtë i Mbretëreshës së Anglisë

Biografia e re, "Xhordano Bruno - Filozofi heretik", e shkruar nga Ingrid D. Rouland (e sapohedhur në treg këto ditë), rindërton në mënyrë mjaft intriguese jetën plot peripeci të filozofit- i shkishëruar si nga Roma, ashtu edhe nga Gjeneva -deri ditën kur përfundoi mbi turrën e druve, më 17 shkurt të vitit 1600. Profesoresha Ingrid D. Rouland, e cila jep mësim në Romë, vëren se ishte qëndrimi i heretikut në Angli, fakti që më shumë se gjithçka tjetër mbolli farat e filozofisë së tij, por minimizon ndikimin e ideve të tij në Anglinë elisabetiane.

Xhordano Bruno nuk u ndje askund tjetër më mirë se dy vitet që kaloi në Angli, ku pati sukses të madh si intelektual, aq sa është përmendur edhe nga Shekspiri në veprat e veta. Megjithëse përpjekjet për të dhënë mësim në Oksford dështuan, ashtu si dhe leksionet e tij mbi astronominë dhe pavdekshmërinë e shpirtit, pasi ishte pasues i Kopernikut dhe sepse me kujtesën e tij fotografike kishte kopjuar Mrasilio Fiçinon.

Në atë pikë vendosi t‘i shpaloste idetë e tij në Oborrin Mbretëror të Londrës dhe jo në Oksford, "ku nuk kishte më doktorë filozofie, por doktorë gramatike. Një kostelacion i tërë syresh mbretëron në këtë fshat të lumtur, ku dominon injoranca e tyre, ku xhelozia dhe mendjemadhësia e tyre kombinohet me mënyra tepër të pahijshme. Gomerë të verbër, që nuk shqetësohen në kërkimin e së vërtetës, por te lojërat me fjalët".

Bruno u kthye në një katalizator të teatrit të ri dhe shkencës së re: në atë çast, në shkencën moderne shkrihej një përzierje alkimike magjie e matematike, astronomie e astrologjie, empirizmi e miti. Filozofi i lindur në Nola, atëherë nën mbretërinë e Napolit, frymëzoi anti-kulturën anti-aristotelike dhe "ateiste" të "Shkollës së Natës" së Sër Uolter Reilig, eksperimenti praktik i të cilit ishte një koloni në Virxhinia, si dhe eksperimentin kreativ të doktor Faustus di Kit Marlou.

Faustus ("Bruno sakson"), ashtu si filozofi italian, kishte studiuar në Uitenberg. Që të dy gjenden te fjalët, qëndrimet dhe idetë e Hamletit. "O Zot, mund të gjendesha i mbyllur në një lëvozhgë arre dhe ta besoja veten mbret të një hapësire pafund, po të mos ishte për ëndrrat e llahtarshme që shoh", thotë Hamleti, duke aluduar mbi universet e shumëfishta të Xhordano Brunos.

Hamleti, ashtu si Bruno, e refuzon universin kulturor, politik, kozmologjik. Nëse Hamleti te "të rrosh a të mos rrosh" e ka të vështirë të kalojë nga mendimi në veprim, kjo nuk ndodh sepse ai mendon shumë, por sepse idetë e tij kërkojnë një ndryshim aq rrënjësor, sa asnjë veprim i vetëm apo "hakmarrje" nuk mund ta realizojë. Ndryshimi rrënjësor shtrihet te mbërritja e një princi me shpirt të pastër, Fortinbrasit. Ai njeri për Hamletin është "kuintesenca e pluhurit", ku gjen pasqyrim edhe ideja e Brunos, sipas të cilit vdekja është ndryshim dhe transformim i pandalshëm. Shumë prej fjalëve dhe qëndrimeve të Hamletit i gjejmë te punët e Brunos. Ati i Hamletit ishte vrarë, ashtu si mbretërit e Skocisë, Holandës e Francës. Lufta e shenjtë nuk kurseu as Mbretëreshën virgjëreshë të Anglisë, e cila u shkishërua në vitin 1570, pasi kishte vrarë- me qëllim për t‘i zënë vendin -katoliken Mari të Skocisë. Fakti që Elisabeta i shpëtoi të njëjtit fat, i detyrohet në masë të madhe spiunit Xhordano Bruno, i cili punonte për njeriun që kishte organizuar rrjetin e agjentëve sekretë të mbretëreshës, Sër Rensis Ualsingam, gjeni në një tjetër art okult.

Enriku III i Francës, përmes ambasadorit francez në Londër, Mishel De Kastelano, me ndihmën e ambasadorit spanjoll, Mendoza, dhe të disa konspiratorëve katolikë anglezë, rrekej të vendoste Maria Stjuart, Mbretëreshën e Skocisë, në fronin e Elisabetës protestante, falë një atentati ndaj kësaj të fundit. Dhe agjenti 007, Xhordano Bruno, luajti rol të dorës së parë në ndaljen e konspiracionit. E përçmonte doktrinën protestante, po aq sa edhe papatin, por i pëlqente qëndrimi i politikës së jashtme të Elisabetës karshi Selisë së Shenjtë të Romës. Në atë kohë, Bruno ishte prej kohësh "me mision të fshehtë" për llogari të ambasadës franceze, në cilësinë e priftit katolik sekret. Me pseudonimin Henri Fagot (që në anglisht do të thotë "i joshur nga turra e druve"), i shkruan drejtpërdrejt kryespiunit Ualsingam, ashtu si edhe vetë mbretëreshës. Korrupton sekretarin e ambasadorit francez, Di Kurseje, për të shtënë në dorë të gjithë letërkëmbimin e fshehtë mes Marisë së Skocisë dhe Mbretit të Francës, ndërkohë që merr prej pijanecit Mendoza konfirmimin se Franca po planifikonte një burrë spanjoll për Mbretëreshën e Skocisë, duke bërë kështu të mundur një aleancë të përbashkët anti-angleze. Arrin gjithashtu të zbulojë edhe që Fauler, një prej spiunëve të besuar të Ualsingamit, bënte lojë të dyfishtë, dhe mbi të gjitha shtiu në dorë provën e vetme e të pakundërshtueshme të komplotit të Frensis Throkmorton për pushtimin e Anglisë përmes trupave franceze e spanjolle, për të vrarë Elisabetën dhe për të kurorëzuar Marinë e Skocisë.

Xhordano Bruno ishte spiun i shkëlqyer, i guximshëm, tepër i zgjuar, me karakter të fortë dhe me pak skrupuj moralë si përballë armiqve, ashtu edhe përballë miqve.

Të gjitha këto bënë të mundur zbulimin e komplotit, arrestimin e Frensis Throkmorton. Mendoza përjashtohet nga Anglia, ndërkohë që De Kastelano rrezikon të njëjtin fat. Xhordano Bruno bën kështu të mundur zbulimin e gjithë komplotit që do kishte sjellë vdekjen e Elisabetës. Më pas, një spiun i Mendozës rrëfeu se kishte pasur plan të helmonte parfumet dhe veshjet e brendshme të Elisabetës. Është sërish Xhordano Bruno njeriu që zbulon provat e përfshirjes së drejtpërdrejtë të Marias në komplot, gjë që kjo e fundit e pagoi me kokë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›