E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patricia, dashuria e parë e Xhon Lenon

Muajin e kaluar nisën xhirimet mbi filmin që tregonte për vitet kur Xhon Lenon ishte një muzikant i thjeshtë në Liverpul. Por, për një grua në veçanti, do të jetë vërtet një eksperiencë e veçantë të shohë e kujtojë gjithçka rreth lidhjes së saj me djaloshin e talentuar të "Beatles"-ve. Deri më tani, Patricia Inder ka thënë shumë pak rreth marrëdhënies me Lenon, ndaj roli i saj në historinë e jetës së tij pothuajse është harruar. Pati, ashtu siç e thërrisnin shkurt, ishte vajza bukuroshe me të cilën Xhon pati një lidhje para se të njihte Sinthian, e cila më pas u bë gruaja e tij e parë. "‘Beatles‘ janë vërtet superyje, grupi më i madh i muzikës pop në histori, por për mua ishin shokë shumë të mirë. Blinim shpesh patatina, cigare dhe verë të lirë në supermarket, pastaj shkonim në shtëpinë e miqve tanë për të dëgjuar muzikë. Të gjithëve na pëlqente muzika rok en roll. Xhoni dhe unë ishim miq të mirë para se të ishim të dashur. Ai qe mashkulli i parë në jetën time. Mendoj se do ta kisha dashur për gjithë jetën. Për shumë vjet nuk arrita ta harroja, pasi ai ishte pjesëtar i ‘Beatles‘ dhe njëkohësisht pjesë e pandarë e televizioneve dhe gazetave. Por, që nga ajo kohë kanë kaluar 50 vjet", thotë Patricia. Ajo ka ende flokë të gjatë e të bukur dhe një fytyrë engjëllore, tipare që duhet ta kenë bërë për vete Xhonin. Kur e pyet për moshën, tregon se i pëlqen ta cilësojë veten si "engjëll i fortë", edhe pse, sipas fakteve, ajo u takua me Lenon në vitin 1958, kur ishte vetëm 15 vjeçe, ndërsa ai 18. Tani Pati duhet të jetë 66 vjeçe, por ai që nuk e di, nuk mund t‘i japë më shumë se 40. Në ato vite, grupi njihej si "The Silver Beetles" dhe përbëhej nga Lenon, Pol MekKartni, Xhorxh Harrison dhe Stjuart Sutklajf, kitaristi që vdiq në vitin 1962 nga një hemorragji cerebrale, edhe pse ishte vetëm 21 vjeç. Pat kujton se pas një koncerti Pol erdhi dhe nisi të bisedonte me ne vajzat. "Ai më prezantoi me pjesën tjetër të grupit, që ishte ulur nëpër shkallë. Të gjithë ishin shumë të këndshëm. Xhon kishte një sens të madh humori dhe një personalitet të fortë. Shumë shpejt u bëmë shokë me njëri-tjetrin". Patricia, vajza e një rrobaqepësi dhe një kuzhiniereje, në fillim pati një tërheqje të fortë nga MekKartni, që fatkeqësisht ishte i lidhur me Dotin, edhe ajo një vajzë shumë simpatike. "Dilnim të gjithë së bashku dhe i dëgjoja teksa luanin mbrëmjeve në ‘Cavern Club‘. Ishin jashtëzakonisht të talentuar, aq sa një ditë i thashë një mikut tim se ata do të bëheshin më të mëdhenj se Klif Riçard". Patricia dhe Lenon e nisën historinë e tyre të dashurisë në vitin 1960, kur ajo ishte 17 ndërsa ai 20 vjeç. "Deri atëherë, Xhoni nuk më pëlqente fare. Por, kur një ditë më puthi papritur, nisa ta shihja me një sy ndryshe". Djaloshi i talentuar i "Beatles" kishte menduar për gjithçka që ta bënte për vete vajzën e brishtë. Premtimi se do të shkonin të bënin një xhiro me anije dhe më pas do kalonin një mbrëmje në apartamentin e një mikut të tij, ishte thjesht një gënjeshtër. "Kur unë dhe Xhoni shkuam në apartament, aty nuk kishte asnjeri. Kur e pyeta se ku janë të tjerët, mu përgjigj: ‘Oh, harrova të të thosha se kjo mbrëmje do të jetë vetëm për ne të dy dhe askënd tjetër. Më tha se do të ishte i kujdesshëm dhe ashtu u tregua. Kaluam gjithë natën në krahët e njëri-tjetrit". Pati arrin të kujtojë me detaje gjithçka që duket se nuk i hiqet lehtë nga mendja. "Ishte dashuria ime e parë dhe unë e doja çmendurisht. Për më tepër ishte një djalë romantik dhe i ëmbël. Më bënte të ndihesha mirë. Herë pas here më thoshte se kam sytë më të bukur në botë dhe më puthte qepallat. Ai merrte shpesh kitarën me vete dhe një ndër kujtimet më të bukura që kam është momenti kur shtriheshim në krevat dhe ai luante ëmbël këngë romantike, duke folur për shumë gjëra. Një ditë më tregoi se e kishte humbur virgjërinë në moshën 13-vjeçare, në një varrezë, me një grua shumë më të madhe se ai në moshë". Gruaja, që sot është 66 vjeçe, ruan kujtime vërtet të mrekullueshme nga ajo kohë. "Një ditë shkova në dyqanin e kasetave ‘Nems‘ në Liverpul, që administrohej nga Brajan Epstein. I thashë se duhej të shkonte te ‘Carven‘ për të parë ‘Beatles‘. Ditën që shkoi t‘i shihte, u bë menaxheri i tyre". Gjithçka dukej se funksiononte për mrekulli mes tyre, kur Xhon në të njëjtën periudhë nisi të frekuentonte Sinthian, një vajzë e thjeshtë që ai e kishte njohur që Akademinë e Arteve. "E dija për të, ndërsa ajo nuk e dinte për mua. Xhon nuk para e merrte nëpër koncerte, por një natë më kujtohet që e kishte marrë me vete te ‘Carven‘. Mu afrua dhe më tha se do të vonohej, sepse do të shkonte të përcillte Sinthian për në shtëpi". Ajo vazhdon të tregojë se nuk ishte aspak e kënaqur me këtë situatë dhe i kishte thënë djaloshit të "Beatles" se po humbte kohën kot me të. "Një grua nuk është kurrë e mjaftueshme për një burrë", iu përgjigj ai. "Thoshte se Sinthian e donte shumë, por ajo që dashuronte isha unë. Unë nuk kam asgjë me atë femër, madje do më pëlqente ta takoja, sepse të dyja kemi shumë gjëra për të folur". Pavarësisht kësaj situate, Pat shumë shpejt e kuptoi se Xhon ishte i pavendosur në atë që donte. "Mendonte se ishte i shëmtuar dhe më pyeste shpesh se çfarë shihja tek ai. Iu përgjigja se më pëlqente ashtu siç ishte. E kuptova që diçka nuk shkonte". Por një natë, gjithë dyshimet u zhdukën, pikërisht kur Lenon i kërkoi të martoheshin. "Ishim në restorant të dy vetëm duke pirë verë. Papritur më propozoi që të martoheshim. Nuk mund ta besoja, por njëkohësisht nuk mund të pranoja për shkak të moshës sime. Ditën tjetër gjithçka ishte harruar". Në gusht të vitit 1962 Lenon u martua me Sinthian, pasi mori vesh se ajo ishte shtatzënë me djalin e tyre, Julianin. Kur Pat u nis me Pol MekKartnin në një udhëtim për në Hamburg, ai i tha se duhej të dinte një lajm të rëndësishëm: se Xhon ishte martuar dhe Sinthia ishte shtatzënë. "Ishte një tronditje e madhe. Shkova në ‘Carven" për t‘u sqaruar, por ai më tha se gjithçka do të ishte si më parë. Nuk mund ta pranoja". Shumë shpejt "Beatles" u bënë të famshëm dhe u larguan nga Liverpuli. Kështu bëri edhe Pat. Në vitin 1965 ishte hera e fundit kur pa dashurinë e saj të zemrës në një koncert në SHBA. "Fluturova mes turmës dhe shkova prapa skenës. Sapo e pashë, mu drodh zemra. Më kapi fort, më puthi dhe pastaj tha: ‘Ke qenë dashuria e jetës sime‘. Ndenjëm pak minuta bashkë, pasi duhej të rikthehej në skenë". Në moshën 24-vjeçare ajo u njoh me Lemin, që më pas u bë kreu i grupeve të tilla si "Haukuind" dhe "Motorhead". Patën një djalë së bashku, të cilin Pati u detyrua ta rriste e vetme, pasi Lemi u nda me të kur djali ishte ende i vogël. Në fund ajo tregon për ditën e vitit 1980, kur Xhoni u vra. Kishte parë një ëndërr të frikshme. "Çuditërisht u zgjova në katër të mëngjesit disa minuta pasi e kishin qëlluar. Sapo kisha parë një ëndërr sikur në tokë ishte një gropë e madhe e dikush nga brenda thoshte: Më ndihmo". Ditën tjetër mori vesh për lajmin e tmerrshëm. Nuk mund ta besonte. Patricia është ende vetëm, por tregon se nuk ka hequr dorë nga ëndrra për të gjetur njeriun e duhur. "Xhon më bëri ta besoja se ai ekziston. Ai ishte vërtet i veçantë". Do të kishte qenë ndryshe sikur ajo të kishte pranuar propozimin e tij për martesë atë natë? "Gjërat mund të kishin qenë ndryshe për të dy ne", përfundon ajo.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›