Meta: Pas zgjedhjeve, koalicion me PS
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha dje se, nëse nuk i fiton zgjedhjet i vetëm, do të bëjë koalicion paszgjedhor me Partinë Socialiste.
“LSI e ka bërë të qartë dhe e konfirmon dhe një herë tjetër, që synon fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit me koalicionin e saj. Në rast se nuk do të arrijë të fitojë e vetme, padyshim që LSI koalicionin do e bëjë me forcat e majta dhe natyrisht në radhë të parë me PS”, - tha Meta.
Ai i bëri deklaratat pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit me Partinë Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut të Ligoraq Karamelos për zgjedhjet e qershorit.
“Besoj në një bashkëpunim të suksesshëm me Lëvizjen për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, sidomos në disa prej qarqeve, ku ajo ka arritur të ketë një sukses të dukshëm edhe në zgjedhjet e fundit vendore. Si dy forca të reja politike së bashku edhe me të tjera forca të reja politike, të një koalicioni të ri, ne jemi të bindur se në këtë mënyrë do të kontribuojmë për të identifikuar përmes këtij koalicioni disa prioritete shumë të rëndësishme të qeverisjes së ardhshme”, - tha Meta.
“Lideri i kësaj partie, z. Meta, dhe ekipi që ai drejton, është garancia e suksesit të kësaj partie në këto zgjedhje. Sepse z. Ilir Meta ka treguar se di të qeverisë me aftësi dhe me përkushtim, madje edhe në momente të vështira në sfida tepër delikate, sepse ai karakterizohet nga aftësia, vendosmëria deri në fund, nga mbajtja e fjalës së dhënë dhe nga integriteti që gëzon si politikan i ri dhe me reputacion në jetën politike të vendit dhe jashtë saj”, - deklaroi Karamelo pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Më pas Meta u pyet në lidhje me deklaratën e kryeministrit, Sali Berisha, se ishte i gatshëm për të bërë aleancë më LSI pas zgjedhjeve.
Meta i quajti deklaratat e Berishës një diversion për të përçarë të majtën.
“Ne na vjen keq për politikanin që është në prag të pensionit të 28 qershorit, z. Berisha, që vazhdon me diversionet e tij pa kripë, pasi nuk është Berisha ai që përcakton se me kë bën koalicion Lëvizja Socialiste për Integrim, por është pikërisht Lëvizja Socialiste për Integrim ajo që e ka bërë të qartë dhe që e konfirmon edhe një herë tjetër dhe me forcë, që synon fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit me koalicionin e saj. Në rast se nuk do të arrijë të fitojë e vetme në këto zgjedhje, padyshim që LSI koalicionin do e bëjë me forcat e majta dhe natyrisht në radhë të parë me Partinë Socialiste. Sepse ne asnjëherë nuk na ka ndarë dhe nuk na ndan asnjë gjë nga socialistët dhe idealet e tyre për një Shqipëri më të mirë, në themel të së cilës të jetë solidariteti dhe jo intrigat, as të Berishës dhe as të atyre të tjerëve që i pëlqejnë intrigat e Berishës”, - tha Meta.
Qëndrimet e kryetarit të LSI vijnë pas një periudhe të gjatë shkëmbimi akuzash mes LSI dhe PS.
Veliaj për Metën: Nuk e pranojmë në koalicion këtë Kalë Troje të Berishës
Socialistët nuk e kanë komentuar qëndrimin e kryetarit të LSI, Ilir Meta, për bashkëpunimin paszgjedhor, por ka qenë Erion Veliaj i G99 që i ka dhënë një përgjigje Metës me këtë rast. Veliaj tha gjatë një takimi me studentët se Meta dhe Berisha mund të pështyjnë këdo dhe më pas e lëpijnë atë që kanë thënë. “Zoti Meta dëshiron të bëjë edhe në katër vitet e ardhshme atë që ka bërë bashkë me Berishën e Nanon gjatë këtyre 18 vjetëve. Këta politikanë janë të gatshëm të thonë gjithçka e pastaj të thonë të kundërtën e asaj që kanë thënë; Meta e Berisha mund të pështyjnë këdo, e pastaj t’i lëpihen kujtdo”, - tha Veliaj.
Sipas drejtuesit të G99, kreu i LSI po tregon se është i paqëndrueshëm dhe po sillet njësoj si Lufter Xhuveli. “Xhuvelizmi duhet të marrë fund njëherë e mirë në këtë vend”, - u shpreh më tej Veliaj, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetareje për këtë çështje.
“Metës iu desh t’i paguante kompanisë amerikane që ka kontraktuar për fushatën plot 2 milionë euro, për të kuptuar se ka gabuar me qëndrimet e tij të deritanishme kundër opozitës”, - tha drejtuesi i G99 duke shtuar se “Meta do kishte bërë mirë t’i paguante këto euro për të rimbursuar studentët apo qytetarët e varfër që s’kanë mundësi të paguajnë për kartat
e identitetit. Por, ish-kryeministri vazhdon të sillet si ministri i 15 i qeverisë aktuale, ndërkohë që ne nuk jemi trojanë që të pranojmë këtë Kalë të
Berishës”, - përfundoi Veliaj.