Draskovic: Hetimet s’do ta zbulojnë Amerikën
Kryetari i Lëvizjes Serbe për Rimëkëmbje (SPO), Vuk Draskovic, ka thënë se nuk pret se do të ketë hetime serioze lidhur me raportin e Këshillit të Evropës për trafikim me organe njerëzore në Kosovë. Në tërë botën, sipas tij, nuk ka deri në fund hetime serioze të krimeve as përndjekje të kriminelëve, sepse “e ashtuquajtura e drejtë e humanizuar më shumë është në anën e mbrojtjes së të drejtës së kriminelëve se të mbrojtjes së viktimave”.
“Do farë hetimesh do të ketë, por nuk duhet pritur se ‘do të ketë zbulim të Amerikës’”, tha Draskovic gjatë një interviste për Zërin e Amerikës. I pyetur se si do të reflektojnë raporti dhe hetimet mbi pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe në politikën e jashtme të Serbisë, Draskovic ka thënë se nuk beson që do të ketë komplikime për pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
“Përse? Për shkak se pozitën ndërkombëtare të Serbisë, subjektivitetin e saj juridik ndërkombëtar, nuk e kanë vënë në dyshim as krimet të cilat, padyshim, janë dëshmuar që i ka bërë pala serbe në luftën e kaluara, po edhe në Kosovë. Përfundimisht, raporti i Martti Ahtisaarit, pjesa e parë, pothuajse një e treta e këtij raporti i është kushtuar krimeve serbe në Kosovë”, ka thënë Draskovic.