E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dredhi neokomuniste

Intervista e Dr. Berishës në studion televizive të B. Fevziut e datës 3.12.1009, mund të shqyrtohet si e dykohshme. Nuk është e para, me Blendin. Veçse na u duk se vetëm në pjesën e dytë, kur doktori foli për aktivizimin e hershëm të Berishës, qysh në hapat e parë të proceseve demokratike, intervistuesi u tregua jondërprerës, si në pjesën e parë. Ai e la të fliste lirshëm, pa ndërhyrje. Dukej se i njihte mirë edhe vetë ato ngjarje frymëzuese, në të cilat ishte pjesëmarrës edhe vetë.
Po flasim, pra, për atë pjesë të dytë. Për këtë temë doktori fliste sërish, duke sqaruar më hollësisht disa episode, që i kishte shprehur jo gjerësisht në herën e parë.
Së pari, nga të dyja ballafaqimet televizive, del e argumentuar se Berisha ishte i pakënaqur nga regjimi i E. Hoxhës, për luftën e klasave e cila, në disa raste, merrte përmasa të padurueshme në ndarjen e popullit në “tanët” dhe në “armiqtë”. Këta të fundit ishin të tillë, armiq, qofshin edhe nacionalçlirimtarë në kohën e L.II.Botërore. A s’ishin të tillë Zef Mala, Xhemal Broja, Selfixhe Ciu, Edip Tërshana, Shefqet Beja, Enver Sazani, Abedin Shehu, Kostë Boshnjaku, Mark Ndoja, Gjovalin Luka, Naxhie Dume, Kolë Kuqali, Pëllumb Dishnica, Koço Tashko, Faik Shehu, Dali Ndreu, Islam Radovicka.... që të mos përmendim edhe Byroistët dhe mjaft oficerë madhorë të ekzekutuar? Një pjesë e madhe e të dënuarve u quajtën kolaboracionistë , paçka se ishin të shquar si nacionalçlirimtarë. Thoma Orollogai, intelektual i kalibrit europian si jurist dhe antifashist, me një fjalim frymëzues në parlamentin e përzgjedhur me pak deputetë pak ditë para pushtimit të 7 prillit të ’39-s, i propozuar nga vetë krahu komunist në Mukje për të drejtuar punimet, u ekzekutua nga “fitimtarët” që erdhën në fuqi, duke zhdukur çdo gjurmë pluralizmi. Një “historian”, kinse i reformuar, e kishte shpallur si kolaboracionist, duke u mbështetur në një shkrim të falsifikuar në një gazetë të fashizmit (që e kishte shpallur si dhurues të kurorës së Viktor Emanuelit III , një absurditet i sajuar!). Dhe ky sajues kolaboracionistësh mori përgjigjen e merituar në një replikë, që mbeti pa përgjigje.
Këta intelektualë të indoktrinuar, jo vetëm që nuk përgojohen por edhe dekorohen, në sistemin pasdiktatorial!
Sali Berisha, përkundrazi, ishte kundërshtar i komunizmit qysh në kohën e Solidarnoshit, që në përbuzjen kundër tankeve sovjetike, në Poloni e në Hungari. Kishte shokë të besës, me të cilët i bisedonte trimërisht bindjet e tij. Kishte edhe libra që flisnin për krimet e komunizmit. Këto mund t’i sqarojnë ata që kishin besim tek ai për mendime të guximshme. Siç kishte edhe doktori besim tek ata.
Njëri ndër dëshmitarët e besueshëm është Sadik Brokaj, që ka shkruar se ishte ai vetë, Sabiti, që kishte dhënë ndihmesën që Berisha të propozohej si anëtar partie. A mund të thoshte jo doktori? Përgjigjja është e nënkuptueshme. Dihet që z. Sabit është majtist i thekur. Por këtu, ka thënë të drejtën.
Nga ana tjetër vetë Zonja e Zezë është shprehur hapur me mllefe kundër Berishës. Megjithatë ajo ka thënë se Berisha nuk ishte në rrethin e doktorëve të Bllokut. Nuk mund të gënjente edhe në këtë pikë.
Fakti se ishte anëtar partie, ashtu siç e ka thënë Sabit Brojka, nuk është implikues. Në krye të proceseve demokratike te ne nuk mund të ishin as nacionalistët, as ballistët, as legalistët. Ajka e këtyre formacioneve ishte rrafshuar nga E. Hoxha. Të tjerët, ishin nëpër burgjet, me vite dënimi që përsëriteshin periodikisht, kur destalinizimi pruri një frymëmarrje në vendet e Europës ish-komuniste. Në këto vende thuajse reshtën dënimet politike, përderisa u lejua disidenca.
* * *
Berisha, si anëtar partie, mund të zgjidhej edhe sekretar i org. bazë. Por ka dallim të madh ky funksion në një institucion mjekësor, nga sekretarët e komiteteve të partisë së rretheve. Këta të fundit merreshin me zbatimin e luftës së klasave, me propozime listash për internime e dëbime, me konsultat për dënime kapitale. Organizata e partisë së institucioneve, - aq më tepër ajo e spitaleve, - boll kishte punë të tjera profesionale, madje edhe shkencore, për avancimet mjekësore gjithmonë në rritje, të cilat i kishin të detyrueshme metodat progresive të operacioneve, të azhurnimit me ilaçet e reja, të kualifikimit etj.
Por dredhia propagandistike e majtizmit të skajshëm ka arritur paroksizmin banal, gjer te të quajturit e Berishës si “sekretari i partisë”! – me ndërkalljen se mos merret si sekretar i Komitetit të Partisë (!). Ligësi gjer në sëmundje. Prandaj përdorëm atë fjalë të vetme në vend të togfjalëshit “sëmundje gjer në tërbim”.
Madje ky shformim i qëllimtë propagandistik është shtrirë gjer në të quajturit e doktorit si komunist! Kësaj i thonë që fanatikët komunistë të vërtetë, të etiketojnë antikomunistët aktivë të orëve të para, si komunistë, me qëllimin djallëzor: Unë komunist, ti komunist, - u bëmë të gjithë komunistë! Hajde e gjeje se kush është komunisti me tamam! Mënyrë cinike e të fshehurit të vetvetes. Ku ishin këta përgojues, kur Berisha dhe Azemi mblidhnin 150 mijë veta në shesh?
Duhet shtuar se edhe renegatët e PD-së nuk i kanë shpëtuar këtij huqi. Mustafa Nano s’e pati për gjë që ta quante komunist Berishën, në panel televiziv. Për turpin e Mustafës. Iu zbuluan menjëherë vlerësimet publike gjer në zenit (kur “RD-ja” botoi një shkrim tërë lavde e ovacione për kryetarin e PD-së!- nga Mustafai).
Shpresojmë që 8 dhjetori t’i bëjë të skuqen disa njerëz! – që kanë qoftë edhe një molekulë sedre - që të mos bëhen skllevër të Belzebusë, që është kryedjalli, sipas Mateut XII,24!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›