E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitingu i PS-së, Protestuesit përleshen me policinë, ndërhyn Rama

Autori i Lajmit: Redaksia
Protestuesit e majtë janë përleshur dje me policinë e rendit, duke shënuar kështu të parin incident. Edhe pse drejtuesit e PS-së kanë deklaruar herë pas here se do të ketë vetëm protesta demokratike, duke mohuar dhunën, dje gjithçka duket se ka qenë ndryshe. Protesta nën moton “Të drejta sipas ligjit” ishte planifikuar të niste në orën 11:00 ajo filloi rreth 45 minuta me vonesë, pasi punonjës të bashkisë ishin bllokuar pranë "Hotel Dajtit“ dhe nuk lejoheshin ti bashkohen protestës. Protestuesit mbanin në dorë qese me mbeturina, të cilat do të vendoseshin para kryeministrisë, në shenjë simboli se bashkitë nuk kanë fonde as për pastrimin e qytetit.

Incidenti me policinë

Disa punonjës të Bashkisë së Tiranës u konfrontuan fizikisht me policinë e rendit gjatë protestës, që pushtetarët vendorë socialistë po zhvillonin para Kryeministrisë në kryeqytet. Disa punonjës të ndërmarrjes së Gjelbërimit të Bashkisë së Tiranës, kryesisht gra, tentuan të kalonin “gardhin me policë” që është vendosur para shkallëve të godinës së Qeverisë. Në këtë kohë ka ndodhur ndërhyrja e policëve të rendit dhe ruajtjes së objekteve, të cilët janë shtyrë me punonjësit e bashkisë dhe më pas u kanë marrë më forcë, disa qese plastike që ata mbanin në duar. Sipas të dhënave nga vendi i ngjarjes, mësohet se qeset përmbanin mbeturina, të cilat punonjësit e bashkisë kishin për qëllim ti vendosnin në shkallët para Kryeministrisë. Situata është qetësuar vetëm pas i Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, njëherësh Kryetar i Partisë Socialiste ka ndërhyrë, duke u kërkuar punonjësve të gjelbërimit të largoheshin, ndërsa u ka bërë apel edhe punonjësve të policisë së rendit të distancohen nga konfrontimet.

Qëllimi i protestës

Punonjësit e bashkive të majta në të gjithë vendin kanë protestuar për shkeljen e autonomisë vendore që po u bëhet nga qeveria Berisha, duke u reduktuar fondet në arkën e tyre. Ata kanë shprehur pamundësinë për tu shërbyer qytetarëve, pasi ata diskriminohen në ndarjen e fondeve, krahasuar me bashkitë e djathta. Të gjitha bashkitë kanë paralajmëruar shkurtim të vendeve të punës, të detyruar nga këshillat bashkiakë për shkak të fondeve të pakta, por ata janë qetësuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës se nuk do të lejojë askënd ti detyrojë të krijojnë pakënaqësi me administratën. “Vendi i tyre i punës kërcënohet, sepse kërcënohemi të gjithë si njësi vendore me shkurtime të detyruara. Ta harrojnë se ne do të largojmë njeri nga puna dhe se do të braktisim qoftë edhe një njeri të vetëm në fatin e tij, duke u dorëzuar përballë kësaj aleance që nuk na dikton dot asgjë”, u shpreh Kryesocialisti dhe Kryebashkiaku Rama.

Kërkesat

Kryetaret e bashkive kanë insistuar në pesë kërkesat e tyre, të cilat janë thelbi i reduktimit të fondeve për bashkitë nga pushteti qendror. Dhe për këtë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës tha se nuk do ti ndalë presioni i askujt për ti realizuar ato. Rama nuk ka lënë pa komentuar pengesën që policia u bëri punonjësve të bashkisë për të marrë pjesë në protestë si dhe incidentin e një nate më parë me punonjësit e pastrimit.

Ky lajm është publikuar: 06/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›