E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edvini tenton një protestë me plehra

Skema e ndyrë e kryesocialistit është zbuluar mbrëmë nga Policia e Tiranës, e cila ka bllokuar dy kamionë të bashkisë, që, të ngarkuar me mbeturina të Sharrës, është tentuar të shkarkohen në qendër të kryeqyteitt, për t’u përdorur në palo-protestën e sotme


Edi Ramës, kryetarit të PS-së, të cilit i kanë shteruar pretendimet dhe argumentet, për të mtoivuar mospranimin e humbjes së zgjedhjeve, i është rikthyer politikës së plehrave. Duke mos qenë në gjendje të ngrihet në nivelin e një lideri, që prodhon politikë, Edi Rama, këtë herë kryebashkiak i Tiranës, ka zgjedhur të protestojë me plehra. Duke trajtuar prej muajsh, të paktën që pas humbjeve të zgjedhjeve të 28 qershorit, gjithë anëtarësinë e PS-së si plehra, që ju përbetohej dikur se po të humbiste zgjedhjet do të jepte dorëheqjen, tashmë, sikurse plehrat e mbrëmshme të Sharrës, i futi në thasë edhe anëtarët e PS-së, ju ka grabitur dhe ju mban peng atyre, postin e kreut të PS-së. Pas kësaj, Edi Rama, ka zgjedhur vetë, të zhysë duart në plehra, në emër të ”politikës së re”. Dhe, pikërisht, për këtë, ai ka shfrytëzuar dje punëtorët fatkeqe të Ndërmarrjes së Gjelbërimit të Tiranës, të cilët i ka detyruar, që jashtë orarit, të ngarkonin dy kamionë me plehra në fushën e Sharrës, dhe ti sillnin ato në kryeqytet, për ti përdorur sot si ”armë” proteste, duke i flakur nëpër rrugë. Burimet të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës, kanë konfirmuar mbrëmë, “iniciativën” e Edi Ramës, për të protestuar me plehra. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, mësohet se, mbrëmë, “pas një informacioni të marre nëpërmjet telefonit, shërbimet e patrullës së përgjithshme të Komisariatit të Policisë Kombinat, kanë ndaluar dy automjete tip ‘Benz’, kamion me targa TR 1874 I dhe TR 1882 I. Nga verifikimet e bëra në vend u konstatua se këto dy automjete ishin mjete të Ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit Nr. 1, Tiranë, dhe kishin ngarkuar disa thasë plastike me plehra dhe pretendonin se po i dërgonin në ambientet e ndërmarrjes së tyre”. Të njëjta burime, saktësuan se, nga verifikimi i dokumentacionit të mjeteve rezultoi se të dy këto mjete kishin mangësi në dokumentacion. Në këto kushte këto mjete bashkë me drejtuesit e tyre u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Nr. 6 Tiranë. Pas pyetjes dhe kryerjes se procedurave administrative dy mjetet e mësipërme janë bllokuar administrativisht në pikën e bllokimit të Policisë, ndërsa drejtuesit e tyre janë lënë të lirë. Sipas pohimeve të drejtuesve të mjeteve në polici, mësohet se thasët me plehra i kishin marrë në Sharre, dhe se ishin mbushur e ngarkuar në kamionë, nga punëtorët e Ndërmarrjes së Gjelbërimit. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës, saktësuan se, “Në Komisariatin e Policisë Nr. 6 Tiranë, është paraqitur edhe Drejtori i Ndërmarrjes, Irfan Dashi, i cili ka deklaruar se punëtorët e ndërmarrjes së tij jashtë orarit zyrtar i kanë përgatitur thasët me plehra, të cilat do ti transportonin në Ndërmarrjen e Pastrim Gjelbërimit Nr. 1 Tiranë. Po kështu ai ka deklaruar se për këtë veprim është urdhëruar nga eprorët e tij”. Policia e Tiranës, bëri të ditur se u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Nr. 6 edhe 20 punonjës të kësaj ndërmarrje që kishin përgatitur dhe ngarkuar në automjete thasët me plehra. Këta shtetas pasi ishin pyetur procedurialisht, ishin lënë të lirë, ndërsa materialet proceduriale për të gjitha veprimet e kryera do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Burime të PS-së, bënë të ditur mbrëmë, se këto plehra ishin marrë në Sharrë, për t’u hedhur rrugëve të Tiranës, sot, në ditën e një proteste të paralajmëruar nga drejtues e nëpunës të administratës lokale, të njësive vendore që drejtohen nga të zgjedhur të PS-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›