Lajme të freskëta nga Kuvajti
Një lypës i kërkon Koço Devoles - spiker lajmesh - a ke ndonjë lek me më dhënë? Spikeri Devole, me seriozitet humoristi, i thotë: “vetëm lajme të freskëta nga Kuvajti”. Ishte koha e luftës në Gjirin Persik, një luftë që inauguroi ndjekjen e aksioneve luftarake në mënyrë të drejtpërdrejtë. Qysh prej asaj kohe, nuk kemi ndaluar, përkundrazi, kemi nxituar trokthi në anën e kundërt duke u bërë të babëzitur në imazhe e video.
Në Evropë po shikojmë sesi demokracia po kthehet gjithmonë e më shumë në një videokraci, ku censi i pushtetit është të dukesh. Kanë problemin se partitë janë kthyer në gazeta, në televizione, në tregti imazhesh. Pra imazhet, foto, videot po kthen në armë manipulime në masë me efekte katastrofike për cilësinë e demokracisë. Ne, si shqiptarë s’e kemi pasur asnjëherë cilësinë e demokracisë, por po instalojmë një formë alla-shqiptare të videokracisë.
Mirëpo për të thënë gjëra më peshë, serioze, duhet të konstatojmë një degradim si të edicioneve të lajmeve ashtu edhe emisioneve të debatit politik. Kush nuk e ka kuptuar akoma, ne jetojmë në një “videokraci”, ku çdo gjë është e mbisunduar nga mjetet vizive e sonore, tingullore. Edhe politika shqiptare po e shikon qytetarin si votues, si “homo-videns” do thoshte politologu italian Giovanni Sartori, si një militant që është kurdoherë në fushatë pro-partisë. Sipas Sartorit “televizioni krijon qytetarë të këqij”. Ai thotë se “homo videos” (njeriu që sheh) nuk është në gjendje të abstragojë, di vetëm atë që sheh në TV. Por shteti, drejtësia, liria dhe të drejtat e tjera janë koncepte abstrakte: si mund t’i prezantojë dhe kuptojë këto imazhe?”. Ky është politologu Sartori, por nuk u duket se edhe ne, në politikën tonë, kemi problem me njohjen abstrakte të këtyre tëdrejtave thelbësore demokratike.
Kuptohet vetiu se kjo situatë, e cila për dreq ka nisur fuqishëm (pa kthim prapa) qysh në ditët e para të fushatës elektorale që çoi në 28 qershor 2009, ku çdo miting elektoral sado i vogël a i madh regjistrohej me kamera dhe me regji e montazh të enturazheve fikse të dy liderëve. Gjatë edicioneve të lajmeve u servirej paqshëm, pa i lodhur, ashtu in-vitro, si telespektatorit, ashtu edhe gazetarit të terrenit, të cilit ia morën bukën e gojës, ku çdo deklaratë, akuzë, denoncime, përurime të inskenuara artificialisht. Asgjë nuk i lihej fatit. Ishte një rrezik për imazhin e partisë.
Ndërkaq politika shqiptare ka marrë rrugën e gabuar duke e dërguar demokracinë në një “deklarata-kraci”, llafeshtypi bajate, me një konflikt artificial e permanent të arsyes. Refuzimi i parlamentit për të bërë politikë është shfaqja e një kanceri që ha përditë energjitë intelektuale e fizike të një populli. Kam mendimin se jem bashkëpronarë në aksionet e ekuacioni që e ka bërë demokracinë një “videocracy”. Çdo ditë mori personazhe të veshur me petk politikani, dalin pa ndonjë cipë morale në konferenca shtypi për të prodhuar politikë kundërluftuese, e çfarë fitojnë shqiptarët? Përpos të qenurit telespektatorë në një telekraci. Slogani është: “bëji skllevërit modernë të pëlqejnë skllavërinë e tyre”.
Siç dihet, këtë politikë vizive e nisi Edi Rama me fasadat e bashkisë dhe partisë, kurse PD-ja e ndoqi shpejt ndonëse pa arsyetuar se ku mund të çonte një ky shteg. Ndoshta u kuptua gabimisht se ka politikë vetëm po dole në televizor. Asgjë tjetër nuk ekziston. Kështu që u krijuar in-vitro në serrën mediatike një politikë mekanike, zombie në mendime, por e fortë në poza fotozhenike, në video e këngë. Madje kryetari i PS-së u shfaq si rrepist rruge, duke kënduar vetë. Diçka të tillë e bëri edhe diktatori romak Neroni në Korint, ku në lojërat olimpike “Neronia” të 67 pas Krishtit këndoi dhe i ra lirës për kënaqësinë e senatorëve.
Pra kemi të bëjmë me një politikë cirku që ka humbur konturet e realitetit duke folur vetëm për gjëra personale dhe performancat në shtrat e në rrugë të politikanëve. Siç është shprehur edhe Christopher Lasch, kjo është kultura e narcisit, që themelohet në procedurën e regjistrimin, sepse, jo vetëm instrumentet vizive dhe sonore janë në dispozicion të publikut të gjerë i cili përkthen eksperiencën, por kanë nxitur e deformuar cilësinë, “duke i dhënë pjesës më të madhe të jetës moderne një sipërfaqësi të një dhome të madhe, të një salle me pasqyra”.