E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosjet, Patozi:Pse shpëtojnë Nano Ruçi dhe Gjinushi

 

ROBERT RAKIPLLARI

Nënkryetari i PD-së dhe kryetari i grupit parlamentar konfirmon se ligji i Dosjeve do të miratohet sot. Sipas tij, janë ezauruar të gjitha rrugët për të arritur një konsensus me opozitën dhe maxhoranca do ta miratojë e vetme këtë ligj. Në intervistën për gazetën, Patozi sqaron edhe marrëdhëniet e PD me Presidentin Topi si dhe kthimin e Kodit Zgjedhor.
Z.Patozi, ju keni paralajmëruar që në seancën e sotme do të votoni ligjin për pastërtinë e figurave. Pse keni pritur gjithë këto muaj për një konsensus me PS, ndërsa tani po e miratoni pa konsensus?
Në fakt, ky është një ligj sa i vonuar, aq edhe i mirëpritur apo i shumëpritur nga shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë. Them i vonuar, sepse ky është një proces që duhet të kishte përfunduar tashmë, por fakti që në Shqipëri kanë ndodhur zhvillime të papritura dhe të befasishme, e kanë ndërprerë, ngadalësuar dhe ndalur lustracionin, i cili më shumë se kudo tjetër në Evropë ka qenë i domosdoshëm dhe jetik për Shqipërinë. Sepse ne jemi vendi që më shumë se kushdo tjetër kemi përjetuar shtypjen dhe mizorinë e jashtëzakonshme të diktaturës komuniste. Po përse kemi pritur deri sot një konsensus të mundshëm me opozitën? Është fare e thjeshtë dhe nuk jemi penduar fare për këtë. Kemi besuar dhe shpresuar se 18 vjet pluralizëm dhe reflektim mund të kishin bërë punën e vet edhe tek partia, që i ka rrënjët e zhytura thellë në të shkuarën komuniste të vendit. Sepse kemi pasur bindjen se një ligj konsensual do t’i jepte zgjidhje në mënyrë shteruese këtij fenomeni dhe se mbështetja e opozitës do të ishte garanci e plotë për zbatimin e shpejtë dhe të pakthyeshëm të pastrimit të politikës, institucioneve dhe administratës publikë nga fosilet e diktaturës dhe nga udhërrëfyesit apo shërbëtorët e armës famëkeqe të Sigurimit të Shtetit. 
Për fat të keq, shpresa dhe durimi ynë nuk morën përgjigje pozitive dhe sot ne jemi të detyruar, që të procedojmë në mënyrë të njëanshme, duke respektuar jo vetëm vullnetin e shumicës së shqiptarëve, sakrificat dhe mundimet e qindra mijëra të dënuarve dhe të persekutuarve të diktaturës, por edhe rezolutat e njëpasnjëshme të Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit. Fatkeqësisht, Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama, janë ende të mbërthyer në komplekset dhe lidhjet e vjetra, që e identifikojnë atë më kamxhikët e diktaturës, gjë që e bëri të pamundur bashkëpunimin për një ligj të mbështetur nga të dyja palët. Ne jemi të vonuar dyfish për këtë ligj. Në rrafshin e përgjithshëm të tranzicionit, nuk është fare për t’u mburrur fakti, që ne ende nuk e kemi zgjidhur problemin edhe pas 18 vjetësh pluralizmi politik. Ndërsa në rrafshin e ngushtë dhe procedural të kësaj legjislature, ky është një ligj që gjendet prej gati 3 vjetësh i depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, për ironi të fatit, fillimisht nga grupi parlamentar i PS-së dhe ka të paktën që nga korriku i këtij viti, që mbahet zvarrë në Komisionin e Ligjeve. Që nga korriku e këtej ne kemi shtyrë ditët duke pritur më kot, që Partia Socialiste dhe kryetari e saj të çliroheshin më në fund nga zinxhirët, që i mbajnë lidhur me të kaluarën e errët të regjimit të Hoxhës dhe vetëm pasi i ezauruam të gjitha përpjekjet dhe ofertat konkrete për të shkuar bashkërisht në shqyrtimin dhe miratimin e këtij ligji, vendosëm që të shkojmë përpara, duke mos konsideruar vullnetin dhe votat e opozitës, apo të paktën ato të Partisë Socialiste.
Partia Socialiste u akuzon se ju po e miratoni këtë ligj me procedurë të përshpejtuar, sepse maxhoranca kërkon që të godasë persona të caktuar nga radhët e Prokurorisë dhe Gjyqësorit, të cilët janë duke hetuar dhe gjykuar afera korruptive të zyrtarëve të lartë të PD-së. Si i vlerësoni këto akuza?
Këto janë pretendimet më absurde që opozita ka shfaqur në këto tre vjet e gjysmë, që pas humbjes së saj në vitin 2005. Janë akuza që nuk qëndrojnë në asnjë logjikë dhe rrethanë, por që nga ana tjetër shfaqin një nivel të mjerë dhe një degradim të së bërit opozitë në Shqipëri. E para, sapo e shpjegova që nuk bëhet fjalë fare për procedurë të përshpejtuar. Madje, ne jemi tmerrësisht të vonuar në të gjitha pikëpamjet në miratimin e këtij ligji, i cili është nga më të debatuarit gjatë këtyre viteve në Shqipëri.
E dyta, ligji që do të miratohet sot në seancë plenare është pak a shumë i njëjti variant që Partia Demokratike e ka paraqitur para tre vjetësh në Kuvend. Dhe sigurisht që atë kohë nuk ekzistonte asnjë nga ato çështje për të cilat Partia Socialiste është e interesuar dhe për të cilat po thotë se ligji kërkon largimin nga detyra të disa prokurorëve apo gjykatësve. Por të mendosh që ne duhet të ndryshonin vizionin dhe konceptimin tonë për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë, për shkak se ai mund të ndikonte në fatin apo karrierën e disa individëve, që sot mund të jenë ngarkuar për të bërë punë speciale apo gjyqe speciale, kjo është jashtë çdo logjike dhe përfytyrimi. Sepse një ligj, që nuk “kursen” Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Kryetarin e Parlamentit, ministrat, deputetët dhe të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit dhe të administratës publike, as që mendohet se mund të jetë mëshirëplotë me një grusht xhelatësh, që janë përdorur dhe keqpërdorur barbarisht gjatë diktaturës si hanxharë të Sigurimit të Shtetit dhe të gjyqeve në emër të popullit, pavarësisht punës që ata mund të bëjnë sot.
Por këto pretendime janë njëkohësisht një fyerje e rëndë publike që u bëhet shumicës dërrmuese të prokurorëve dhe gjyqtarëve të këtij vendi që nuk kanë asnjë hije të errët në të kaluarën dhe asnjë papajtueshmëri me ligjin që do të miratohet sot. Është ogurzi fakti që Edi Rama dhe të tijtë po përpiqen të bindin shqiptarët dhe zyrtarët më të devotshëm dhe më të zotë në institucionet tona të drejtësisë dhe më gjerë, janë pikërisht ata që kanë thyer kocka njerëzish dhe që kanë dhënë vendime monstruoze në dëm të disidentëve të regjimit të Hoxhës edhe në ditët kur diktatura komuniste ishte në grahmat e fundit.
Është një pyetje që është gatuar në selinë e PS, por që çuditërisht e bën shpesh edhe shtypi. Po të punoja sërish gazetar do të pyesja në anën e kundërt, se si ka mundësi që në të gjitha këto të ashtuquajtura çështje të rëndësishme, të gjithë prokurorët e ngarkuar paskan qëlluar të implikuar në mënyra të ndryshme në regjimin e Hoxhës. Përgjigjja e saj mund ë kthjellonte shumë pikëpyetje dhe sigurisht edhe faktin, që ai grusht zyrtarësh të inkriminuar me Sigurimin e Shtetit apo prokurorë e gjykatës të proceseve speciale nuk ka asnjë lidhje me shtetin demokratik, që ne po ndërtojmë me shumë mundime dhe sakrifica në këta 18 vjet.
Në projektligjin e PD që u miratua në Komisionin e Ligjeve keni përcaktuar si pozicion të papajtueshëm postin e zv.ministrit të Brendshëm të kohës së diktaturës, ndërsa keni falur ministrin e Brendshëm të diktaturës, por edhe ministrat. Projektligji juaj u lë dorë të lirë ministrave të diktaturës, që të jenë aktivë në politikë dhe të kenë poste të larta në administratë. Po kështu edhe sekretarëve të parë të Partisë së Punës në rrethe. A mos kjo pjesë e paktit, që ju keni bërë me PS-në për të shpëtuar disa nga figurat e së majtës, siç janë Gramoz Ruçi apo Skënder Gjinushi?
Kjo është një pyetje që ka në vetvete doza të forta humori, por që unë dëshiroj, që t’i jap një përgjigje serioze. Të thuash se ka një pakt me Partinë Socialiste për këtë ligj, ndërkohë që është pikërisht ajo dhe kryetari i saj Edi Rama, që janë vënë në llogoren e kundërshtarëve të tij, në rastin më të mirë do të ishte një ekzagjerim. Pra, kjo me sa duket është pjesë e asaj teorie konspiracioni folklorik, që përpiqet që t’i shpjegojë në mënyrë shumë vulgare fenomenet politike në Shqipëri në këta 18 vjet. Sepse nuk mund të qëndrojnë të dyja. Edhe që ligji të kundërshtohet me forcë nga PS, edhe që ne të falim disa prej eksponentëve të saj, siç janë Gramoz Ruçi me shokë.
Por si qëndron e vërteta? E para, në ligj është parashikuar papajtueshmëria me funksionet shtetërore dhe publike edhe të ish-ministrave të Brendshëm të diktaturës. Ndërkohë, ligji që ne kemi hartuar nuk ka pasur parasysh emra konkretë, por ka tentuar që të ketë kritere korrekte dhe serioze në trajtimin e fenomenit, duke pasur në konsideratë edhe modele të tjera të vendeve ish-komuniste të Evropës Lindore, kryesisht ligjin çek. Dhe kjo është një përgjigje, që vlen edhe për pretendimet e PS-së për prokurorët, që i ka marrë në “besën” e vet Edi Rama.
Ne kemi vendosur si datë të fundit ditën e nisjes së pluralizmit në Shqipëri, sepse kemi menduar që pas 8 dhjetorit njerëzit kanë qenë të lirë të shprehen dhe të zgjedhin pa pasoja dhe reperkusione partinë apo alternativën e tyre e politike, dhe është pikërisht ky kriter ai që ka bërë të “shpëtojnë” Gramoz Ruçi, Fatos Nano, Skënder Gjinushi e shumë të tjerë si këta. Por çështja e “tavanit” të kohës për subjektet që i nënshtrohen këtij ligji do të ishte një temë shumë e debatueshme në të gjitha rastet, edhe sikur ne të kishim vendosur një datë më të largët apo më të afërt sesa 8 dhjetori.  
Pra është vetëm kriteri logjik dhe politik ai që mund t’i ketë ndihmuar individë të veçantë, që të mos bëhen “pre” e aplikimit të këtij ligji dhe asgjë më shumë sesa kaq. Por unë personalisht nuk besoj se kjo është ndonjë humbje e madhe, pasi bëhet fjalë për shumë pak politikanë, shumica e të cilëve e kanë paguar apo shlyer veten duke u konfirmuar dhe rikonfirmuar rregullisht në këta 18 vjet si pjesë të një sistemi politik, që pavarësisht të metave dhe mangësive që mund të ketë, është i lirë dhe demokratik.
Konferenca e kryetarëve ka vendosur t’ia rikthejë edhe njëherë Kodin Zgjedhor, komisionit të Reformës Zgjedhore. Deri në këtë moment miratimi i Kodit ka qenë produkt i një konsensusi mes PD-së dhe PS-së, por ju keni deklaruar se jeni dakord, që PS dhe LSI të zhvillojnë negociata për çështje të administrimit të procesit zgjedhor. Do të qëndroni thjesht në këto pozita, apo do të kërkoni edhe në komisionin e reformës të njëjtën gjë? Sa të mundshme i shikoni negociatat PS-LSI në këtë kontekst?
Negociatat e mundshme mes Partisë Socialiste dhe LSI-së nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë ndonjëherë problemi dhe shqetësimi ynë. Kjo sigurisht që vlen edhe për rastin e Kodit Zgjedhor, e cila duhet pranuar se është një temë shumë sensitive për të gjitha palët. Pavarësisht emocioneve të forta dhe adrenalinës së lartë, që shoqëroi raportet në kampin e së majtës sidomos në periudhën e grevës së urisë së disa deputetëve, ne nuk ndërhymë dhe mbajtëm një pozicion të tërhequr, neutral dhe indiferent për krizën evidente mes PS-së dhe LSI-së, ndonëse mund të kishte qenë një rast i mirë për ta shfrytëzuar politikisht.
Të tillë qëndrim dëshirojmë që të mbajmë edhe tani. Pra, nëse ka vend për të arritur diçka për Kodin apo më shumë se kaq mes PS-së dhe LSI-së, ky është një problem që u takon atyre që ta zgjidhin.
Ndërkohë, ne në konferencën e kryetarëve kemi vendosur që të ringremë komisionin e Reformës Zgjedhore për të shqyrtuar dekretin e Presidentit të Republikës, që ka kthyer Kodin Zgjedhor. Në rast se nuk do të ketë ndonjë të papritur, ky komision do të trajtojë vetëm pretendimet e Topit, pra, arsyet për të cilat ai ka kthyer Kodin dhe këto do t’ia kalojë sa më shpejt seancës plenare. Por në aspektin procedural, ky moment nuk e përjashton mundësinë edhe të zgjerimit të fokusit të Komisionit edhe për çështje të tjera, për të cilat palët mund të bihen dakord. Personalisht, nuk besoj shumë në këtë skenarin e fundit, por në politikë “kurrë” nuk duhet të thuash “kurrë”. 
Kthimi i Kodit nga ana e Presidentit shënoi përplasjet e para zyrtare mes jush dhe Bamir Topit. Si do t’i karakterizonit marrëdhëniet tuaja me Presidentin, duke pasur parasysh që dhe disa deputetë të maxhorancës e kanë akuzuar kreun e shtetit se akuzat për Lulzim Bashën për rrugën Durrës-Kukës dalin nga zyra e tij?
Ne jemi përpjekur dhe do të vijojmë të përpiqemi që marrëdhëniet tona me Presidentin e Republikës të jenë, sa korrekte, aq edhe institucionale. Ndërkohë, kjo nuk na pengon që të shprehim vlerësimet tona me shumë objektivitet dhe pa asnjë kompleks sa herë që shohim, se diçka nuk shkon apo mund të bëhet më mirë në qëndrimet apo raportet e institucioneve më të rëndësishme të shtetit midis tyre. Por, gjithsesi, unë mund të flas me siguri vetëm për gjysmën e kësaj marrëdhënieje.
Personalisht mendoj se kthimi i Kodit Zgjedhor ishte një lëvizje e paqëlluar dhe plotësisht e evitueshme, por tashmë ajo i takon arkivit dhe ne jemi të gatshëm që të ecim përpara, duke i kontribuar jo mahisjes, por zgjidhjes së këtij problemi.
Sa i përket rolit të Presidentit të Republikës si kryetar i KLD dhe me pozicion shumë të rëndësishëm për aktivitetin e Prokurorisë ne i qëndrojmë pikëpamjes se në institucionet e drejtësisë në këtë vend ka shumë për të bërë dhe për të ndryshuar, sidomos në marrëdhëniet e tyre me korrupsionin, përdorimin politik, klientelizmin dhe konfliktin e interesit.
Qeveria sapo ka miratuar projektligjin për Prokurorinë dhe së shpejti do të nisë shqyrtimi në Kuvend. Opozita ka deklaruar se nuk do ta japë konsensusin për këtë ligj, i cili kërkon 84 vota në Kuvend. Do të tentoni një konsensus me opozitën apo do të tentoni të arrini 84 votat e nevojshme në Kuvend për të miratuar ligjin? 
Ai nuk është një ligj për Prokurorinë e maxhorancës, por një ligj për Prokurorinë e shtetit. Si i tillë ne shpresojmë dhe besojmë që do të kemi edhe bashkëpunimin e opozitës, pavarësisht paragjykimeve të saj, që nuk nisen nga një atmosferë reale, por nga emocione politike të çastit. Kemi pasur dhe vijojmë të kemi prirjen për të gjetur konsensus dhe jo thjesht 84 vota për të çuar përpara reformat e mëdha, dhe ky ligj është pjesë e këtij vizioni, pasi është fragment i Paktit për Drejtësi. Madje, një gjë të tillë e kemi kërkuar më kot edhe për ligjin e Pastërtisë së Figurave, i cili nuk kërkon fare një shumicë të cilësuar.
Mbetemi ende me shpresë së opozita do të çlirohet nga paragjykimet jorealiste, që kanë shoqëruar të gjithë debatin krejtësisht të panevojshëm dhe të parakohshëm, që është zhvilluar deri tani për këtë projektligj. Ne as e kemi pasur ndërmend dhe as që është qëllim i këtij projektligji vënien nën kontroll të Prokurorisë nga maxhoranca. Po të kishim dashur ta bënim këtë, e kishim mbyllur me kohë, pasi nuk do të kishte person më të përshtatshëm për t’u vënë në shërbim sesa Theodhori Sollaku. Ndërkohë, mendoj se edhe opozita apo kryetari i saj duhet të kenë lëvizur nga pozicionet e dikurshme absurde, sipas të cilëve ne duhet të miratonim një ligj në konsensus me Prokurorinë. Deklarata e Edi Ramës shpresoj të ketë qenë një lajthitje e momentit, sepse ne konsensusin apo bashkëpunimin për ligje apo për marrëveshje nuk e bëjmë me askënd tjetër, përveçse me opozitën. Sepse në një republikë si e jona, të gjithë të tjerët  janë aktorë që duhet të flasin apo këndojnë sipas “libretit”, që shkruan në mënyrë sovrane Parlamenti. Në këtë rast, “ligjin e bën” Kuvendi i Shqipërisë.

Gjyqtarët: Dosjet, ligji bie ndesh me kushtetutën

adi shkembi

Shoqata kombëtare e gjyqtarëve e vlerëson si anti kushtetues projektligjin që do të miratohet sot për pastërtinë e figurave të zyrtarëve të lartë.
Në një prononcim për mediat, kryetarja e shoqatës së gjyqtarëve, Manjola Bejleri theksoi se ligjet për organizimin dhe funksionimin e gjyqësorit janë miratuar me shumicë konsensuale, ndërkohë që miratimi i ligjit për dosjet kërkon një shumicë të thjeshtë. Sipas Bejlerit, miratimi i këtij ligji prek edhe rastet e lirimit të gjyqtarëve. “Për shkak të rëndësisë së veçantë që kanë gjykatat si organe të parashikuara nga Kushtetuta, statusi, organizimi dhe funksionimi i gjyqtarëve është bërë me ligje të miratuara me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit, e parashikuar nga neni 81/2/a i Kushtetutës. Ndërsa ky projekt-ligj, i cili prek në mënyrë të drejtpërdrejtë statusin e gjyqtarit, parashikon të kalohet për miratim vetëm me një shumicë të thjeshtë. Ky fakt, nga pikëpamja proceduriale e miratimit të ligjit, e bën këtë ligj antikushtetues”, u shpreh Bejleri. Sipas saj “kujtojmë këtu se Kushtetuta ka parashikuar qartë kriteret dhe kushtet për të qenë Gjyqtar dhe sëbashku me ligjet “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit Gjyqësor (Niveli i parë dhe i dytë), të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, ka parashikuar dhe rastet e lirimit apo shkarkimit nga detyra të gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Në këto dispozita janë parashikuar gjithashtu edhe organet kompetente që vendosin për emërimin apo shkarkimin e gjyqtarëve”. Bejleri shtoi se miratimi i ligjit të ri për pastërtinë e figurës krijonin një organ të ri, tërësisht politik, i cili përcakton të qenit ose jo gjyqtar, që është Autoriteti i Kontrollit të figurave, i cili, sipas saj, në mënyrë të çuditshme kushtetueshmërisht, vihet mbi të gjitha organet kompetente për shkarkimin e gjyqtarëve. Në të njëjtën kohë shoqata kombëtare e gjyqtarëve del kundër edhe për faktin se grupet e interesit nuk u pyetën gjatë fazës së hartimit të tij. “Duke mos respektuar asnjë standard demokratik të gjithëpërfshirjes brenda një kohe të mjaftueshme për diskutimin e tyre, natyrshëm që vihet në diskutim qëllimi që synon të arrijnë dhe marrëdhëniet juridike që kërkojnë të realizojnë ligjbërësit. Ideja e projekt-ligjit për verifikimin e figurave të pushtetarëve ka 15 vjet që është në sirtarin e Kuvendit dhe të të gjitha partive politike, dhe ky Kuvend nuk gjen as 15 minuta kohë për ta konsultuar me Pushtetin Gjyqësor”, theksoi më tej Bejleri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›