E Shtunë, 31 Tetor 2026

Revolta greke dhe “qetësia” shqiptare

Blendi Kajsiu 

Eshtë tashmë e qartë se trazirat në Greqi kanë diçka më shumë, sesa zemërimi për vrasjen e një adoleshenti, apo edhe për sjelljen brutale të policisë greke në përgjithësi. Ato reflektojnë një pakënaqësi më të gjerë popullore. Ky nuk është një zemërim i thjeshtë me qeverinë, sikurse u përpoq ta paraqiste opozita e Papandreut, por një zemërim më i gjerë me status quo-në, me elitat dhe establishmentin politik grek.
 Ky është një zemërim edhe me konsensusin e demokracisë liberale, ku qeveritë ndryshojnë fytyrat por jo politikat, ku për pasojë qytetarët përballen me zgjedhje pa zgjedhje, ku distanca mes elitës dhe elektoratit veçse rritet dhe ku pakënaqësia, apatia dhe cinizmi i elektoratit akumulohet, derisa shpërthen në mënyrë ‘irracionale’, kur kriza ekonomike kryqëzohet me një incident policor.     
Përshtypje e gabuar e një shpërthimi ‘irracional’ krijohet, sepse zemërimi popullor me status quo-në në Greqi nuk mund të artikulohet politikisht. Protestuesit janë të zemëruar, por atyre u mungon gjuha politike për ta artikuluar zemërimin e tyre, për pasojë përdoren konceptet që janë në qarkullim si ‘rënia ekonomike’, ‘korrupsioni’ apo ‘politikanët s’duan t’ia dinë për ne’. Pamundësia e artikulimit të një projekti politik opozitar me status quo-në nuk është ndonjë e metë tipike e demokracisë greke.  Përkundrazi, ajo qëndron në thelb të demokracive libarele sot në perëndim. Kjo për faktin e thjeshtë, se gjuha politike në këto demokraci është reduktuar ndjeshëm tek disa koncepte bazë, që ofrojnë një vizion minimalist të demokracisë të reduktuar tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe liritë e interesat individuale. Ky është një vizion, që jo vetëm e redukton qytetarin në një ‘hedhës periodik vote’, por e ngushton aq ndjeshëm gjuhën politike, saqë e bën të vështirë artikulimin e një projekti alternative ndaj status quo-së. 
Prandaj edhe zemërimi i protestuesve grekë, që dikujt mund t’i duket si irracional apo bizantin është në fakt shprehje e një tensioni, që ekziston sot edhe në demokracitë më të konsoliduara liberale. Ky tension në fakt ka shpërthyer edhe më parë në këto demokraci, si në vitet 1960-të, dhe mund të shpërthejë sërish po të kemi parasysh, që simptomat e demokracisë greke pavarësisht shkallës, janë ato të pothuajse të gjitha demokracive të konsoliduara liberale sot. Nivelet e larta të korrupsionit nuk janë aspak një veçanti e politikës greke, por tashmë pjesë e politikës perëndimore në përgjithësi deri në SHBA. Apatia qytetare dhe pakënaqësia me elitat politike dhe establishmentin apo cinizmi ndaj demokracisë janë fenomene, që me përjashtim të ndonjë vendi skandinav mund të gjenden sot kudo nëpër Evropë.  Kombinimi i tyre me krizën ekonomike përbën natyrisht një përzierje shpërthyese. Prandaj sot Evropa shikon me shqetësim dhe tension ngjarjet në Greqi, pasi aty ajo mund të kuptojë më mirë edhe disa nga problemet apo sfidat me të cilat mund të përballet nesër. 
Ajo që të bën përshtypje në këto kushte është qetësia shqiptare në raport me pështjellimin grek. Ajo që e bën këtë qetësi akoma më ironike dhe të çuditshme është fakti, që shpresa e Shqipërisë sot është që nesër të bëhet si Greqia. Modeli ynë i zhvillimit duke filluar nga turizmi deri tek integrimi euroatlantik janë kopje të modelit grek. Në fakt, po të dëgjosh ligjërimin politik në Shqipëri sot bindesh lehtë se fundi i tranzicionit shqiptar do ndodhë pikërisht atëherë kur Shqipëria do të bëhet si Greqia, anëtare e BE-së, një vend i preferuar për turistët dhe me mirëqenie ekonomike. Që ëndrra jonë e së nesërmes është përfshirë sot nga flakët dhe protestat natyrisht na trondit edhe ne ëndërruesit e saj. Dhe kjo nuk fshihet dot nga instinkti i medias sonë për t’i paraqitur ngjarjet në Greqi si vandalizma të grupeve të caktuara, si pasojë e demokratizimit të papërfunduar grek, si reflektim i historisë së saj bizantine apo thjesht nga tendenca për t’i injoruar ato.  
***
Minimalisht revolta greke nxjerr në pah iluzionin themelor mbi të cilin bazohet e gjithë përpjekja demokratizuese sot në Shqipëri, duke filluar që nga BE-ja deri tek OJQ-ja më e thjeshtë shqiptare. Dhe ky iluzion është se problemet e demokracisë shqiptare me korrupsionin, pakënaqësia me elitat politike, destabiliteti politik janë fenomene tranzicioni. Është një iluzion që thotë se me t’u konsoliduar demokracia këto probleme do zhduken fët e fët. Revolta greke e nxjerr zbuluar këtë iluzion, duke na e bërë të qartë se problemet e demokracisë shqiptare sot nuk janë çështje tranzicioni ato janë reflektim i vetë krizës së një modeli të ngushtë të demokracisë. I një modeli demokratizimi që prodhon elita abuzuese, që sa më shumë ndryshojnë aq më shumë ngjasojnë përballë një elektorati apatik dhe të pafuqishëm, të cilit i mbetet të shpërthejë “irracionalisht” herë pas herë kur thika i vete deri në kockë.
Demokracia që po ndërtohet sot në Shqipëri është në fakt një demokraci minimaliste dhe elitiste. Vetë përpjekja demokratizuese në thelb bazohet tek koncepti marksist se struktura e marrëdhënieve të prodhimit do formojë superstrukturën politike. E thënë më thjesht ideja bazë është se ekonomia e tregut (struktura) do të prodhojë një politikë demokratike (superstrukturën). Është një ide që është shprehur kohë më parë nga ithtarët e tregut si Milton Fridman, që në librin e tij Kapitalizmi dhe Liria në fakt argumenton, se është tregu që prodhon liri dhe për pasojë demokraci. Është një ide që më pas është konsoliduar në teoritë e tranzicionit demokratik nga baballarët e saj themelues Gulliermo O’Donnell, Philipe Schmitter, Juan Linz apo Alfred Stepan, që fillimisht ishin studiues marksistë dhe më pas u bënë promotorë të demokratizimit liberal me financimin e Departamentit të Shtetit amerikan. Ishte gjenialiteti i doktrinës Regan, që kundër doktrinës sovjetike vuri marksistët antisovjetikë, që zëvendësuan revolucionin komunist me revolucionin demokratik. Në thelb të këtij transformimi ishte prodhimi i revolucionarëve antidiktaturë që, sikurse shprehet studiuesi Nicholas Guilhot, ‘në vend të Karl Marksit lexonin Robert Dahl’.
Pra, demokracia që promovohej dje në Amerikën Latine dhe ajo që promovohet sot në Shqipëri është ajo e Robert Dahl. Është një demokraci sa e mërzitshme, po edhe aq e kufizuar tek zgjedhjet e lira, institucionet politike, të drejtat formale politiko-civile dhe që presupozon një konkurrencë të lirë dhe të ndershme mes grupeve të interesit. Ama ky është një model që pothuajse hesht në lidhje me dimensionin ekonomik, apo përballë tensionit, që mund të krijohet mes pasojave të tregut dhe idealeve demokratike. Është një model që i presupozon qytetarët potencialisht të barabartë para ligjit pavarësisht se dikush mund të zotërojë disa media dhe dikush mund të jetë pa punë. Është një model, që rolin e elektoratit e shikon të reduktuar tek përzgjedhja e elitave, të cilat më pas merren vesh me njëra-tjetrën. Një dimension ky që u theksua akoma më shumë nga transitologët, të cilët tranzicionin nga komunizmi në kapitalizëm dhe demokraci e panë kryesisht si një proces që udhëhiqej nga elita ‘të ndriçuara’, që në reformat e tyre mund të përballeshin me pakënaqësinë dhe rezistencën popullore. Njësoj si dikur Lenini pa tek Partia Bolshevike elitën ’e ndriçuar’ avant guarde, që do ta reformonte shoqërinë edhe përballë rezistencës së saj. Kahu i ndryshimit ishte i kundërt, por logjika e njëjtë.
Kemi të bëjmë pra, me një model që e kufizon hapësirën politike tek loja mes elitave dhe që e shikon me dyshim pjesëmarrjen e masave në politikë si destabilizuese dhe të panevojshme. Destabilizuese sepse ato mund t’i kundërvihen si pasojë e ’injorancës’ së tyre modelit të demokracisë minimaliste.  Të panevojshme sepse ky model tashmë dihet dhe nuk ka nevojë të përcaktohet nga elektorati. Roli i elektoratit është thjesht të legjitimojë me votë një herë në katër vjet forcën në pushtet.  Nuk është rastësi që institucionet ndërkombëtare i kanë kritikuar vazhdimisht protestat në Shqipëri, apo sikurse e kanë quajtur ata ‘politikën e rrugës’. Parulla e komunitetit ndërkombëtar se politika duhet të ndodhë ‘brenda institucioneve’ nuk është veçse një mënyrë për të thënë, se politika duhet bërë thjesht mes elitave, që një herë në katër vjet mandatohen nga elektorati.  Thirrjet e vazhdueshme për konsensus mes elitave, për stabilitet apo kundërshtimi i zgjedhjeve të parakohshme janë një mënyrë indirekte për të thënë, që procesi politik duhet të fokusohet thjesht në zbatimin e një grupi të caktuar reformash, që në shumicën e rasteve fotokopjohen nga legjislacioni evropian ose dalin nga faqet e raporteve të BE-së.
Ama, kjo prodhon një situatë ku procesi politik boshatiset pothuajse krejtësisht dhe demokracia e humbet tërësisht kuptimin.  Ekonomikisht çështjet themelore janë vendosur dhe asgjë nuk mund të ndryshohet; Shqipëria ndjek politikën e hapjes së tregjeve, e mosndërhyrjes së shtetit në ekonomi, dhe të stabilitetit makro-ekonomik. Në fakt, politikat ekonomike, fiskale dhe monetare i janë deleguar me kohë FMN-së dhe Bankës së Shqipërisë. Aq sa në Shqipëri sot konsiderohet herezi edhe po të fillosh të mendosh për alternativa ndaj dogmës së tregtisë së lirë, si proteksionizmi. Po kështu edhe politikisht çështjet themelore janë vendosur; ne ecim drejt integrimit në strukturat e BE-së dhe rrugës nënshkruajmë çfarëdo marrëveshje që na del përpara dhe adoptojmë çdo lloj ligji, që BE-ja thotë se na duhet. Për pasojë procesi politik në Shqipëri fokusohet ose tek politikanë të veçantë, ose tek debate tenderësh apo privatizimi ose tek akuza personale për korrupsion. Palët akuzojnë njëra–tjetrën për paaftësi apo korrupsion, sepse nuk kanë se çfarë të kritikojnë tjetër, pasi programet i kanë identike me përjashtim të ndonjë detaji. Pra, në thelb debati fokusohet tek zbatimi i një modeli të caktuar, që as nuk vihet në pikëpyetje dhe në raport me të cilin elektorati nuk mund të shprehet, pasi ai është përqafuar nga të gjitha palët në politikë.
Rezultatin e këtij procesi tashmë e dimë. Fytyrat e politikanëve ndryshojnë, por politikat mbeten po ato. Qeveritë ndryshojnë, ndërsa problemet jo.  Disa dalin dhe disa futen në skenën politike por parullat mbeten po ato, ’Evropa’, ’integrimi’, ’NATO’, ’demokratizimi’ etj., etj.  Cilësisht nuk thuhet asgjë e re. Politikisht nuk ka asnjë zgjedhje reale pasi ndryshimi i vetëm është se kush do ta ushtrojë pushtetin dhe jo çfarë pushteti do të ushtrohet. Për pasojë, edhe vetë zgjedhjet e humbasin gjithnjë e më tepër kuptimin ose kthehen në një ritual proteste.  Ndërkohë establishmenti politik e kupton se është më mirë ta ndajë tortën e pushtetit me radhë dhe me qetësi sesa me sherr dhe me inat.  Ironikisht kjo përshëndetet si progres nga faktori ndërkombëtar për të cilin elementët kyçë të demokracisë janë elita, që arrin konsensus dhe elektorati që nuk del në rrugë. Ndërsa për elektoratin konsensusi pozitë–opozitë nuk përbën veçse formalizmin e një marrëdhënie, që ata e kishin dyshuar gjithmonë. Ai nuk është veçse vulosja e mungesës së alternativës që prodhon apati, pakënaqësi dhe cinizëm. Më qartë dhe troç se kudo kjo ndjenjë përmblidhet tek shprehja më e zakonshme popullore për politikanët sot që thotë se “të gjithë një m... janë”. Të gjitha këto do të akumulohen dhe një ditë, kur demokracia jonë të jetë ‘konsoliduar’ do të shpërthejnë në mënyrë ‘irracionale’, ashtu si në Greqi sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›