“Edi Rama na mashtroi, na vodhi pronën tek Ali Demi”
zirina llambro
Shprehja “Je zot në pronën tënde” i ka humbur jo pak herë vlerat tek ne. Ndër një dekadë, shqiptarët janë velur aq shumë nga çudira të këtij lloji sa tashmë çdo gjë e marrin lehtë. Por teksa nuk habitesh më, kur në tokën tënde mund të hedhë themelet e pallatit a të shtëpisë ndonjë kokëshkretë, kur këtë “vjedhje” ta bën një institucion që përfaqëson qytetarët, nuk mundesh dot ta përtypësh. Kështu ka ndodhur me fushën sportive tek “Ali Demi” në kryeqytet. Pronarët e vërtetë të saj, pas një kalvari të gjatë sorollatjesh, pas 14 vite gjyqesh (të gjitha të fituara), kanë vendosur të luftojnë me armën më të fortë që kanë. Dokumentet që ligjërisht nuk mund të tjetërsojnë atë çka është e tyrja. Kjo edhe kur rëndom, në kryeqytet e gjetkë, mbizotëron filozofia se ligjin e bëjnë Maliqët. Ata denoncojnë Bashkinë e Tiranës për përvetësim të pronës së tyre. E për këtë paraqesin fakte. “Është shpresa jonë e fundit për të marrë atë që na takon. Por jo vetëm. Po luftojmë për të kuptuar e treguar se këtu ka vërtet shtet”, shprehen jo fort entuziastë Bashkim Toska dhe Hasan Mema, përfaqësuesit e 5 pronarëve tek fusha e “Ali Demit”.
Përvetësimi i pronës
Bëhet fjalë për 9470 m2 tokë që kryeqytetasit e njohin si fusha sportive e “Ali Demit”. Këtë funksion ka kryer për shumë vite. Që prej tre muajsh është e rrethuar e tëra me llamarinë. Brenda, disa fadroma që punojnë me një ritëm për t’u pasur zili. Duket që larg se kanë ngut ta përfundojnë sa më shpejt atë çka kanë nisur. Kjo është vetëm gjysma e sipërfaqes që realisht kanë pronarët e saj. Ata duhet të kishin në zotërim të gjithë fushën, që arrin në plot 16 457. m2. Pjesën e mbetur nga sa më lart ua ka marrë një pseudopronar. Por kjo nuk ka lidhje me Bashkinë e Tiranës. “Vetëm një javë pasi Bashkia e Tiranës ka humbur edhe në Gjykatën e Lartë, pas dy gjyqeve të tjera të njëpasnjëshme që ne kemi dalë fitues, ka çuar në KRRT projektvendimin për të ndërtuar një lulishte tek fusha. Pikërisht në një pronë që ligjërisht nuk është e saja”, shprehet Bashkim Toska, njëri prej pronarëve. Ai sqaron se Këshilli i Rregullimit të Territorit ka miratuar propozimin e bashkisë dhe që prej tre muajsh ka nisur puna për lulishten. “Kësaj vepre që, siç e quan Rama, është publike i bëri jo pak jehonë edhe në media. Ne u mblodhëm të gjithë dhe u përpoqëm të mos lejonim fillimin e punimeve por Policia Bashkiake na nxori jashtë”, sqaron Toska. Ai pohon se paskësaj kërkuan takim me kreun e Bashkisë së Tiranës. “Njërit prej nesh që arriti ta takojë pas shumë e shumë miqsh që i futëm i tha se pronën nuk po ja u merr askush, por vetëm po jua rrisim vlerën. “Banorët e zonës me kanë kërkuar lulishte. Bashkë flasim pas zgjedhjeve”,është shprehur Rama, por në fakt po ndodh krejtësisht e kundërta. Lulishtja tani është publike gati e përfunduar dhe kur nuk na e lanë atëherë kur ishte e lirë, s’ka si ta marrim më vonë”, thotë Bashkim Toska.
Tre gjyqet e fituara
Padinë në Gjykatën e Shkallës së Parë, pronarët e fushës sportive tek “Ali Demi” e ngritën ndaj Këshillit të Ministrave dhe person të tretë Bashkinë e Tiranës. Objekt i padisë ishte “Anulimi pjesërisht i VKM “Për miratimin e listës së inventarit dhe transferimin e pronave të klubit të futbollit “Tirana” në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në datë 13.2.2007 ishte në favor të pronarëve të tokës. Ndër faktet e tjera brenda këtij vendimi citohet: “Pala paditëse ka vërtetuar tërësisht se është pronare e ligjshme e një sipërfaqeje toke prej 16.457 m2, të ndodhur në fushën “Ali Demi” Tiranë. Konfiguracioni i truallit është i njëjtë me atë të pasqyruar në VKM për 15 470 m2. Në këtë pikë, gjykata konkludon se ka mbivendosje. Pra Këshilli i Ministrave ka marrë në disponim këtë sipërfaqe toke në mënyrë të padrejtë, duke ja transferuar Bashkisë së Tiranës”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Në të shkruhet se për aq sa ka cenuar padrejtësisht interesat e ligjshme të paditësve, vendimi duhet të anulohet. “Për rrjedhojë Gjykata e Shkallës së Parë arrin në përfundim për anulimin e pjesshëm të vendimit të Këshillit të Ministrave, sa i përket transferimit të fushës “Ali Demi”, për sipërfaqen 15.470 m2, në pronësi të Bashkisë së Tiranës. Bashkia e Tiranës nuk e ka pranuar vendimin, e për rrjedhojë çështja është dërguar në Gjykatën e Apelit. Në ankimimin e saj, bashkia ka parashtruar katër shkaqe kundër vendimit të marrë. Sipas saj, transferimi i trajtuar në vendimin e Këshillit të Ministrave, datë 20.5 2005, është bërë në përputhje me kërkesat ligjore. Por pas marrjes në shqyrtim të çështjes, Gjykata e Apelit rrëzon këtë ankimim. “Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë është rrjedhojë e zbatimit të drejtë të ligjit. Për pasojë, në përputhje me kërkesat e parashtruara në nenin 466/të K.Pr.Civile, ai duhet të lihet në fuqi”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit, i marrë në datë 19.2.2008. Në të sqarohet gjithashtu se pala paditëse ka vërtetuar se është pronare e ligjshme e sipërfaqes së tokës të ndodhur në fushën “Ali Demi” në Tiranë. “Me të drejtë arsyeton në vendimin e saj Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, kur analizon dhe argumenton se Këshilli i Ministrave me vendimin e caktuar ka disponuar një prone që nuk ishte në pronësi të saj”, konkludon Gjykata e Apelit. Sipas saj, çmohet se pretendimet e ngritura në animimin e ushtruar nga ana e Bashkisë së Tiranës, si në ankimim edhe gjatë shqyrtimit në apel, nuk janë të tilla që të motivojnë apo përligjin cenimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë. Edhe pas dy gjyqeve të humbura, si në shkallën e parë edhe në apel, Bashkia e Tiranës nuk është ndalur. Ajo ka bërë ankimim në Gjykatën e Lartë, e cila ka vënë veton. Përsëri në favor të pronarëve të tokës. “Kolegji i Gjykatës së Lartë, pasi dëgjoi relatimin përkatës e si analizoi çështjen në tërësi vëren: “Kërkesa e paraqitur nga pala e paditur, Bashkia Tiranë, për pezullimin e ekzekutimit të vendimit nr.883 të Këshillit të Ministrave datë 13.2.2007 të Gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë, i lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, nuk është i bazuar në ligj e si i tillë nuk duhet të pranohet”, shkruhet në vendimin e Gjykatës së Lartë, datë 20.5.2008. Për këto arsye kjo kërkesë nuk është marrë parasysh.
Konflikti për lulishten
“Pasi arritëm të dalim fitues edhe në Gjykatën e Lartë, menduam se më në fund problemi ynë u zgjidh. Por nuk ndodhi aspak kështu. Nga televizori morëm vesh se Bashkia e Tiranës kishte nisur punimet për ndërtimin e një lulishteje në tokën tonë”, shprehet Bashkim Toska. Ai tregon se bashkë me pronarët e tjerë u mblodhën për të mos lejuar fadromat të nisnin punimet. “Ishte e pamundur pasi na nxori jashtë sikur të ishim hajdutë Polica Bashkiake, duke ushtruar madje edhe dhunë fizike”, sqaron Hasan Mema, një prej pronarëve të tjerë. Pas kësaj, ata janë drejtuar në Bashkinë e Tiranës për të marrë një përgjigje. “E vetmja gjë që na u tha ishte se pronën nuk ua ka marrë njeri. Por ne nuk arrijmë të kuptojmë se çfarë do të thotë kryebashkiaku me këtë shprehje. Për aq kohë sa ajo po kthehet në lulishte, ne nuk kemi asnjë të drejtë mbi të, e madje as t’i afrohemi, si nuk na e ka marrë njeri”, shprehen të revoltuar pronarët. Kjo logjikë për ta është e papranueshme. “Por edhe sikur të ketë ndërmend të na e kthejë ne bashkia. Sërish kemi të bëjmë me një abuzim. Po investohen para për atë lulishte, vetë po e ngre, vetë mund ta prishë. Janë paratë e të gjithëve. Domethënë ngado që ta kapësh, bashkia vepron sikur është vetë zot e vetë shkop. Pa përfillur ligjin dhe strukturat e tjera, që duhet të vënë atë në zbatim”, thotë Toska.
Pa rrugë zgjidhje
Mund të ndodhë edhe kështu. Të kesh në duar gjithçka që vërteton se prona është e jotja dhe të mos kesh mundësi as të shkelësh në të. Kjo vetëm se je një qytetar i thjeshtë dhe nuk ke mundësi të çash të ashtuquajturin pushtet. Pronarët e vërtetë të fushës “Ali Demi”, tani janë krejtësisht pa asnjë rrugë zgjidhje. Nuk dinë ku të drejtohen. “Është absurde, por tamam nuk kemi ç’të bëjmë më shumë se kaq. Thonë i zgjidh gjyqi, por ja që as gjyqi nuk i zgjidhkërka, për aq kohë sa vendimet edhe të gjykatës më të lartë mbeten në letër. Kjo është vjedhje e pastër”, shprehen pronarët. Ata na kanë vënë në dispozicion dokumentet e plota që kanë. Që nga vendimet e gjykatave deri te çertifikatat e pronësisë. Pos tyre, vendimin e kthimit dhe kompensimit të pronave, sipas të cilit komisioni ua rikthen atyre truallin. Një tjetër dokument i rëndësishëm që plotëson dosjen e pronarëve tek fusha “Ali Demi” Edhe një vërtetim Kadastre i vjetër. Daton më 19.6.1926. Shumëkënd e gjithë kjo histori mund ta lërë indiferent. Por për pronarët e tokës edhe për të gjithë ata që trumbetojnë demokracionë, kjo mënyrë e përvetësimit të tokës së tjetrit është vërtet për të vënë duart në kokë. Jo aq parë në aspektin personal sa në atë qytetar e më gjerë.
Rama në shtator përuroi punimet për lulishten
Në datën 10 shtator të këtij vitit, Kryebashkiaku Rama mori pjesë në përurimin e punimeve për ndërtimin e lulishtes tek “Ali Demi”. “Ajo do të rikonstruktohet plotësisht dhe do të kthehet në një zonë çlodhjeje dhe argëtimi për të gjitha moshat”, deklaroi Rama asokohe. Janë 40.6 milionë lekë që do të përdoren për ngritjen e një zone të qetë e të përshtatshme për moshat e treta”. Shtrimi i rrugëve të parkut do të realizohet me pllaka të llojeve të ndryshme, ndërsa rruga kryesore e kalimit si dhe rrugët dytësore do të shtrohen me pllaka dekorative”, thuhet në deklaratën e bashkisë. Në këtë fushë është konceptuar edhe ndërtimi i një Shatërvani “Sipërfaqja e tij do të jetë relativisht e madhe, ku fëmijët do të kenë mundësi të argëtohen”, ka sqaruar Bashkia. Firma “Euro M.K” do të dorëzojë objektin e përfunduar më 31 janar të vitit të vitit që vjen.
“Komisioni i Pronave na ktheu truallin e lirë”
zirina llambro
Trualli prej 16 459 m2 te fusha e “Ali Demit” i është kthyer pronarëve si tokë e lirë në vitin 1997. Ky është një tjetër argument i fortë i tyre, që hedh poshtë pretendimin e bashkisë që bëhet fjalë për pronë shtetërore. “Me vendim të komisionit të kthimit dhe kompensimit të pronave, fusha na është kthyer si truall i lirë. Pra në të nuk është parashikuar as ndonjë vepër publike”, sqarojnë pronarët. Ata pohojnë se nëse do ishte kështu do të ishin futur si të tjerët në listën e kompensimit. “Pra për aq kohë sa është i lirë, as i zaptuar dhe as me ndonjë ndërtesë shtetërore, ligjërisht i takon pronarëve. Në të kundërt ne do kishim marrë kompensimin”, shprehet Bashkim Toska. Nga ana tjetër, ai nënvizon se kanë fituar edhe gjyqin me personin që e kishte zaptuar këtë truall përpara vitit 1994. “Ne nuk ngremë pretendime për diçka që nuk na takon. Nuk do ta kishim bërë këtë gjë, nëse do të kishte qoftë edhe një bazë ligjore që i jep të drejtën bashkisë të veprojë në këtë mënyrë. Po të shohësh vërtetimin e Kadastrës, prona jonë është regjistruar që në vitin 1926. Prandaj nuk i falet askujt që të trajtojë pronarët e vërtetë si të ishin hajdutë”, shton Toska. Nga ana tjetër, vetëm disa ditë përpara se Kryebashkiaku të përuronte nisjen e fillimit të punimeve për lulishten tek “Ali Demi”, pronarët kanë marrë pas një sërë peripecish të gjitha certifikatat e pronësisë nga hipoteka. Ato mbajnë datën 2 shtator të këtij viti, ndërsa Rama ka bërë me dije për mediat nisjen e punimeve të lulishtes në datë 10 shtator. Vetëm 8 ditë më pas. “Edhe ky pretendim i bashkisë, se ne nuk kishim marrë ende në dorë certifikatën për vërtetim pronësie, bie poshtë. Kemi tre të tilla sipas ndarjes së sipërfaqeve. Përkatësisht njëra për 5000 m2, tjetra për 10.700 m2 dhe tjetra për 3.400 metër katror. Bashkangjitur certifikatave të lëshuara nga Zyra e Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme janë edhe hartat e vendodhjes së tyre. “Pas 14 vjet sorollatjesh e burokracish, të kesh në dorë edhe hipotekën e tokës tënde dhe vetëm pas një jave të vijë bashkia e të thotë do të ta bëj lulishte. Kjo nuk ka vend ku të rrijë. Është jo normale. Nëse nuk marrim një zgjidhje, vetëm Strazburgu na mbetet, se nga sa duket bashkia nuk pyet as për hallkat e tjera të shtetit. Vendos vetë për të gjitha”, thonë pronarët. Sipas tyre, bërja e lulishtes mund të jetë edhe ndonjë arsye që pas disa vitesh ajo të përdoret për ndonjë tjetër qëllim. “Në këtë mënyrë si po veprohet e kemi menduar edhe këtë. Por ashtu siç e theksova, në këtë rast vidhet jo vetëm prona jonë. Por edhe paratë e shqiptarëve. Pasi për të bërë lulishten që ndonjë ditë edhe mund ta prishë, bashkia po shpenzon jo pak para. Duket që do ta mbarojë sa më shpejt. Sa herë që i jemi afruar tokës, në të qintën e sekondës ka ardhur Policia Bashkiake”, shprehen pronarët. Ata tregojnë se njëri nga personat e fisit ka pasur edhe një incident të fortë, që për fat të mirë nuk rezultoi me pasoja fatale.