E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejt Interpolit dhe Europolit

Në qershor, Policia e Kosovës hap Drejtorinë për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Rend dhe Ligj. Përgjegjësi e saj do të jetë bashkëpunimi me Interpol dhe Europol. Hapja e kësaj drejtorie shihet si hap në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në këto organizata të mëdha policore. Nga Jeton Musliu më 17 maj 2011 në ora 09:20

Nga muaji qershor i këtij viti, pritet që Policia e Kosovës të hapë një drejtori të veçantë, e cila do të jetë përgjegjëse për bashkëpunim me organizatat e mëdha si Interpoli dhe Europoli.

Në fakt, policia e ka një zyrë për bashkëpunim ndërkombëtar, por përgatitjet që janë duke u bërë mëtojnë që kjo të shndërrohet në Drejtori për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Rend dhe Ligj.

Reshat Maliqi, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, hapjen e një drejtorie të tillë e quan një hap më shumë drejt anëtarësimit të këtij institucioni në Interpol dhe Europol.

Megjithëkëtë, sipas tij, kjo nuk do të thotë se me inaugurimin e saj, Policia e Kosovës do të bëhet automatikisht pjesë e dy organizatave më të mëdha policore.

“Në qershor kjo drejtori do të jetë funksionale dhe mendojmë se hapja do të jetë një ditë solemne”, thotë Maliqi për Express, i bindur se faza drejt anëtarësimit do të vazhdojë.

Maliqi shpjegon se do të jetë kjo drejtori, e cila do të merret edhe me analizimin e kushteve që duhet plotësuar në mënyrë që Policia e Kosovës të bëhet pjesë e këtyre dy organizatave.

Madje ai nuk beson se mosanëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara e pengon Policinë e Kosovës që edhe pas plotësimit të kushteve të bëhet anëtare e Interpolit apo Europolit.

“Lufta efikase ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve nuk duhet të jetë çështje politike”, thotë kreu i Policisë së vendit.

Pavarësisht kësaj, Policia e Kosovës ka bashkëpunim të mirë edhe me policitë e shteteve të tjera, pasi ajo e ka një zyrë për bashkëpunim ndërkombëtar.

Por shkëmbimi i informacioneve dhe të dhënave bëhet përmes ish-UNMIK-ut, të cilët ende e kanë ekskluzivitetin kur vjen puna te shkëmbimet e informacioneve.

Madje përmes një zinxhiri të tillë, Policia e Kosovës bën shkëmbimin e informacioneve edhe me Policinë e Serbisë.

Përkrahjen që Policia e Kosovës të bëhet pjesë e Interpolit e ka dhënë edhe Ronald Noble, i cili megjithatë nuk ka qenë në gjendje të tregojë se kur pritet të bëhet kjo.

“Anëtarësimi i Kosovës në Interpol do të bëhet. Po ju them se do të ndodhë, por nuk mund t’jua them datën e saktë. Anëtarësimi në OKB e BE nuk janë kritere të domosdoshme për ne, për të qenë një vend, në këtë rast Kosova, anëtare e Interpolit”, ka deklaruar Nole për “Presheva Jonë”.

“Por, siç e dini, Kosova është një problem politik“, është shprehur kreu i Interpolit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›