Zbulohet kontrata
Qeveria e Kosovës, me kontratën për autostradën Vermicë-Besi, e ka siguruar kompaninë Bechtel-Enka për të gjitha humbjet eventuale, duke marrë përsipër mbi vete gjithë riskun. Duke filluar nga pagesa për sjelljen e mjeteve të punës, për ekspertë, e deri te pagesa me çmim të dyfishtë për materialin.
Sipas kontratës, e cila u publikua si e plotë për herë të parë nga Lëvizja Vetëvendosje, kostoja fikse e autostradës është 659 milionë euro, por mund të variojë varësisht prej njësive. Me këtë rast, çmimet për njësi, sipas kontratës, janë të panegociueshme.
Kompania ndërtuese Bechtel-Enka, gjithashtu merr 40 milionë euro pagesë fillestare, vetëm për të sjellë makineritë në Kosovë. Pastaj për amortizimin e kësaj makinerie marrin për çdo muaj nga 1 milion euro.
Për më tepër, sipas kontratës, ekspertët e kompanisë Bechtel-Enka do të paguhen deri në 25 mijë euro në muaj, me rastin e ardhjes në Kosovë.
Kompanisë i mundësohet që pagesat për materialin për asfaltimin e autostradës ta bëjë me çmim të dyfishte në krahasim me çmimin e tregut.
Sipas kontratës, Qeveria nuk ka specifikuar askund se deri në sa mund të shkojë një kilometër asfalt në ndërtimin e kësaj autostrade.
Menjëherë pas këtij publikimi të Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar Qeveria e Kosovës, përmes ministrit të Infrastrukturës, Fehmi Mujota.
Sipas tij, bëhet fjalë për një dokument anonim për kredit politik.
“Projekti i autostradës po shkon drejt përfundimit të 38 km të para falë punës dhe bashkëpunimit të shkëlqyeshëm të Qeverisë dhe institucioneve të tjera me konsorciumin Bechtel-Enka”, ka pohuar ai.
Sipas tij, me këtë publikim, janë sulmuar institucionet legjitime të vendit, duke bërë publik një dokument anonim për kredit politik.
“Ftojmë Vetëvendosjen të punojë me ne për të ndërtuar Kosovën dhe jo në dëm të një projekti kaq madhor ta zhvendosin vëmendjen e opinionit publik nga dhuna që ushtruan më parë ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.
Ndërkaq, sipas analizës së eksperteve të Vetëvendosjes, të cilët garantojnë për origjinalitetin e kontratës, Qeveria do t’i paguajë kompanisë para nga buxheti për secilin veprim që ajo bën. Duke llogaritur këtu përafërsisht 100 milionë euro për një segment, por që nuk dihet saktë se për sa segmente bëhet fjalë.
Besnik Bislimi, nga kjo lëvizje, me rastin e publikimit të kontratës, ka dhënë disa nga elementet e kësaj kontrate.
Sipas tij, edhe pse është thënë disa herë se kontrata kushton rreth 660 milionë euro, në kontratë shihet se s’ka kurrfarë çmimi fiks dhe se kontrata varion në bazë të çmimeve për njësi. Çmimi komplet, sipas kontratës, nuk mund të dihet. “Kjo ka qenë një manipulim, pasi që prezantohet një çmim i cili nuk ekziston fare. Në pjesën më të madhe, çmimet janë caktuar për njësi dhe ato çmime një pjesë nuk janë deklaruar fare, pasi që ka raste kur thuhet se çmimi në njësi do të caktohet më vonë”, tha Bislimi.
Ai ka shtuar se në bazë të tenderit për autostradën Merdar-Morin, ka qenë e parashikuar që kompanitë që tenderojnë të ofrojnë dhe disenjin e rrugës dhe koston. Ndërkaq, kompania “Bechtel-Enka”, ka fituar kontratën pa pasur disenjim të rrugës.
Por në kontratë specifikohet se ata do t’i sjellin ekspertët e tyre në Kosovë, e të cilët do t’i ndihmojnë Qeverisë për ta disenjuar autostradën, ndërsa Qeveria do t’i paguajë ata nga 25 mijë euro në muaj.
Gjithashtu, ka raste kur kompania ndërtuese mund të angazhojë për pjesë të caktuara të rrugës edhe firma të tjera, mirëpo pagesa në këtë rast bëhet direkt prej Qeverisë. Për më tepër, parashihet që si ndërmjetës në këto pagesa të jetë kompania, e cila për çdo pagesë merr provizion 8 për qind.
Me këtë kontratë, kompania ndërtuese nuk bart kurrfarë rreziku dhe se për çdo element të riskut, kanë të drejtë ta rrisin çmimin. “Dhe, nëse del terreni më i vështirë, rritet kostoja plus profiti. Për kompaninë është më e leverdishme të dalë terreni i vështirë”, tha Bislimi.
Ndërkaq, në rast se Qeveria vonohet me pagesa, automatikisht fillon zbatimi i kamatave ndëshkuese.
Një detaj tjetër është edhe numri i vendeve të punës. Sipas Bislimit, edhe pse është thënë se kontrata do t’i krijojë 4 mijë vende të punës, nëse lexohet kontrata, shihet se kompania nuk obligohet, por inkurajohet. Ndërkaq kur shihet dinamika e punësimit, sipas tij, vërehet se numri maksimal i punëmarrëseve lokalë do të jetë 1533, që do të arrihet në vitin 2012. “Të gjitha shifrat e prezantuara kanë qenë manipulim. Po ashtu, thuhet se punëtorët do të paguhen me paga jo më të ulëta sesa tregu kosovar, që i bie se ata do të paguhen 10 deri në 12 euro në ditë, për një kontratë e cila kushton 1 milion euro në ditë”, tha ai.
Ndërkaq, Shpend Ahmeti, nga kjo lëvizje, i ka bërë publike disa çmime për njësi, të cilat kanë qenë të panegociueshme nga Bechtel-Enka, e të cilat janë dyfish më të larta sesa çmimet në tregun vendor.
Sipas tij, betonin me këtë kontratë e paguajmë 180 euro për metër kub, ndërsa në treg mund të gjendet me 75 euro, që i bie dyfishi i çmimet që gjendet në treg. Po ashtu, rëra paguhet 26 euro sipas kontratës, ndërsa në treg mund të gjendet 10 deri në 13 euro, dyfishin e çmimit në treg. Asfalti paguhet me 117 euro për ton, ndërsa në treg mund të gjendet me çmim prej 70 deri 80 euro.